Greqia “shkarkon” 8 mijë refugjatë në kufirin shqiptar

567
Shqipëria edhe pse është vënë në alarm dhe po përbetohet përballë BE e botës se nuk ka asnjë fuqi të pranojë e të trajtoj refugjatë sirianë, irakianë e të çdo kombësie që vijnë nga veriu i Greqisë, nuk i ka shpëtuar dot mësymjes së refugjatëve, të cilët të lodhur e rraskapitur, duket se kanë vendosur të “shqyejnë” çdo vijë kufitare që u del përpara, për të marshuar drejt vendeve të BE. Informacione të shumta kanë ardhur dje në redaksinë e gazetës “Telegraf”, që konfirmojnë se shteti Grek është dorëzuar përballë fluksit të madh të refugjatëve dhe ka vendosur të bëjë një zgjedhje tjetër, për ta hequr “sikletin” nga vetja. Të gjendur përballë kufirit të bllokuar të maqedonas, në pamundësi për të bindur turqit që të mbajnë refugjatët, grekët e futur në alarm prej “pushtimit” masiv nga refugjatët e uritur e të acaruar, kanë vendosur të bëjnë një zgjidhje tjetër e cila u duket më e lehtë për t’u realizuar e me më pak probleme diplomatike ndërshtetërore.
 Duke ditur se Shqipëria nuk ka as këllqe për të strehuar, kontrolluar e ushqyer refugjatët e shumtë të këtyre ditëve dhe as “zë” për t’iu kundërvënë Greqisë as me nota proteste, grekët kanë nisur dje në mesnatë evadimin e refugjatëve drejt kufirit tokësor shqiptar, që nga pika ku ndahet me Maqedoninë e deri në Qafë-Botë. Pasi u ka mbushur barkun e çantat me bukë dhe ujë, Greqia ka hapur në për automjete refugjatët që kanë zaptuar edhe lulishtet e trotuaret e qyteteve të saj kryesore dhe po i transporton ata drejt kufirit me Shqipërinë. Nëse deri dy ditë më parë, refugjatët kishin arritur afro 40 kilometër pranë kufirit shqiptar, dje në mesnatë janë “ngarkuar”, janë transportuar e janë shkarkuar vetëm 3-4 kilometër pranë kufirit me Shqipërinë. Ndërsa për Grekët kjo masë është marrë si mundësi shpëtimi, për emigrantët është një shteg kalimi drejt vendeve të BE. Kujtojmë, që po dje paradite, Mali i Zi që ka rënë dakord me BE për të përfituar lehtësi integrimi, ka ngritur kampet për refugjatët që pret të kalojnë në tokën malazeze. Ndërkohë shteti shqiptar nuk ka bërë asnjë përgatitje edhe pse e di mirë, që për të shkuar në Malin e Zi, duhet kaluar nga territori shqiptar. Ndaj Greqia e cila duket se ka biseduar dhe ka rënë dakord me shtetet “komando” të BE, që prej mesnatës së djeshme ka nisur e po bënë transportimin e refugjatëve drejt kufirit të blertë shqiptar. Ka pasur dhe ka sinjale, se në rast refuzimi të hapjes së kufirit prej Shqipërisë, thuhet se Greqia do t’i shtyjë” turmat e refugjatëve forcërisht drejt territorit shqiptar, por edhe mund të ngarkoj anije nga Korfuzi dhe t’i lëshojë ata me barka në kufirin detar shqiptar. 
Gjithsesi, këto janë variante që Greqia nuk i ka hartuar me mendjen e vet, por në bashkëveprim me vendet që komandojnë dhe drejtojnë BE, sidomos në këtë kohë krize edhe për vetë këto shtete. Ajo që dihet saktësisht, bërë e ditur nga burimet e gazetës “Telegraf” brenda Drejtorisë së Kufirit Jugor të Shqipërisë Sarandë-Gjirokastër-Korçë është informacioni, se Shërbimi Kufitar në këtë vijë territori ka marrë “urdhër sekret”, për të kaluar në gatishmëri “EXTRA”, me objekt mbrojtjen e 4 Pikave të Kalimit Kufitar në Kakavijë, Kapshticë, Tre-Urat e Qafë-Botë, por edhe të kufirit detar, në rast të mësymjeve të pa kontrolluara e pse jo edhe të dhunshme të kalimit të refugjatëve. Shërbimi kufitar ushtarak e policor dhe shërbimi informativ, janë porositur që për të mos pasur probleme me pikat e kalimit të kufirit, të spostojnë drejtimin dhe lejimin e hyrjes së refugjatëve në “shtigjet” e kalueshme të vijës së blertë kufitare, duke u sjell gjoja sikur “humbet kontrolli mbi menaxhimin e kufirit”. Po kështu, bashkitë dhe policia e rendit në zonat e banimit përgjatë e në thellësi të territorit nga brenda kufirit shqiptar, janë porositur të marrin masa për grumbullimin e refugjatëve në qendra banimi të paracaktuara, ose në zona të lira pa banorë, ku do t’u jepet një ushqim minimal dhe mundësi strehimi sipas kushteve rrethanore, apo ndihmave që mund të japin banorët e zonave si bamirësi. Ndërkohë, kujtojmë që banorët e zonave ku do të “dislokohen” refugjatët, janë porositur ët qëndrojnë larg kontaktit me ta. Qëndrimi i Greqisë, duket se është një hap i detyrueshëm, i diktuar prej bllokazhit maqedonas ndaj refugjatëve. Ndërkohë që Shqipëria, me hapjen e heshtur të kufirit tokësor me “mbyllje të syve”, po tregon se po vepron me refugjatët sirianë e irakianë, siç veproi Greqia në vitin 1991 me refugjatët shqiptarë, duke “mbyllur sytë” e duke hapur kufirin, për t’i lënë të lirë të kalonin “përrenjve” e maleve përgjatë vijës kufitare. Sipas informacioneve, deri dje pas mesnate Greqia ka transportuar e “shkarkuar” në “buzë” të kufirit shqiptar afro 8 mijë refugjatë, pa llogaritur ata që janë nisur “privatisht” grupe-grupe drejt Shqipërisë!

Sigal