Integriteti publik në kuadër të globalizmit

1025
Nga: Irena Islami, KLSH

Një forum i organizuar nga OECD në fund të muajit Mars në Paris diskutoi dhe debatoi lidhur me një temë të rëndësishme dhe aktuale “Integriteti publik, në kuadër të globalizimit: Si të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë?” Integriteti ndikon në krijimin e kushteve të barabarta për biznesin, reduktimin e pabarazive social-ekonomike dhe bërjen e politikave publike më efektive, duke rritur për të gjithë përfitimet nga globalizimi. Për këtë arsye të gjitha qeveritë duhet të bashkëpunojnë për të luftuar korrupsionin dhe praktikat negative në fusha si infrastruktura, tregtia, konkurrenca, zhvillimi i qëndrueshëm, etj. Në këtë drejtim hartimi i një strategji anti-korrupsion është parësor sepse korrupsioni është shqetësimi kryesor i qytetarëve, përpara globalizimit dhe emigracionit. Ky shqetësim i qytetarëve është i justifikuar sepse korrupsioni është fenomeni që po gërryen shoqërinë e sotme. Korrupsion sjell shpërdorimin e burimeve publike, thellon pabarazitë ekonomike dhe sociale, “ushqen” pakënaqësitë popullore dhe sjell humbjen e besimit tek institucionet publike.
Nga disa studime të kryera nga OECD rezulton që korrupsioni “redukton” benefitet e globalizimit:
• Benefitet në kuadër të globalizimit janë të rrezikuara sepse për shkak të korrupsionit deformohet tregu dhe krijohet konkurrencë e pandershme, dekurajohen investimet e huaja direkt dhe dëmtohen politikat publike.
• Investitorët dekurajohen kur korrupsioni prek dhënien e licencave ose të lejeve mjedisore, doganat ose mbrojtjen e pronësisë intelektuale.
• Korrupsioni afekton mirëqenien e qytetarëve dhe shpërndarjen e të ardhurave dhe i dekurajon qytetarët që të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në jetën sociale, ekonomike dhe politike.
• Korrupsioni afekton edhe politikat publike sepse qeveritë humbasin të ardhurat nga taksat e korporatave sepse ato priren ta ushtrojnë aktivitetin e tyre atje ku taksat janë më të ulëta. Përveç kësaj korrupsioni brenda vetë shteteve, sidomos në fushën e prokurimeve publike, zvogëlon efektivitetin e shpenzimeve publike dhe alokimin e burimeve, duke sjellë pabarazi dhe varfëri.
• Një fushë me risk të lartë korrupsioni është infrastruktura : rrugët, hekurudhat, aeroportet, portet dhe infrastruktura digjitale-e cila tërheq investitorët ndërkombëtarë, por projektet infrastrukturore janë shumë vulnerabël karshi korrupsionit, marrëveshjeve të fshehta dhe keq-menaxhimit.
• Një fushë tjetër me risk ku priten globalizmi dhe integriteti është “skllavëria moderne”, e cila përfshin trafikun njerëzor dhe shfrytëzimin e krahut të punës.
Në mënyrë që globalizmi të “fitojë” ndaj korrupsionit nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar, i cili është shumë i rëndësishëm për parandalimin dhe investigimin e korrupsionit, si edhe për ndëshkimin e të korruptuarve. Duke iu referuar çështjes që u ngrit në fillim të këtij artikulli, mund të themi që globalizimi mund të sjellë më shumë përfitime për qytetarët nëse të gjithë angazhohen në një detyrë me peshë të rënde, që të ketë më shumë etikë në veprimet tona, më shumë përgjegjësi dhe më shumë llogaridhënie, më shumë iniciativa për promovimin e integritetit në veprimet e qeverisë, të transaksioneve të biznesit dhe të shoqërisë në përgjithësi. Krijimi i kushteve për një globalizim të drejtë kërkon vendosmëri, bashkëpunim dhe ndërveprim në të gjithë sektorët. Nëse korrupsioni ka përmasa ndërkombëtare, kjo kërkon një bashkëpunim ndërkombëtar më të fortë, me qëllim përballim e sfidave të integritetit global në një mënyrë të integruar dhe të koordinuar.
