Sigal

Dritan Goxhaj, ekspert në intervistën për TV Faxnews shpjegoi të gjithë dritëhijet e fluturimeve të “Air Albania”, si dhe shtron pikëpyetjen: Si ka mundësi që të investohet me 200.000 euro për një shoqëri të tillë ajrore, konfliktin e interesit të Alb Control për të zotëruar njëkohësisht aksione, a do të mundet që “Air Albania” të bëjë fluturime drejt qyteteve evropiane, kur ende nuk ka marrë leje fluturimi dhe cili do të jetë fati i kësaj kompanie?

 -Zoti Goxhaj, investimi është 200 mijë euro. Po flasim për kompani private që janë rreth 5 milionë euro, mund të shpjegojmë, pse një kompani private duhet të ketë patjetër 5 milionë euro për të hapur një shoqëri ajrore, dhe në këtë investim kemi vetëm 200 mijë euro?

– Sepse një kompani private duhet të ketë një garanci bankare prej 3 milionë eurosh, të cilat duhet të jenë në gjendje të kompanisë, të futura në një xhiro llogari bankare në emër të kompanisë, dhe që dokumentohen me një letër garancie bankare, që të tregosh që ti i posedon këtë para, që në rast të çfarëdo dëmi ose problemi që mund të ketë kompania, të jetë në gjendje të paguajë çdo lloj dëmshpërblimi që duhen për qytetarin, që nga dëmshpërblimi për anulimet e fluturimeve deri tek dëmshpërblimi për aksidente.

– Në këtë rast kush do t’i mbulojë këto shpenzime?

– Në këtë rast, duke qenë se është shteti 10% aksioner, i mbulon shteti dhe shteti nuk fut para në shumë prej 3 milionësh, por shteti mbulon dëmshpërblimet dhe këto para merren nga qytetarët shqiptarë.

– Shteti është aksioner me vetëm 10%, është i detyruar të japë garancinë prej 3 milionë eurove. Po aksionerët e tjerë çfarë do të mbulojnë?

– Për aksionerët e tjerë nuk është përcaktuar se çfarë do të mbulojnë. Dihet tashmë se “Turkish Airlines” ka futur avionin, ka futur trajnimin e personelit, ndërsa investitori shqiptar, përveç 82 mijë dollarëve nuk ka futur asnjë gjë tjetër dhe nuk asnjë lloj kapaciteti tjetër, prandaj thashë që ato 82 mijë dollarë mund t’i fusë çdo shqiptar tjetër, si u fut ky person i tillë, kur mund të futeshim të gjithë shqiptarët. Nëse çdo individ do të fuste bono thesari prej 1 eurosh, atëherë do të kishim aksionerë 82 mijë shqiptarë dhe mund të thoshim me të vërtetë që tani kemi një kompani shqiptare. Kjo nuk është një kompani shqiptare. Kemi një kompani pothuajse turke dhe 10 % shteti shqiptar. Edhe zoti Sinan Idrizi është një shtetas me nënshtetësi turke, me kombësi shqiptare.

– Dritan, pyetja më naive që mund të bëhet në këtë intervistë është: Cili është fati i kësaj kompanie që ka kaq shumë dritëhije apo mungesë transparence? Cili është fati i “Air Albania” në rastin që do të fillonte fluturimet këtë vit, duke qenë që se kryeministri herë pas here e ka deklaruar afatin?

