“Dimri, qëllimi është të mbajmë rrugët e hapura dhe të kemi nën kontroll lumenjtë”

682
Sigal

Flet për “Telegraf”, Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi: Ja masat e marra për situatat emergjente

Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi në një intervistë për gazetën “Telegraf” flet për masat e marra për të përballuar situatat emergjente që mund të ketë gjatë dimrit Qarku i Elbasanit. Sipas Delialisit zona më problematike mbetet Rrethi i Librazhdit, ku komunat bllokohen çdo vit, si Qarrishta, Komuna Steblevë e Stravaj.

Cilat janë masat e marra për të përballuar problemet situatat e vështira që shkakton dimri?

Moti i keq ka disa ditë që ka përfshirë dhe rajonin tonë, ku Prefektura jonë e Elbasanit ka një terren mjaft malor, ku përfshihet malësia e Elbasanit, Gramshit e Librazhdit. Në këto kushte të shirave të shtuara dhe fillimit të dëborës në këto zona neve i kemi paraprirë situatës duke krijuar shtabin e  emergjencës. Në këto momente që po flasim rrugët nacionale janë të hapura, herë pas herë ka probleme Qafë-Thana nga moti i ftohtë, por është mbajtur nën vrojtim dhe asnjëherë nuk ka patur ndonjë bllokim. Përsa u përket rrugëve rurale edhe ato gjithashtu kanë problem, kemi problem në segmentin e Librazhdit të Komunës Qendër – Rruga e Qarrishtës, ku atje po punohet. Kjo zonë çdo vit është problem, megjithëse vjet patëm një situatë të vështirë dhe të jashtëzakonshme, në territoret që u shpall gjendja e jashtëzakonshme ishte edhe rrethi i Librazhdit, ku ne sapo përfunduam edhe një takim në këtë rreth, për t’i paraprirë dhe situatës në të ardhmen, një situatë që edhe mundet të përkeqësohet.

Cilat janë zonat më problematike?

Sipas informacioneve që kemi dhe nga komunikimet me kryetarin e Komunës së Stëblevës, rruga deri në qendër të komunës është e hapur, nga Qafa e Lunikut deri në Stëbleve e kalueshme me zinxhira. Dimri është i ashpër si në Stravaj, Stëblevës, Sopot etj., dhe prandaj kemi marrë masat për të përballuar ndonjë situatë të vështirë, por dhe vetë populli i ka marrë vetë masat pasi dimri në këto zona është i gjatë, ku edhe vjet ka patur probleme që neve i kaluam me përpjekje të suksesshme. Dhe në takimin me Shtabin e Emergjencave që patëm në Librazhd kishim të gjithë drejtuesit e institucioneve, njësive vendore të 9 komunave dhe dy bashkive si dhe ato të Shëndeti Publik, Drejtorinë e rrugëve. Zyrave arsimore, ushtrisë dhe policisë, ku u diskutuan të gjitha problem dhe u dhanë detyrat për çdo njësi vendore dhe për institucionet që mbulojnë secila.

A janë mjetet e duhura për të përballuara situatën e dimrit në Prefekturën e Elbasanit?

Prefektura e Elbasanit i ka marrë të gjitha masat për ta kaluar këtë situatë. Janë bërë takime me punonjësit e Shëndetit Publik që të jetë shërbimi i duhur i kujdesit shëndetësor, furnizimi me medikamente, është biseduar me rezervat e shtetit për bazën ushqimore e siguruar në rast emergjence, gjithashtu në gatishmëri është edhe ushtria për situatë të jashtëzakonshme, pyjorja gjithashtu. Gjithçka që është e lidhur me emergjencat civile, janë të ngritura në këmbë për ta kaluar sa më lehtë këtë situatë dhe pa problem, duke mbajtur nën kontroll situatën. Shirat që kanë rënë janë të mëdha në lumenjtë që kalojnë në Elbasan, ato mbahen nën vrojtim dhe deri tani nuk kemi patur ndonjë problem, po ashtu edhe rezervuarët, janë nën kontroll, ku është drejtoria përkatëse që merret me këtë problem. Bordi i Kullimit, i cili i ka nën kontroll dhe në vëzhgim të vazhdueshëm, kemi marr masat paraprake që ato të mos shpërthejnë, pra deri tani nuk ka ndonjë problem të veçantë për tu shënuar. Në Prefekturën e Elbasanit, ku momentalisht që po flasim nuk kemi ndonjë gjë të jashtëzakonshme, situatën e kemi nën vëzhgim. Në Gramsh rruga Nacionale është e hapur, ka problem me rrugët rurale, ku ka patur disa shkarje të dherave, ku ka qenë prezentë Drejtoria e Rrugëve Rurale për të eliminuar problemet. Ka patur një shkollë në Gjerë të Gramshit, ku shkolla 9-vjeçare doli jashtë përdorimit, por edhe pushteti vendor bashkë me Drejtorin Rajonale të Arsimit dhe Zyrën Arsimore të Gramshit kanë marrë masat për sigurimin e një lokali provizor për të zgjidhur më pas problemin e një godine  mësimdhënie, shkollë e re.