Gënjeshtra prej tetë vitesh, në liqenin e Ohrit, akoma nuk është vendosur trageti Pogradec – Ohër

123
Bardhyl BERBERI 

Kryetari i Strugës rikthehet për një mandate të ri 
Kryetari i komunës së Strugës Ramiz Merko, i cili para pak ditësh i rikthehet postit të kryetarit të komunës së Strugës, ekskluzivisht për gazetën “ Telegraf “ na dha këtë intervistë. Ai vjen pas një pauze katër-vjeçare, një mandati që komuna dhe Struga u drejtua nga Ziadin Sela.
Z Ramiz, ju herën e parë qëndruat tetë vjet në krye të qytetit tuaj dhe e mbyllët mandatin pa realizuar premtimin së bashku me dy homologët tuaj; atë të Pogradecit, Artan Shkëmbin dhe atë të Ohrit, Aleksandër Petrevski. Nuk mbajtët premtimin për vendosjen e një trageti, kur ky ka ekzistuar që nga vitin ’1930.

Po është shumë e vërtetë, prej tetë vjetësh ka mbetur në letër një marrëveshje midis Maqedonisë dhe Shqipërisë për vendosjen në liqenin e Ohrit të një trageti pasagjerësh Ohër -_Pogradec dhe anasjelltas. Madje shteti maqedonas prej më shumë se një vit përpara e ka ratifikuar këtë marrëveshje dy palëshe edhe në parlamentin Maqedonas ku u gjend mirëkuptim i plotë nga të gjithë deputetët dhe u miratua. Por ky projekt mbeti i harruar nëpër dosje dhe kjo marrëveshje duhej të përtërihet edhe një herë nga fillimi pasi i kishte skaduar afati gjë, e cila nuk u bë dhe ngeli si ëndrra e një nate vere.
Kur ju nuk ishit kryetar komune, para tre vjetësh u bë një ceremoni show duke u derdhur shampanja lumë midis ministrave respektivë, drejtuesve të Bashkive dhe trageti vetëm u duk nja dy herë sa për spektakël, po nuk është parë më, si do ta komentonit një spektakël të tillë? 
Ishte vërtet diçka qesharake ai përurim fals dhe trageti nuk u duk në horizont, por aty kishte një hile që u vendos në letra trageti vetëm për linjën Ohër –Pogradec duke anashkaluar Strugën. Kjo ishte një padrejtësi, të linje Strugën jashtë këtij komunikimi me traget.
Çfarë avantazhesh do të sillte vendosja e këtij trageti?
Ishin të gjitha mundësitë që të dyja vendet tona të lidhen edhe me linjën ujore nëpërmjet liqenit, e cila do të sillte padyshim një shkëmbim të madh, në radhë të parë turistësh, por pse jo dhe shkëmbime bujqësore e blegtorale nga Ohri në Pogradec dhe në Strugë . Trageti ishte një mundësi më tepër për shtimin e vizitave të ndërsjella nga të dyja anët e liqenit edhe nga popullsia e dy vendeve tona. Në Strugë dhe në Ohër çdo verë vijnë pushojnë, në çdo 15 ditësh rreth 100 mijë turistë të huaj. Pa dyshim i gjithë ky fluks turistësh që vijnë deri në manastirin e Shën Naumit nëpërmjet tragetit do të jenë vizitorë edhe në brigjet e Pogradecit, çka do të sjellë rritjen e fluksit turistik. Por edhe pushuesit dhe turistët e shumtë që pushojnë në Pogradec do ta kenë një variacion më tepër për vakancën e tyre udhëtimin me traget në qytetin e Ohrit dhe të Strugës. Kjo padyshim do të sillte një zhvillim të ndërsjellë turistik .
Z Ramiz, mos ka të bëjë kjo me kushtet teknike të vendit të ankorimit të trageteve?
Jo, përkundrazi Ohri dhe Struga e kanë molin, po kështu edhe pala shqiptare e ka krijuar molin dhe sportelin e doganës. Tek moli i qytetit të Pogradecit ishte krijuar portali ku do të ankorohej trageti kur vjen nga Ohri dhe Struga. 

Para disa vitesh, ish-kryetari Artan Shkëmbi i Pogradecit, Aleksandër Petrevski i Ohrit dhe ju zoti Ramiz Merko i Strugës morët një vendim për të sfiduar dy qeveritë respektive, ç’ndodhi me të? 
Po, por të lodhur nga kjo zvarritje morëm një vendim që të tre kryetarët e Bashkive me administratën përkatëse dhe me gazetarë rajonalë nga dy anët e kufirit vendosëm t`i bëjnë një sfidë qeverisë maqedonase dhe asaj shqiptare, duke hipur tragetit në Ohër dhe ai të mbërrijë në Pogradec dhe nga Pogradeci në Strugë duke e shkelur kufirin në mënyrë të paligjshme për të sfiduar këtë absurditet, se edhe peshqit janë të lirë dhe kalojnë nga njëra anë e liqenit në anën tjetër pa kufij, ndërsa midis popujve në dy anët e liqenit na paska kufij ujor!
Por dhe këtë nismë ju nuk e realizuat?
Po është e vërtetë, ne nuk ia bëmë dot këtë sfidë pushtetit qendror dhe, padyshim pas tetë vjet qeverisjeje në komunën e Strugës më ka ngelur peng, që për 8 të vjet i gënjyem popullsinë e rajonit tonë dhe nuk realizuam dot të vendosim një traget që ka ekzistuar në të dy anët e liqenit që në vitet 1930, madje për këtë ka dhe foto të tragetit që funksiononte ato vite te hershme, kurse sot…!

Është një sfidë personale që u rizgjodha pas një pauze përsëri kryetar komune. Së pari, të fus edhe qytetin e Strugës brenda projektit, pasi që është nxjerrë nga kjo skemë dhe trageti të kalojë edhe nëpër ujërat e Strugës dhe të transportojë pasagjerë dhe turistë në dy anët e liqenit për vlerat që thamë .më sipër, por jo për spektakël siç u realizua para tre vjetësh, por të jetë një linjë serioze dhe e përhershme.