Fillojnë aplikimet për Shkollën e Policisë, procesi i hapur deri më datë 28 shkurt 2014

639
Sigal

Policia e Shtetit bën me dije se kanë filluar aplikimet për Shkollën e policisë. “Të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”, mund të aplikojnë pranë të gjithë Drejtorive të Policisë në Qarqe. Aplikimi është i hapur për të gjithë të interesuarit deri më datë 28.02.2014 dhe formularët e aplikimit mund të tërhiqen pranë çdo Drejtorie Policie në qark”,- bëhet me dije nga Policia e Shtetit.

Kriteret

Kriteret që duhet të përmbushë aplikanti për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme” janë: Të jetë shtetas i Republikës së Shqipërisë. Të ketë zotësi për të vepruar. Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën. Të ketë mbaruar shkollën e mesme. Të japë informacionin e kërkuar në lidhje me punën e tij të mëparshme ose ndonjë çështje tjetër që lidhet me pranimin e tij në shërbimin policor. Të mos jetë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë. Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B. Nuk ka të drejtë të aplikojë për t’u pranuar në polici personi ndaj të cilit është marrë masa disiplinore e përjashtimit nga Policia e Shtetit ose e largimit nga shërbimi civil.

Dokumentacioni

Aplikantët për punonjës policie duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm për aplikim në Polici: Formularin e plotësuar të aplikimit, të përcaktuar nga struktura qendrore e personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Fotokopje të pasaportës ose certifikatë lindjeje me fotografi.

Kopje origjinale ose fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme.

Dëshmi penaliteti.

Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B e cila, për gjininë më pak të përfaqësuar, mund të paraqitet në një afat kohor deri në 12 muaj pas fillimit të shkollës bazë të policisë.