Besnik Abedini: Në Ksamil ka vetëm tre muaj punë, puna kryesore bazohet tek emigracioni

783
Sigal

INTERVISTA/  Flet Kryetari i Komunës së Ksamilit, Besnik Abedini: Plantacionet e agrumeve janë zhdukur fare

Komuna e Ksamilit ka aktualisht të regjistruar në gjendjen civile rreth 9 700 banorë, kurse rezidencialë, që janë banorë të përhershëm janë rreth gjashtë mijë. Pjesa tjetër janë emigrantë në Greqi, Gjermnai, Itali. Por ka banorë që janë regjistruar, por që nuk kanë ndërtuar shtëpi përfundimisht pra nuk janë banorë të përhershëm. Pra Gjendjen Civile e kanë bërë për shumë arsye.

 Sa banorë ka komuna sot?

 Mund të jenë rreth 3000 familje pra mund të jenë afërsisht mbi 700 ndërtesa.

 Pjesa dërrmuese e banorëve nga cila zonë e Shqipërisë janë?

Pjesa dërrmuese janë nga Tepelena, pastaj nga Korça, Berati, Përmeti dhe një pjesë nga Kukësi, por edhe nga minoriteti grek. Njëkohësisht  nga vendasit e hershëm, por që nuk janë tamam vendalinj pasi Ksamili si qytezë është ngritur pas viti 1965.

 Kur ka filluar ky mbipopullim i Ksamilit kur dihet se, deri në vitin 1990 kishte vetëm 550 banorë?

Ky popullim ka filluar pas vitit 1991 kur qeveria nxori një Urdhër për lëvizjen e lirë të popullsisë ku tokat janë zënë në mënyrë të paligjshme. Por kjo nuk ka ndodhur vetëm në Ksamil por në tërë Shqipërinë, madje në Tiranë ka pas më shumë se kudo zënia e tokave të paligjshme. Por të gjitha shtëpitë e ndërtuara tashmë po futen në proces legalizimi.

Sa nxënës dhe sa shkolla ka aktualisht Ksamili?

Aktualisht në Klasmil ekziston Shkolla e Mesme e Bashkuar  që përfshin shkollat që nga klasa e parë deri tek klasa e 12-të. Të gjitha klasat numërojnë rreth 700 nxënës. Këtu bëhet fjalë vetëm për nxënës të qytezës, pa asnjë të jashtëm. Shkolla e mesme ka rreth 150 nxënës.

Mësuesit janë banorë të qytezës?

Politika e jonë kështu ka qenë, që të jenë mësues nga qyteza, por kur e kemi pasur të pamundur, kemi marrë edhe nga fshatrat apo qytete afër. Konkretisht tani kemi disa mësues nga qyteti i Sarandës.

 Po çerdhe dhe kopshte a ka qyteza?

Çerdhe nuk ka, ndërsa kopshte dy kopshte me nga 70 fëmijë, ku të gjitha shërbimet kryhen nga komuna ku prindërit nuk paguajnë asgjë. Këtu po bëhet një punë e mirë si në drejtim të kushteve por edhe të parapërgatitjes për të shkuar në shkollë me njohuritë fillestare.

 Ku bazohet kryesisht puna në Ksamil?

Baza e punës në Ksamil është bërë turizmi. Pas viti 2010 pas ndërhyrjes së fuqishme që bëri policia ndërtimore, për prishjen e objekteve pa leje, turizmi mbetet puna kryesore.

Sa kohë zgjat turizmi në Ksamil?

Turizmi zgjat për një periudhë relativisht të vogël 2- mujore, korrik gusht, por tashmë pretendohet të shkojë deri ën 3 muaj.

Përveç turizmit, ku bazohet punësimi?

Tek peshkimi, kryesisht në Liqenin e Butrinit, por dhe në atë të rritjes së peshkut si dhe në mbarështimin e midhjeve. Por puna kryesore bazohet tek emigracioni. Pjesa rinore dhe fuqia e vërtetë e punës janë në emigracion.

 Po lokalet në buzë të detit  a kanë punë më shumë se kohëzgjatja e turizmit?

Po. Këto lokale kanë një ose një muaj e gjysmë punë më shumë se turizmi real shtëpiak. Të rralla janë lokalet që shtrijnë aktivitetin e tyre 12 muaj.

Në punët stinore kush punësohen më shumë burrat apo gratë?

Në punët e përhershme burrat janë baza e punës në familje, ndërsa gratë punojnë në punët stinore gjatë turizmit,  Gratë punojnë kameriere, kuzhiniere, pastruese, etj..

Po agrumet a kanë të njëjtin zhvillim si në vitet e sistemit monist?

