Gjergji Robo: Ndryshim cilësor në shërbimin ndaj qytetarëve

193
Në këto kohë të trazuara, ku politika dhe shumica e institucioneve po konsumojnë më shumë kohë në debate për miratimin e reformës në drejtësi, në Vlorë, në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t, puna vazhdon pa ndërprerje dhe me ritme të larta. Të gjithë punonjësit janë në punë dhe në shërbim të qytetarëve, shqyrtimit të dosjeve, matjeve në terren dhe bashkërendimit të punëve me institucione të tjera. Në bisedë me drejtorin e këtij institucioni, ing. dhe njëkohësisht juristin, Gjergji Robo, mëson për rritje nga muaji në muaj, të numrit të lejeve të legalizimit. Kështu për periudhën nëntor 2015-qershor 2016, ndërsa plani ka qenë për realizimin e 200 legalizimeve, ai jo vetëm që është realizuar por edhe është kaluar si numër. Në përqindje për muajin prill 2016 – 115%, për muajin maj dhe qershor 2016 është realizuar në masën 125%. Ritmet janë shumë të larta, po t’i krahasosh me vite të kaluara, ku që nga viti 2006 kur është miratuar ligji për legalizimet e deri në nëntor 2015, ky institucion ka legalizuar 2600 ndërtime nga 22 mijë ndërtime ose 9% të numrit të përgjithshëm. Vetëm në vitin 2014, ky institucion ka legalizuar vetëm 94 objekte gjatë gjithë vitit, ndërsa sot, legalizohen 250 objekte vetëm në një muaj. Drejtori Robo, thotë se ky ndryshim cilësor në shërbimin ndaj qytetarëve, është arritur nëpërmjet organizimit dhe disiplinimit të administratës, ku secili punonjësi i vlerësohet puna nëpërmjet normës së caktuar që në fillim të muajit. Faktor tjetër pozitiv është edhe përmirësimi në vazhdimësi i ligjit për legalizimet, si një premtim i mbajtur i qeverisë Rama, ku tashmë punohet me zona, me blloqe kadastrale, duke i shërbyer çdo qytetari, ku përparësi kanë njerëzit me probleme shëndetësore, që përfitojnë lehtësira nga ligjet e shtetit. 
Bashkëpunimi me zyrat e Hipotekës
Drejtori i ALUIZNI-t, Robo ka vlerësuar bashkëpunimin me bashkinë e Vlorës dhe Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nga rritja e numrit të legalizimeve, përfiton edhe bashkia e Vlorës, një fond mujor, i cili arrin deri në 3 milion lekë të rinj, të cilat nëse menaxhohen me kujdes, shprehet Robo, mund të përdoren për ato investime që kanë më të nevojshme qytetarët, si p.sh.vendosjen e semaforëve, ku në Vlorë nuk ka as edhe një të tillë. Nisur nga puna e mirë që po bën ALUIZNI i Vlorës, ku nga 94 legalizime që kryheshin në një vit, tashmë kryhen 250 në muaj, drejtoria e përgjithshme e ka rritur planin për drejtorinë e Vlorës, e cila duhet të realizojë tashmë 400 legalizme në muaj. Me këto ritme, shprehet drejtori Robo, është e mundshme që i gjithë procesi i legalizimeve në Vlorë të përfundojë në një hark kohor prej tre vitesh dhe se kjo do të jetë sfida e tij e nisur, për t’i ndryshuar imazhin këtij institucioni, i cili vazhdimisht është evidentuar problematik në vitet e kaluara, duke përfshirë edhe gjetjen e inxhinierëve të duhur e specialistë, për të cilët duhet pranuar se janë me pakicë.
Ergys Alushi