I jepet lamtumira si “Dëshmor i Atdheut” Shefit të Policisë

897
Sigal

RA NË KRYE TË DETYRËS/ Komisari Musa Skura u nderua dhe u përcoll me nderime

I mbuluar me Flamurin Kuq e Zi dhe nën ekzekutimin e Himnit Kombëtar, trupi i “Dëshmorit të Atdheut” Musa Skura, u preh dje në Varrezat e Dëshmore të Kombit, në Tiranë. Në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, ditën e djeshme nga ora 11:30-13:00, janë zhvilluar homazhe në nderim të Dëshmorit Musa Skura. Nën muzikën funebre, përfaqësues të lartë të Shtetit dhe Qeverisë shqiptare, drejtues dhe punonjës të Policisë së Shtetit, kolegë dhe miq të të ndjerit, të afërm dhe bashkëqytetarë të tij, i kanë bërë nderimet e fundit efektivit, i cili dha jetën në shërbim të komunitetit. “Komisar Musa Skura ishte njëri  nga komisarët më të shkëlqyer, më trima, më të vendosur  të Policisë së Shtetit. Ai ishte një qytetar shembullor, një prind i shkëlqyer dhe me rënien e tij në krye të detyrës, lë një boshllëk të madh në familjen e tij, në zemrat e miqve të tij, efektivëve të Policisë së Shtetit dhe të gjithë punonjësve dhe qytetarëve të vendit. Shembulli, sakrifica sublime e komisar Musa Skurës, burrëria e tij, guximi i madh do të jenë një frymëzim, sikundër edhe qindra shokëve të tjerë të tij, që ranë për tu bërë të pavdekshëm për të garantuar jetën, pronën, rendin dhe qetësinë”- u shpreh Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha pas zhvillimit të homazheve. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit Dëshmorit të Atdheut Musa Skura, kryen homazhe Kryetarja e Kuvendit zj. Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Brendshëm z. Flamur Noka, Ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, Avokati i Popullit z. Igli Totozani, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të ICITAP, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të artit, kolegë, familjarë dhe të afërmit, etj..

Titulli “Dëshmor i Atdheut”

Pas kryerjes së ceremonisë së homazheve trupi i Dëshmorit të Atdheut u përcoll në drejtim të varrezave të Dëshmorëve të Kombit. Statusi i Dëshmorit të Atdheut të Musa Skurës, iu dorëzua djalit të të ndjerit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Hysni Burgaj, gjatë zhvillimit të ceremonisë së varrimit.  “Komisar Musa Skura është shquar për cilësitë dhe virtytet e njeriut të ndershëm, me plot kurajë dhe shpirt sakrifice, që në çdo moment të karrierës së tij punoi me përkushtim ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe profesionalizëm në shërbim të qytetarëve, duke fituar dhe gëzuar mirënjohjen dhe respektin e të gjithëve”- tha në fjalën e rastit Drejtori i Policisë i Qarkut Dibër Drejtues i Parë Izet Hysa. Duke iu referuar karrierës 28 vjeçare në strukturat e Policisë së Shtetit të Dëshmorit të Atdheut Musa Skura, z. Hysa theksoi se në asnjë moment ai nuk reshti së punuari për më shumë rend e siguri, deri sa dora e krimit e goditi rëndë atë, pikërisht në ditëlindjen e 100 të Policisë së Shtetit, duke e kthyer në simbol të gjithë sakrificës së brezave në organizatën e policisë për një Shqipëri Evropiane, për një shtet ku sundon ligji, rregulli dhe liria. “Na la krenarinë” – këto ishin fjalët e vëllait të Dëshmorit të Atdheut Musa Skura, para se trupi i tij të vendosej përgjithmonë në banesën e fundit. Pranë varrit të Dëshmorit të Atdheut Musa Skura vendosën kurora ministri i Brendshëm z. Flamur Noka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Hysni Burgaj, familjarë dhe të afër. Trupi i Dëshmorit të Atdheut Musa Skura, i cili ndërroi jetë në një spital të Foxhia, Itali, ku ishte dërguar për një kurim më të specializuar, mbërriti dje rreth orës 10:00 në Portin e Durrësit, ku më pas i shoqëruar një eskortë policie u vendos në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, ku u kryen edhe homazhet.