Jo. Agrumet sot thuajse janë inegzistente. Portokallet, limonët dhe mandarinat thuajse janë zhdukur. Aktualisht kultivohet vetëm ulliri, i cili ndahet me kontrata qiraje nga komuna. Por dhe kjo është punë me fushata jo vjetore. Kjo ka dhe anën tjetër negative pasi dhe pse u është dhënë me kontratë qiraje, njerëzit nuk interesohen për spërkatje, vaditje, për shërbime, por kujtohen vetëm gjatë vjeljes.

  Cilat janë problemet kryesore sot në Ksamil?

Problem ka disiplinimin e turizmit të vendit, gjatë sezonit turistik, i cili tashmë ka një projekt që do ta zgjidh këtë problem. Problem tjetër ka me pronësinë, ku janë vërsulur shumë ish- pronarë që ndoshta s’janë dhe të vërtetë. Ndaj them që duhet të rishikohen pronat dhe ish -pronarët në kullotat dhe tokat e Ksamilit. Kur themi rishikim dihet që ata mund të jenë plotësisht pronarë dhe n.q.s janë të tillë t’i gëzojnë, por n.q.s s’janë si paraqiten duhet të kihet kujdes se krijohen incidente. Kjo pasi disa ish- pronarë na janë paraqitur me prona deri në 140 ha, që është një sipërfaqe shumë e madhe.

 Ka pas grindje për çështje prone?

Jo ka pas debate, por që nuk kanë degjeneruar deri në grindje. Pra janë ruajtur ekuilibrat.

 Thuhet se Ksamili ka pasur më shumë turistë se Saranda këtë vit, a është e vërtetë?

Këtë e thonë të gjithë vendasit, por edhe vetë sarandiotët, pasi këtu uji është më i pastër, klima më e pastër, ambienti më i pastër, natyra më e bukur. Uji i detit është për t’u pasur zili dhe ata që kanë ardhur  për çdo vit sikundër infrastruktura, por përmirësohet për çdo vit. Pra vizitorët  për çdo vit janë shumëfishuar gjë që na vë para përgjegjësisë që të rrisim kërkesat ndaj vetes, që të rrisim sa më shumë numrin e turistëve.

Sa ka qenë turizmi?

 Gjatë tre muajve numri është më i madh se të gjithë muajt e tjerë së bashku, por duke marrë si shembull që gjatë vitit vijnë ekskursionistë vizitorë stinorë, mund të them që brenda vitit Ksamilin e vizitojnë rreth 90 mijë vizitorë, ose 10 herë më shumë se numri i banorëve.

 Gatimi?

Ne nuk kemi një gatim autokton, vendas ndaj tradita është e shpërndarë, por gjatë sezonit turistik preferohen prodhimet e detit ku midhja po zë vend  ndër më të mirët. Peshku  i egër i Ksamilit, rezervatet, midhjet janë ushqimet kryesore.

Po prodhime bujqësore a ka Ksamili?

Ne s’kemi qenë asnjëherë prodhues të prodhimeve bujqësore, të perimeve apo zarzavateve kështu që furnizimi bëhet në pikat e shumicës, apo në ato që sjellin tregtarët e fshatrave përreth. Aktualisht po punojmë të gjejmë firma të ndryshme të shtrirjes së serave, që në tokën prodhuese të ndërtohen të tilla, që të kemi prodhime vendase. Ditët e fundit kam pasur një firmë të tillë që kërkon të ndërtojë sera gjë që do na lehtësojë shumë furnizimin e freskët, por edhe çmimet në treg.

Sa është vija bregdetare e Ksamilit për qëllime plazhi?

 Këtë vit ka pasur rritje të theksuar të numrit të plazhistëve pasi janë hapur 8 biznese me kontrata me Komunën, për thithjen e plazhistëve në kushte të mira. Po ka një pjesë të mirë të vijës bregdetare të pashfrytëzuar për këtë kërkojmë politikën e madhe të qeverisë që dhe pjesa tjetër të shfrytëzohet edhe për plazhe,  por edhe për mole për jahte, që të thithim pjesën elitare të turizmit të huaj.

Pse është hezituar për ndërtimin e një moli apo një porti për jahte?

Unë në këto dy vite kam kërkuar ndihmë dhe sqarime, por më kanë bërë me dije që ka kosto të lartë kjo nismë, që për ne as bëhet fjalë të operojmë. Këtë mund ta përballojë qeveria. Na janë ofruar disa shoqëri biznesmenësh një austriake, izraelite dhe një franceze që na kanë kërkuar për të aplikuar. Aplikimi i një biznesi të tillë do të na zgjidhë shumë probleme. Këtu bëhet fjalë vetëm për jahte, pasi nuk mund të thuhet për transoqeanikë pasi thellësia e detit nuk e lejon këtë. Projektin izraelit që pashë përfshinte dhe terrenin, tokën dhe ujin. Ujin për jahtet ndërsa terrenin për rezidenca për turistët, pushuesit.