– Le ta fillojmë nga fundi i pyetjes. Për të filluar fluturimet këtë vit, është pothuajse e pamundur, për arsye se, aktualisht kompania duhet të marrë licencat dhe vetëm marrja e licencave në autoritetin e aviacionit civil parashikon një periudhë prej 90 ditësh. I bie që nëse e fillon aplikimin tani, ta marrësh këtë licencë në fund të dhjetorit. Për të fluturuar jashtë territorit të Shqipërisë duhet një licencë tjetër, ajo e aviacionit evropian, i cili është një autorizim i fluturimeve për vendet e treta. Ky aplikim bëhet pasi ke marrë licencën kombëtare në vendin tënd. E zëmë se shteti mund t’i përshpejtojë procedurat dhe licenca kombëtare të merret për 1 muaj-1 muaj e gjysmë, pra nëse merret licenca në tetor, aplikimi për licencën ndërkombëtare zgjat nga 3 muaj deri në dy vite. Pra fluturimet në drejtim të Evropës mund të kryhen minimalisht vetëm vitin që vjen. I vetmi fluturim që mund të bëjë qeveria shqiptare me këtë avion është vetëm fluturimi drejt Turqisë, sepse, duke qenë se Turqia nuk është në BE nuk është nevoja për autorizim nga aviacioni Evropian. Por sërish kjo do të jetë e vështirë, pasi aktualisht në Shqipëri ka 4 fluturime në ditë drejt Stambollit dhe nuk dihet sa pasagjerë mund të marrë linja e re e “Air Albania”. Për sa i përket fatit të kompanisë, nëse kjo kompani do të lihet në mbikëqyrjen totale të autoritetit të aviacionit civil, e cila do të zbatojë të gjitha ligjet dhe rregullat e aviacionit kombëtar dhe ndërkombëtar, kompania do të ecë. Por, nëse do të veprojë siç ka vepruar deri tani, duke zbatuar çdo urdhër të kryeministrit pa rekrutimet dhe trajnimet, pa pasur ende një kompani të themeluar, por thjesht se ka thënë kryeministri, atëherë kjo kompani është e destinuar të dështojë.

– Të flasim pak për “Alb Control”. Në intervistat e mëparshme për “Alb Control” ju jeni shprehur se pozicionimi i tij në këtë kompani është jo legjitim. Ku bazoheni?

– Ka një rregullore të Autoritetit të Aviacionit Civil, i cili ndalon “Alb Controlin” të marrë pjesë në shoqëri të tilla ajrore, për arsye se “Alb Controli” është menaxhues i hapësirës ajrore dhe kemi një problem, kompania duhet të fluturojë. Oraret e fluturimit do të paguhen, do të paguhet hapësira ajrore, por kush do ta paguajë? Një pjesë e kësaj pagese i shkon BE-së dhe Euro Control-it. Këtë pagesë e bëjnë të gjithë ortakët, apo e mbulon shteti? Pra, ka paqartësi.

– Për këtë kompani është përfolur se do të jetë një kompani e fluturimeve low cost. Sa është mundësia që shqiptarët të paguajnë më pak?

– Mundësia është, sepse duke qenë një kompani shtetërore, mund të heqësh shumë tarifa të aeroportit, që merren nga shteti, p.sh., një avion me 180 pasagjerë paguan rreth 1500 euro taksë të aeroportit dhe kjo taksë hiqet. Nëse llogarisim një udhëtim për në Stamboll kosto mund të shkojë rreth 42 euro për person.

– Flasim pak për kompaninë “Belle Air”, e cila nuk la një shije të mirë, as tek pasagjerët, as tek buxheti i shtetit. Duke krahasuar procedurat me të cilat “Belle Air” fluturoi dhe procedurat që po hyn në treg “Air Albania”, a duhet të kemi frikë që mund të përsëritet historia?

– “Belle Air” ishte një kompani private, ndërsa kjo është një kompani shtetërore. Belle Air për 7 vite nuk i pagoi shtetit asnjë detyrim financiar, diku tek 54 milionë euro taksa, ndërkohë që deklaronte nga 170-270 milionë euro xhiro në vit. Një kompani që ka rreth 200 milionë euro xhiro në vit dhe nuk paguan taksa dhe pas 7 vitesh shpall falimentimin, ky është një falimentim që nuk ka ardhur rastësisht. Është një falimentim i bërë me zor dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për këtë falimentim dhe për mos pagesën e taksave. Qeveria duhet të ishte palë në gjykatë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve, por nuk e bëri këtë gjë. “Belle Air” funksionoi në mënyrë të rregullt dhe mbulonte gjysmën e tregut prej 2 milionë pasagjerësh në vit me anë të 7 avionëve të saj. Ndërsa kompania “Air Albania” fillon me 1 avion, gjë që është një gjë absurde për arsye se avioni mund të pësojë një defekt, apo ndonjë problem tjetër. Si do të zëvendësohet fluturimi, kur nuk ke një avion tjetër?