Braktisim një aeroport, kërkojmë të ndërtojmë dy të tjerë

717
Riza HOXHA

Që ne shqiptarët për një udhëtim me avion lëmë leshtë e kokës, këtë e dimë të gjithë. E dimë gjithashtu që edhe qeveritë tona kanë vazhduar të qëndrojnë indiferente në lidhje me këtë detaj të jetës sonë. Sepse qeveritarët tanë vetë e kanë zgjidhur problemin duke u paguar nga taksat gjithnjë në rritje të vendosura mbi varfërinë e shqiptarëve. Shqiptarët, pasi votuan masivisht socialistët, presin menjëherë zgjidhjen e problemeve, mes të cilëve edhe uljen e çmimit të biletave të lëvizjes me avion. Vetë kryeministri Edi Rama e ka pranuar problemin. Tarifat e papranueshme të aeroportit të Rinasit, çmimit shumë i ekzagjeruar i biletave të avionëve kanë sjellë që ankesat e qytetarëve të vijnë duke u shtuar”,- pranon kryeministri. Për zgjidhjen e problemit, kryeministri jep një zgjidhje. “Ndërtimi i aeroportit të Vlorës dhe i aeroportit turistik të Sarandës do të mundësojnë uljen e tarifave të papranueshme të aeroportit të Rinasit”,- thotë Kryeministri. T’i besojmë kryeministrit për mundësinë e zgjidhjes së problemit. Vetëm Kryeministri harron se ky vend i vogël dhe më i varfri i Evropës, prej më shumë se 10 vitesh ka ndërtuar një aeroport ndërkombëtar të kategorisë C, për të cilin shteti shpenzon miliona për ta ruajtur, por që ende asnjë ditë nuk është vënë në punë. Dhe aeroporti ndodhet mu në mes të sofrës së shqiptarëve. Prej këtij aeroporti , me automjet Tirana kapet me më pak se 2 orë, ndërsa Prishtina me vetëm një orë. Ndaj është e çuditshme, që Kryeministri zgjidhjen e problemit e gjen në ndërtimin sa më të shpejtë të dy aeroporteve, për të cilat duhen shpenzuar miliona euro, ndërsa çuditërisht vazhdon të mbisundojë heshtja për aeroportin “Khalifa bin Zayed” të Kukësit. Do të ishte qesharake, nëse kjo heshtje ka notat e inatit të qeveritarëve të çuditshëm shqiptarë, inat që ka të bëjë me faktin se shteti shqiptar nuk shpenzoi as në qindarkë për ndërtimin e aeroportit. Nëse nuk shpenzoi asnjë qindarkë, pse të mos e shfrytëzojë për të nxjerrë fitime vetë shteti, por edhe ne, qytetarët më të varfër të Evropës. Tashmë e dinë të gjithë shqiptarët se aeroporti i Kukësit është i harruar, ndërsa shpenzojmë para vetëm për ta ruajtur. Qesharake, por kjo ndodh prej më shumë se 11 vitesh. Aq sa kështu fyejmë edhe miqtë që na dhuruan më shumë se 14 milionë dollar për ndërtimin e tij. Sepse ne e dimë, aeroporti është një dhuratë e EBA-së. Ndaj aeroporti sot mban emrin e presidentit të EBA – së “Khalifa bin Zayed”. Sepse ishte vetë Presidenti që u bë shkak i ndërtimit të tij përmes një fondi falas prej më shumë se 14 milionë dollarësh. Presidenti i EBA-së ndërroi jetë pa e parë aeroportin që sot mban emrin e tij. Aeroporti u ndërtua në afërsi të qytetit të Kukësit, të qytetit, kandidat për çmimin Nobel të Paqes në vitin 2000 për çfarë bënë banorët e tij me mikpritjen që çuditi botën mbarë në pranverën e vitit 1999, kur priti afro gjysmë milioni kosovarë të dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre nga regjimi i Millosheviçit. Kjo mikpritje bëri që presidenti i EBA-së të akordojë fondin falas prej 14 milionë dollarësh për ndërtimin e një aeroporti afër qytetit verilindor. Aeroporti është ndërtuar në rrëzë të malit të Gjallicës, në nivelin e 353 metra mbi nivelin e detit. Ai ka pistën e uljes së avionëve, vendqëndrimin për 6 avionë, terminalin e pasagjerëve, kullën e drejtimit, sistemin e ndriçimit, vend parkimin e mjeteve etj. Aeroporti është vizituar shpesh nga kompanitë e fluturimeve. Ekspertët pohojnë se duhet vetëm edhe pak investim që aeroporti të vihet në shfrytëzim dhe të bëhet i gatshëm për të pritur aeroplanët. Ja sipas ekspertëve cilat janë problemet që kërkojnë zgjidhje. Duke qenë se aeroporti është mes malesh, drejtimi i erës mund të krijojë probleme në uljen dhe manovrimin e avionëve. Edhe fluksi i fluturimeve mund të jetë i kufizuar, për shkak se vendqëndrimi i mjeteve fluturuese është i përshtatur vetëm për 6 tipa avionësh. Gjithsesi, këto janë probleme që mund të zgjidhen me pak investime duke zgjeruar pistën dhe vendqëndrimin e avionëve, ndërsa nuk ka pse të bëhen shkak që aeroporti të braktiset, siç po ndodh deri tani. Nuk mund të braktiset edhe për faktin se ka një gjatësi piste prej 1900 metrash dhe gjerësi prej 70 metrash. Sipas specialistëve që të vihet në punë ky aeroport duhet të ketë një pistë prej afro 2450 metrash gjatësi. Këto mangësi, mund të riparohen me një investim të vogël. Mungesa e këtij investimi nuk e justifikon lënien në harresë të aeroportit. Aq më tepër që nga qershori i vitit 2014 aeroporti i Kukësit i ka kaluar për administrim Autoritetit të Aviacionit Civil, i cili përballon shpenzimet për administrimin e tij. Ndërsa taksapaguesi shqiptar shpenzon vetëm për administrimin e tij, vetë ai detyrohet që për t’iu shmangur çmimeve të kripura të aeroportit të Rinasit të lëvizë më së shumti përmes aeroporteve të Podgoricës, Shkupit apo Prishtinës. Asnjë prej vendeve fqinje nuk është më i madh se ne. Por çmimet i kanë shumë më të ulëta duke na detyruar ne të lëvizim përmes aeroporteve të tyre, duke braktisur gjithnjë e më shumë aeroportin tonë, të cilit i kanë mbetur besnik vetëm oligarkët, grupi i gjyqtaro – prokurorëve dhe grupi i politikanëve tanë që tashmë janë kthyer nuk dihet se si, në milionerë. Ndërsa nuk u bëhet vonë se lënë në mëshirën e fatit një aeroport që mund të ndihmojë shqiptarët e varfër të të dy shteteve shqipfolës. 

