Flet kushëriri i autorit të 6 të grabitjes në Rinas: Përse më befasoi djali i xhaxhait

55
“Nuk kam asnjë informacion se ku mund të ndodhet Jetmiri. Se kam takuar që në muajin dhjetor”. Kështu deklaroi Qerim Çerpja, kushëriri i parë i autorit të 6-të të grabitjes së Rinasit, Jetmir Çerpja, (Admir Çerpja sipas policisë) i cili është shpallur në kërkim nga policia.
Çerpja thekson se ndihej i befasuar dhe se nuk kishte asnjë ndjeni për veprimtarinë e kushëririt të tij dhe se ky i fundit mund të ketë lidhje me grabitjen e 3.2 milionë dollarëve të bankës BKT më 9 shkurt.
“Jam i befasuar për ngjarjen. Nuk kam dijeni për vendndodhjen e Jetmirit. Nuk di asgjë dhe skam asnjë informacion për veprimtarinë e tij”, mësohet të ketë thënë Qerim Çerpja.
Nga ana tjetër djali i xhaxhait të Jetmir (Admir) Çerpjas pohoi se po të kishte dijeni për vendndodhjen e kushëririt do t’ja bënte të ditur policisë. Ndër të tjera Qerimi akuzoi policinë se gjatë bastisjes së banesës së tij në Zall Dardhë i shkaktoi dëme, duke i thyer derën dhe rrethimin e jashtëm. Çerpja tha se kishte shkuar në prokurori të bënte denoncimin për rastin në fjalë dhe se nuk ia kishin pranuar.
“Nëse do kisha informacion se ku ndodhej Jetimir, do informoja policinë. Policia më bastisi shtëpinë në Zall Dardhë. Më bastisën shtëpinë dhe nuk më dhanë arsye. Policia theu derën dhe rrethimin e jashtëm. Shkova në prokurori, nuk më morën denoncim. Do padis policinë, më shkatërruan shtëpinë”, theksoi Qerim Çerpja.
Ditën e djeshme 4 nga 6 të arrestuarit u vunë në pranga, ndërsa bëhet fjalë për për Neim Avdulajn, Ditjon Memlikajn, Fation Xhyliu si dhe Ernest Kupën. Ndërkohë, në kërkim janë Jetmir (Admir) Çerpja dhe Admir Murataj.