“E kishim lënë për kafe sot rreth orës”, flet mes lotësh Muharrem Hoxha për humbjen e madhe të aktorit

743
Sigal

Një emër i madh i aktrimit u shua sot. Fadil Hasa, “Artisi i Merituar” u shua mëngjesin e sotëm në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.

Muharrem Hoxha, një prej aktorëve të Durrësit e ka të vështirë t’i mbajë lotët. Me zërin që i dridhet, ai shprehet se do të jetë përjetësisht mirënjohës mësuesit të tij, i cili e mori për dore dekada më parë dhe së bashku bënë rrugëtimin e bukur në estradën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.  Muharrem Hoxha ka treguar si e mori vesh lajmin, se një artist i madh, shok i tij u shua nga jeta, duke iu lënë të gjallëve jo vetëm rolet e paharrueshme, por edhe figurën e një prindi shembullor, i cili u bë nënë e babë për të dy vajzat e tij.

Ai që dikur i bënte të qeshnin të gjithë, sot janë të gjithë të mekur dhe të mbushur me lot nga ikja e tij.

“Fadil Hasa u shua sot. Kjo është një humbje e madhe për familjen, gocat, për ne kolegët. (Qan) Më falni po unë e kam pasur si prind.

I pari që më ka nxjerrë në skenë ka qenë Fadil Hasa. Sëmundja nuk pyet. Pardje isha dhe dukej sikur nuk kishte asgjë, duke bërë shaka. Ndërsa, sot në mëngjes më mori vajza e tij dhe më dha lajmin e zi se babai nuk jeton më. Madje, sot në orën 11:00 kisha lënë ta takoja. Por… Ai do të mbetet në zemrën time. Aktor i përmasave të mëdha, mua më ka rritur. Ishte zemërgjerë i përkushtuar.

30 vjet më parë ai humbi gruan dhe iu përkushtua tërësisht vajzave të tij dhe nipërve e mbesave. Iu përkushtua shumë familjes pas humbjes së parakohshme të gruas, duke u bërë edhe nënë edhe babë”, tha mes lotësh aktori Muharrem Hoxha.