Dëshmorët e atdheut dhe simbolet e tyre, institucione trimërie dhe qëndrese

923
Në një nga kafenetë tona më të preferuarat në Tiranë gjendem me mikun tim, Rushit Kuçi, me origjinë nga Vëndresha e Tretë e Skraparit, por që prej vitesh banon në kryeqytet. Është njeri mjaft i lexueshëm; shumë i gjendur, por edhe fisnik! Kish lexuar një libër të Izabelë Alendes dhe në bllok kishte mbajtur shënim diçka që i kishte mbetur në mëndje nga ky libër: “Vdekja nuk ekziston, bija ime. Njerëzit vdesin vetëm kur ne i harrojmë. Nëse do të dish të më kujtosh, do të jem gjithmonë me Ty”. Ta kujton këtë shënim të Alendes, kur ti i flet për punën e mirë që ai vazhdon të bëjë si veprimtar shoqëror në shërbim të nderimit të Dëshmorëve të Atdheut. Rushit Kuçi i përket atyre burrave që vuajnë në heshtje, që kanë plagë në zemër dhe buzëqeshje në sy. Ai i përket një familjeje që dha gjithçka për LANÇ, madje xhaxhai i tij, Hazbi Kuçi, luftoi e ra Dëshmor në luftë kundër nazistëve gjermanë në qershor të vitit 1944. Për Rushitin familja shërbeu si një institucion edukimi, burrërimi dhe ndershmërie, derisa u formua si ushtarak e si mësues nëpër shkolla të larta e kurse specializimi. Ai sot është një Kolonel në pension, që ka një barrë të madhe përvoje ushtarake dhe pedagogjike, marrë në të gjitha repartet e Ushtrisë e, sidomos, në ato të radiozbulimit. Është person i nderuar nga shoqëria dhe shteti. Jam gjendur në një veprimtari të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Çepani”, ku iu dorëzua një Çertifikatë Nderi. Aty u shpalosën edhe vlerat e tij morale në dobi të shoqërisë. Fjalët më të bukura artikuluan për të ish kolegët e tij Kiço Mustaqi, Bajram Mane, Eqerem Osmani, Novrus Sako, Ilmi Qazimi etj. Ata vunë në dukje sjelljen e Rushitit – koleg dhe të Rushitit – veprimtar shoqëror. Dikush që e kish parë Rushitin te rruga “Jordan Misja” këtu në kryeqytet, duke pastruar e lyer me bojë një pllakë, ku është shënuar një copëz historie nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, e kish pyetur: mos je gjë familje Dëshmori? Përgjigjen po e japim ne, miqtë e shokët e tij, e japin drejtuesit e Shoqaës të Dëshmorve të Atdheut: “Po, Rushit Kuçi e ka këtë privilegj, sepse xhaxhai i tij, Hazbi Kuçi, ka rënë në luftë, në përpiekje me gjermanët më 24 qershor të vitit 1944. Në datën 24 të këtij muaji u mbushën plot 70 vjet. Dhe ky Dëshmori Hazbi nuk e mori këtë titull të nderuar pse u përlesh me maskat, me trafikantë të drogës dhe as me keqbërës të një shoqërie të degraduar. Sot bëhesh “Dëshmor i Atdheut” vetëm pse e jep jetën në përplasje me kësi bandash. Jo. Hazbi Kuçit ia prenë jetën në mes pushtuesit e huaj, gjermanë. Ja, atje në Duhanas të Beratit, aty ku nazistëve u ish zënë pritë për të mos kaluar drejt Dumresë… Ja pse Rushiti nderohet nga miqtë e vetë, nga farefisi dhe veteranët! Ai është i zgjedhur në Organizatën Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut dhe i dekoruar prej saj. Po ashtu, ai gëzon respektin e komitetit të veteranëve të LANÇ të rrethit të Tiranës, sepse peneli i tij nuk lë që të fshihen shkronjat e mbishkrimeve nëpër simbolet e LANÇ. Ai tregohet i pakursyer kudo nëpër Tiranë, ose fshatrave, ku, së bashku me kushërinjtë e vetë, i meremeton dhe i rishkruan këto simbole me shpenzimet personale, duke u gjendur pranë tyre me automjetin e tij. Njëri i palodhur dhe fjalëpak, Rushit Kuçi është i përveçëm për veprimtari shoqërore. Unë punoj jo për t’i bërë përshtypje botës, shprehet Rushiti, por, përkundrazi, u shërbej të tjerëve për të kënaqur vetveten. Dhe vazhdon: unë veproj për ta jetuar jetën time në atë mënyrë që më bën të jem i lumtur!
Kultura dhe edukata Rushit Kuçit nuk i burojnë nga ndonjë interes vetjak, as nga ndonjë motiv tjetër që mund të lidhet me frikën, por i burojnë vetëm nga shpirti dhe dashuria që ka për njerëzit dhe, sidomos, për ata që lanë kokat maleve tona për një Shqipëri të lirë.
Dëshmorët e Atdheut dhe simbolet e tyre, shprehet miku ynë, Rushit Kuçi, janë institucione trimërie dhe qëndrese. Ne i kujtojmë ata me dhimbje e me respekt. Madje u vendosim edhe lule, kurora lavdie mbi mermerin e tyre të bardhë e të bukur. Lulet vyshken, por respekti për të rënët qëndron përherë i freskët. Respekti për ta qëndron në faktin se sa i përkushtohemi atyre dhe se sa ecim në gjurmët e tyre. Veprimtari shoqëror, Rushit Kuçi, prej vitesh e bën vullnetarisht detyrën e kujdestarit në fushë të historisë së lavdisë. E ka bërë në lapidarin e Pezës, në Mushqeta, nëpër sheshet e Tiranës, në Shënkoll, në Vrap, në Arbanë, në Peqin etj. Rushit Kuçi është burrë shumë i lexueshëm. Tek ai nuk e ke të vështirë të diktosh mirësinë. Te ai kam gjetur një mik që arrij ta lexoj pa shkronja dhe ta kuptoj pa fjalë. Ai vajton në heshtje një vdekje trimash që i ndjek nga mbas pavdekësia. E vret fakti, kur mendon se ndokush e paragjykon si lakmitar lavdie! I lëndon zemrën fakti, kur mendon se ndokush e paragjykon si njëri që lufton për dekorata! Por nuk është kurrsesi kështu. Ka të drejtë gazetari i mirënjohur Dhimitër Shtëmbari, që, teksa bën fjalë për Rushit Kuçin, kujton një thënie të Balzakut të madh: Kush e lyp dekoratën, nuk e meriton atë. Kush e meriton atë, nuk ka pse i nevojitet. Kur mendojmë se sa shumë njerëz vrapojnë si të sëmurë vetëm mbas parasë, ndërkohë që Rushit Kuçi vetëm harxhon nga ai pension modest që ka, natyrshëm na bëhet të shprehemi: miku ynë, Rushit Kuçi, vazhdon të mbjellë vetëm virtyte.
Sigal