Hekuri kinez gropos tregun shqiptar

532
Katastrofa që ndodhi disa ditë më parë në Itali, me rrafshimin e një qendre të banuar dhe me afro 300 viktima që zunë gërmadhat e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti, duhet vënë “vath në vesh” prej institucioneve vendim-marrëse, ligj-zbatuese e ligj-kontrolluese shqiptare të sektorit të ndërtimeve publike, sidomos të banesave ku njerëzit gjenden 24 orë! E kemi fjalën për cilësinë e hekurit dhe çimentos me të cilët vazhdojnë e bëhen ndërtimet në Shqipëri! Çfarë po vazhdon të ndodh? ka mungesë të plotë kontrolli. Eshtë denoncuar shpesh në “Telegraf”, është konstatuar nga shërbimi i krimit ekonomik e financiar dhe institucionet e kontrollit të standardeve të lëndëve të ndërtimit në Ministrinë e Transporteve, që firma “Kurum” jo vetëm ka prodhuar e importuar, por edhe po prodhon e po importon hekur jashtë standardeve të sigurisë, pra pa cilësinë e përcaktuar për t’u përdorur në ndërtime publike si banesa, shkolla, kopshte e çerdhe fëmijësh, institucione, qendra sociale, kulturore, qendra tregtare etj., ku jetojnë, punojnë e argëtohen mijëra njerëz! 

Ky hekur që ka prodhuar “Kurum” dhe që ka shitur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit, sidomos në Kosovë, ka rezultuar jashtë standardit. Mirëpo skandali prej firmës turke “Kurum” po vazhdon pa asnjë shqetësim, madje edhe “në sy” të institucioneve të shtetit, të cilët kalojnë nga 3-4 herë në ditë në portën e “Kurum” që gjendet në hyrje të “portës” së Elbasanit. Firma “Kurum”, vazhdon të grumbulloj e të shkrijë skrap në Elbasan e të prodhoj hekur, ndërkohë që në datën 26 shkurt 2016, nëpërmjet një kërkese drejtuar Gjykatës së Tiranës dhe organeve zyrtare të licencimit, “Kurum” ka bërë “Kërkesë për falimentim të aktivitetit në Shqipëri”, kjo për shkak të borxhit 170 milionë euro ndaj kontraktorëve, por edhe të detyrimeve të tjera fiskale ndaj shtetit e ndaj bankave me vlerë 800 milionë euro, të cilat janë borxhe ndaj firmave kontraktuese, bashkëpunuese, borxhlinjve ilegalë që u ka marrë miliarda me fajde, gjoba mjedisore e tatimore, pagesa të pashlyera uji e sidomos energjie elektrike, që vetëm konsum real pa kamatë-vonesat kapin vlerën 1.6 milionë euro, 751 milionë nga të cilat po i kërkohen me proces gjyqësor nga shteti shqiptar! E megjithëse “Kurum”, ligjërisht figuron i mbyllur si aktivitet biznesi për shkak të falimentimit ligjor të kërkuar prej tij, ai po vazhdon prodhimin e hekurit. E jo vetëm kaq por edhe po bënë një lojë tjetër abuzive me krim ekonomik-financiar e fiskal, deri me falsifikim marke prodhimi. “Kurum” po ndërron etiketat e hekurit të importit, duke vendosur etiketat si prodhim tij në Shqipëri! 

Sipas një informacioni të ardhur në redaksinë e gazetës “Telegraf”, thuhet se firma “Kurum” nuk e ka ndalur prodhimin edhe pas falimentimit ligjor. Përveç kësaj, në informacion faktohet me pamje konkrete edhe skandali i falsifikimit të markave të huaja të hekurit që importohen në Shqipëri! Konkretisht, referuar pamjeve të fiksuara në magazinat dhe mjediset e hapura të “Kurum” në Elbasan, Tiranë e Durrës, rezulton se firma “turke e falimentuar “Kurum”, importon hekur nga Kina dhe e fut në treg me markën “Kurum-Albania”. Në fakt, hekuri që “Kurum” ka hedhur dhe po vazhdon të hedh në treg është hekur e çelik prodhim kinez, i blerë nga “Kurum”. Çfarë ndodh? Pasi hekuri prodhim kinez futet në Shqipëri me etiketë dhe certifikatë prodhimi origjine “Made in-Kina”, firma “Kurum” i heq etiketën e firmës prodhuese kineze dhe i ngjit etiketën e saj “Kurum made in Albania”, me të cilën e hedh në treg si prodhim të saj! Gazeta “Telegraf” disponon dhe publikon sot disa nga pamjet konkrete të këtij falsifikimi, madje edhe pamje të etiketave të hequra e të djegura prej hekurit kinez, të cilin firma “Kurum” e shet si prodhim të vetin. Këtë abuzim, “Kurum” e bëri edhe me hekurin turk që eksportonte në Kosovë, duke e paraqitur si prodhim me markën e tij shqiptare të Elbasanit, mashtrim dhe krim për të cilin u zbulua dhe u ndëshkua nga dogana dhe nga drejtësia kosovare, me gjobë financiare dhe bllokim të eksporteve në Kosovë! Kështu veproi edhe në datën 28 shtator 2013, kur në Portin e Durrësit futi 2 dy anije të huaja që synonte t’i përdorte për skrap, njëra prej të cilave quhej “Tabakosky”, të cilat u bllokuan e u sekuestruan nga Policia e Shtetit dhe prokuroria e gjykata, por që “çuditërisht”… bosi turk i firmës “Kurum”, nuk u prek nga ligji për këtë krim ekonomik-financiar ndërkombëtar! Këtë krim ekonomik-financiar, firma “Kurum” po e vazhdon me falsifikimin e etiketës shoqëruese të hekurit me markë “prodhim kinez”, të cilin ajo e fut në tregun shqiptar për ndërtime pa asnjë kontroll, por vetëm me certifikatën false të markës së paligjshme “Kurum-Albania”. Institucionet ligjore të Shtetit Shqiptar që shikojnë “tymin” që vazhdon e nxjerr “Kurum” prej oxhaqeve të uzinave metalurgjike në Elbasan, doganat që e lejojnë të importoj hekur e skrap edhe pse është firmë e falimentuar, tatimet dhe sigurimet shoqërore që nuk veprojnë kur kjo firmë ushtron aktivitet pa licencë, Ministria e Mjedisit, Ministria e Punës, Ministria Ndërtimit, Instituti i Studimeve të Ndërtimeve dhe për më tepër shërbimi i anti-krimit ekonomik-financiar, duhet të veprojnë urgjentisht për të ndalur këtë skandal me kontrollin e futur në treg pa asnjë kontroll dhe me markë false, që mund “t’i dëgjohet krisma” në ndonjë rast tërmeti si në Itali, që nuk e dëshirojmë…!