Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme mbrëmjen e sotme në Gjirokastër, ku është parë një sasi e madhe uji e grumbulluar në hyrje të qytetit. Uji ka mbuluar rrugën duke vështirësuar qarkullimin e njerëzve dhe makinave. Pika më e ulët e qytetit aty ku preket me shtratin e lumit Drino, është përmbytur.

Ura e Lumit, u përmbyt si pasojë e furisë së shirave që u grumbulluan në pjesën fundore të qytetit duke bërë të mundur bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve dhe rrjedhimisht edhe të aksit nacional Gjirokastër – Kakavije.

Menjëherë forcat e Policisë së Qarkullimit Rrugor, kanë marrë situatën nën kontroll duke menaxhuar lëvizjet në të dy drejtime, veri-jug. Ndërkohë që edhe punonjësit e Agjencisë së Shërbimeve Publike në Bashki, kanë ndërhyrë duke zhbllokuar pusetat e ujërave të bardha të cilat ishin bllokuar si pasojë e depërtimit të inerteve dhe lëndëve të tjera.

Pas 60 minutash, situata u normalizua. Koha e keqe pritet të vazhdojë në Gjirokastër edhe përgjatë 24 orëve të ardhshme.