Pak fjalë për historinë e ndërtimit të Aeroportit “Khalifa bin Zayed” 
Punimet e ndërtimit të këtij aeroporti mbaruan në vitin 2006. Aeroporti u ngrit në mbi themelet e aeroportit të vjetër të ndërtuar në vitin 1940 nga pushtuesi fashist Italian. Ndërtimi i aeroportit të vjetër nisi në vitin 1940. Toka iu shpronësua menjëherë fshatarëve me franga ari në dorë. Italiani ishte pushtues, por për pronën private menjëherë jepte frangat në dorë të shpronësuarve. Punimet zgjatën më shumë se dy muaj. “Mirëmbajtja dhe kontrolli i aeroportit mbikëqyrej nga inxhinieri që vendasit e thërrisnin Mamaqja,- tregojnë më të moshuarit e fshatit Shtiqën, në tokën e të cilit u ngrit aeroporti. Aeroporti i vjetër funksionoi deri në vitin 1943. Ndërsa me kapitullimin e Italisë Fashiste, mjediset e tij u plaçkitën menjëherë nga fshatarët, që kishin shtëpitë e banimit përreth tij. Aeroporti i vjetër shërbeu edhe në vitet e mëpastajme, ndonëse rrallë. Ndërsa në pranverën e vitit 1999 ai u shërbeu edhe trupave të NATO-s. Në këtë periudhë një avion i NATO-s, në përpjekje për t’u ulur në orët e natës një ditë maji u dogj krejtësisht duke dëmtuar edhe një shtëpi që ndodhej aty pranë. Aeroporti i vjetër shtrihej në një sipërfaqe prej 17 ha. Pas 60 vjetësh në gjurmët e tij u ndërtua aeroporti i ri shumë më i madh e shumë më modern. Ndërsa sipërfaqja e tij nga 17 ha, sot zë më shumë se 65 ha. Në këtë aeroport pritet të punësohen rreth 200 persona. Edhe pse është një aeroport i vogël, pritet që gjatë vitit të lëvizin rreth një milion pasagjerë. Aeroporti ndodhet rreth 2 orë larg Tiranës dhe rreth një orë larg Prishtinës që shpesh mbulohet nga mjegulla e dendur. Kësisoj vënia e tij në funksionim është fitimprurëse për udhëtarët nga të dy anët e kufirit, por edhe mundëson uljen e ndjeshme të çmimit të udhëtimit. Ndaj është e çuditshme harresa e këtij aeroporti. Ndërsa me një lehtësi të madhe mund të harxhohen miliona të tjerë për ndërtimin e dy aeroporteve të tjerë. A thua se ne shqiptarët jemi aq shumë të pasur. Para se të ndërtojmë aeroporte të rinj të vëmë në punë një herë ato që i kemi. Dhe aeroportin e Kukësit e kemi gati. Kërkohet vetëm të mos e neglizhojmë. Aq më tepër sa tashmë po thuhet: po lihet mënjanë sepse është në veri të vendit. Në veri është po zgjidh një problem për shqiptarët e dy shteteve shqipfolës. Ndaj harresa e tij është më shumë se e turpshme. 
Sigal