INFOÇIP: KLD të hapet ndaj publikut. Vendimmarrja hermetike përkeqëson më tej pozitat e gjyqësorit

453
Sigal

Qendra për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP, po ndjek me shqetësim dinamikën konfliktuale në rritje mes KLD dhe Ministrisë së Drejtësisë. Shqetësim në këtë rast nuk është konflikti institucional apo debati mes KLD dhe MD (përkundrazi, debati është veçse i shëndetshëm), por mbajtja e tij e mbyllur dhe larg vëmendjes së publikut.  Korrupsioni në drejtësi dhe masat për ta çmontuar atë nuk mund të trajtohet si një çështje e brendshme e KLD. Kjo është një çështje e të gjithë shqiptarëve. Çështjet e diskutuar në mbledhjen e KLD-së ishin me interes të jashtëzakonshëm publik, e megjithatë shqiptarët u lanë në terr informativ nga KLD. Edhe vetë trupa gjyqësore e RSH nuk di më shume se sa shqiptarët e thjeshte sot lidhur me vendimet që KLD mori në emër të tyre. Interesi i trupës gjyqësore dhe i gjithë qytetarëve shqiptarë nuk mund “të kënaqet” me deklarata për shtyp, por duke i lejuar ata të jenë vetë dëshmitarë okularë të diskutimeve në KLD.  Hapja e mbledhjeve ndaj medias dhe publikut është në interesin më të mirë edhe të vetë KLD. Nëse debatet zhvillohen në sytë e publikut ato nuk lënë shteg për teori konspiracioni, si ajo që serviri para opinion publik KLD përmes zëdhënësit. Transparenca është aleati më i mirë i çdo vendimmarrësi publik. Hapja e vendimmarrjes, sidomos kur ajo është kritike ndaj vetvetes, dhe jo mbyllja e saj, është kusht që publiku të prodhojë besim ndaj KLD, kurse vetë kjo e fundit të vuajë më pak paranojën për komplote, fusha denigrimi, agjitacion dhe propagandë që “inskenohen” kundër saj. Paranoja ndaj “rrezikut të jashtëm” është tipar i strukturave të mbyllura. KLD duhet të zgjedhë njëherë e mirë të jetë një strukture e hapur, pasi vetëm kështu ajo mund të kërkojë dhe të pretendojë mbështetjen e publikut në realizimin e misionit të saj ligjor.  Hermetizmi e dëmton KLD-në edhe në raportet e saj me faktorin ndërkombëtar, i cili, ndoshta për këtë arsye, në vlerësimet që harton manifeston paqartësi serioze, si në kuptimin e rolit ligjor të KLD ashtu edhe të përgjegjësisë së kësaj të fundit lidhur me korrupsionin shumë të shprehur në radhët e gjyqësorit. INFOCIP konstaton se, ligji nuk detyron në asnjë rrethanë KLD-në të zhvillojë mbledhje të mbyllura. Edhe praktika e derisotme (Rasti Rusmali vs. Gjermeni, apo të tjera) ofron modele të suksesshme të hapjes së vendimmarrjes nga KLD.  INFOCIP fton KLD-në ta zhvillojë të hapur për median dhe për publikun mbledhjen e saj të radhës. Prania e vëzhguesve të akredituar në çdo mbledhje të KLD-së nga aktorë të shoqërisë civile të konsiderohet si një opsion alternative. Në të kundërt, pozitat e saj në sytë e publikut do të rëndoheshin edhe më shumë. Shqiptarët e kanë mësuar në këto vjet se aty ku nuk futen rrezet e transparencës, mbin myku i korrupsionit.