Berat/ Kryetari i Bashkisë, Petrit Sinaj inspektoi punimet infrastrukturore

217

Prej dy muajsh, Drejtoria e Shërbimeve Publike në bashkëpunim me të tjera ndërmarrje të bashkisë e kanë fokusuar punën e tyre në zbatimin e preventivit të rehabilitimit të rrugëve në lagjet e qytetit, por edhe në Njësitë Administrative. Në dy javët e fundit janë kryer punime në disa prej pjesëve problematike të lagjeve të qytetit, duke shtruar me beton dhe çakull segmente të ndryshme të rrugëve dytësore; në lagjet e brendshme të Uznovës, në lagjen “Çlirim”, në lagjen “Barrikadë” janë ndërtuar mure mbajtëse dhe shkallë me pllaka betoni për kalimin e këmbësorëve, po ashtu është bërë ndërtimi i murit dhe shtrimi pjesërisht me çakull i rrugës “Gaqi Gjika” (MCR – ja).

Sot, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, inspektoi punimet infrastrukturore të kryera në disa prej segmenteve rrugore të fshatit Duhanas, Njësinë Adminsitrative Velabisht, dhe në Njësinë Administrative Roshnik.

Në komunikimin e tij për mediat z. Sinaj u shpreh: “Këtu janë kryer punime për rrugë të brendshme që lidhin lagjet e fshatrave, ku pjesët e vështira bëhen me beton, ndërsa të tjerat me çakull. Disa prej segmenteve rrugore bëhen me beton, pasi shirat e rrëmbyeshme për shkak të pjerrtësisë së rrugës mund t’i rikthejnë ato në gjendjen fillestare, ndërsa me beton këto rrugë do të kenë një jetëgjatësi më të madhe. Në fshatin Duhanas janë shtruar rreth 110 metër linear ( 340 m2) rrugë me beton, e cila lidh dy lagje të këtij fshati, por dhe me Muçollasin, lagje e fshatit Qereshnik, duke përmirësuar dhe lehtësuar lëvizjen e banorëve të këtij komuniteti. Edhe këtu në Roshnik, siç e shikoni, janë shtruar afro 120 metër linear ( 360m2) rrugë me beton, e cila u mundëson banorëve të kësaj lagjeje të lëvizin lirshëm. Me ndërtimin e rrugës nga Berati në Roshnik, ky fshat ka marrë goxha zhvillim. Janë ndërtuar bujtinat e para, restorantet, është zhvilluar agroturizmi, vetë banorët kanë investuar në biznese të ndryshme, duke e shndërruar këtë fshat në një atraksion turistik për vizitorët vendës dhe të huaj. Të njëjtën vëmendje do të kemi edhe për fshatrat e tjera të Bashkisë së Beratit.”

Veç të tjerave, Kryebashkiaku Sinaj i bën apel qeverisë që ta mbështesë me fonde Bashkinë e Beratit për realizmin e projekteve të rëndësishme. “Ajo që kemi në vëmendje është rritja përditë e më shumë e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve dhe një thirrje e vazhdueshme dhe e përhershme qeverisë shqiptare për të mbështetur Bashkinë e Beratit me fonde për projektet e rëndësishme strategjike, siç është projekti i rrugës nacionale Berat – Poliçan – Skrapar, që kalon në qendër të qytetit, e cila është dëmtuar shumë nga kalimi i mjeteve të rënda të bizneseve të ndryshme, gjë të cilën e kemi kërkuar disa herë, apo edhe për rrugën tjetër nacionale Berat – Tërpan – Tepelenë, e cila është një nga akset më të vjetra të qarkullimit nacional. Qeveria s’ka pse ta shikojë Beratin apo qytetet e tjera me një sy tjetër, por duhet ta mbështesë me fonde, pasi edhe qytetarët e këtij qarku i paguajnë rregullisht taksat, nga të cilat kërkojnë shërbime më të mira.”