Institucionet Supreme të Auditimit duhet të punojnë dhe të ndërmarrin hapat e duhur që të mund të kontribuojnë që integriteti publik të jetë në shërbim të mirëqenies së qytetarëve dhe të jetë në shërbim të mbrojtjes së interesit të tyre.
Në këtë drejtim, nëse i referohemi Kontrollit të Lartë të Shtetit do të konstatojmë që qysh nga viti 2013 në vazhdim, KLSH ka pasur një vizion të ri, me qëllim modernizimin e institucionit, duke synuar instalimin e një sistemi efektiv të integritetit: 
• Në fokus të politikave të ndjekura nga menaxhimi është pasur parasysh që masat e ndërmarra për instalimin e një sistemi efektiv të integritetit të jenë të vazhdueshme, pjesë e menaxhimit të përditshëm të institucionit të KLSH-së dhe jo politika të përkohshme, me impakt krijimin e një ambienti jo korruptiv dhe implementimin e një kulture etike dhe me integritet. 
• KLSH i është bashkuar iniciativës së ndërmarrë nga Gjykata Holandeze e Auditimit për kryerjen e vetëvlerësimit të integritetit, i cili synon në testimin e sistemit të integritetit, evidentimin e fushave vulnerabël dhe me risk si dhe hartimin e planit të masave që do të merren për forcimin e sistemit të etikës si dhe përmirësimin e menaxhimit të integritetit në institucion. Një nga metodat inovative, në funksion të fuqizimit të sistemit të integritetit është dhe metoda INTOSAINT (Integrity Self Assesment INTOSAI).
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka aplikuar këtë instrument të vetëvlerësimit të integritetit për herë të parë të plotë në vitin 2014.
• Gjatë vitit 2013, KLSH u pranua anëtare e Task Forcës së Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI) “Mbi auditimin e etikës” dhe ka pasur rolin e tij aktiv në këtë Task Force.
• Në KLSH është miratuar një strukture e veçantë, Sektori i Etikes dhe Integritetit. Nëpërmjet krijimit të këtij sektori, KLSH avancoi duke emëruar si pjesë të strukturës organizative “Komisionin e integritetit“, i cili ndër të tjera ka përgjegjësi si strategjike dhe menaxheriale për sa i përket integritetit.
• Në Rregulloren e brendshme të organizimit dhe funksionimit të institucionit janë sanksionuar procedura, të cilat tentojnë konsolidimin dhe forcimin e sistemit të kontrollit të integritetit të punonjësve gjatë veprimtarisë audituese.
• Kodi Etik i KLSH-së. Bazuar në kërkesat e ISSAI 30, KLSH ka hartuar, disponon dhe zhvillon një Kod Profesional të Etikës. 
• Në zbatim të ISSAI 20: “Parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, KLSH ka synuar që nëpërmjet transparencës së veprimtarisë së aktivitetit institucional të sigurojë dhe ti japë publikut një garanci dhe një transparencë të plotë në lidhje me menaxhimin e sistemit të integritetit në KLSH. Këtij qëllimi i kanë shërbyer publikimet në internet të raporteve të performancës institucionale, publikimit të analizave vjetore dhe periodike të veprimtarisë së KLSH-së, etj.
Si përfundim mund të themi që KLSH është bashkuar me tendencën e SAI-ve evropiane dhe ka ngritur strukturën e tij etike, ka Kodin e tij të Etikës, po bashkëpunon me shoqërinë civile, po bën gjithnjë e më shumë transparente veprimtarinë e tij, po menaxhon konfliktin e interesit nëpërmjet deklarimeve periodike, po drejton nëpërmjet shembullit të Drejtuesve të Lartë, duke vlerësuar maksimalisht sjelljen etike dhe integritetin e audituesve të jashtëm publikë. 
Sigal