BSH, Komisioni i Ekonomisë shkarkon unanimisht Fullanin

574
Sigal

TIRANE –  Me vota unanime  të deputetëve, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka thënë fjalën e tij: Të shkarkohet Ardian Fullani nga posti i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Vendimi i Komisionit të Ekonomisë, vjen pas propozimit që Këshilli Mbikëqyrës i institucionit më të lartë financiar në vend, i bëri Kuvendit për shkarkimin e Fullanit. Ky propozim u diskutua sot në tryezën e Komisionit të Ekonomisë ku u mor dhe vendimi për shkarkimin e Ardian Fullanit, tashmë të arrestuar në lidhje me skandalin e vjedhjes së parave nga thesari i shtetit. “Shkresa e Këshillit Mbikëqyrës që vë në dijeni Kuvendin për shkarkimin e Fullanit, mbështetur në nenin 47, pika 2, gërma c të ligjit për bankën e Shqipërisë. Baza ligjore ka qenë kjo: Motivacioni është “shkelje e etikës në Bankën e Shqipërisë dhe cënimi i thellë i interesave të BSH-së”. Komisioni e ka gjetur në përputhje me ligjin për BSH propozimin e Këshillit dhe e ka miratuar shkarkimin në unanimitet”, u shpreh Brace pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë. Ndërsa sa i përket Inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, e cila gjithashtu është arrestuar nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, Brace tha se komisioni po vijon procedurat për shkarkimin e saj. Ai sqaroi se për këtë vendim Parlamenti nuk ka nevojë për propozim nga Këshilli Mbikëqyrës apo institucione të tjera që lidhen me BSH, për shkak se Inspektori, propozohet, emërohet dhe shkarkohet vetëm nga Kuvendi. Edhe për Golemin, Brace tha se janë gjetur të njëjtat shkelje si Fullani: “Shkelje e rëndë e etikës në BSH dhe cenim i thellë i interesave të BSH”. Relacioni i Komisionit të Ekonomisë dhe vendimi unanim për shkarkimin e Fullanit do t’i paraqiten kryetarit të Komisionit, ndërsa të enjten pritet që ky vendim të votohet përfundimisht nga Parlamenti shqiptar.