Bashkia e Beratit ndan dhurata për nxënësit ekselentë

757
Në sallën e konferencave të Bashkisë së Beratit u zhvillua sot ceremonia e ndarjes së dhuratave për 100 nxënësit ekselentë të shkollave të Beratit. Nxënësit ishin përzgjedhur nga drejtoritë përkatëse të shkollave të tyre në bazë të rezultateve të arritura. Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore të Bashkisë së Beratit, znj. Erka Dura, bëri hapjen e kësaj ceremonie, duke i uruar të gjithë nxënësit për rezultatet e arritura dhe për festat e fundvitit. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, Prefekti i Qarkut Berat, z. Harilla Dafa, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, ambasadori japonez, z. Makoto Ito, prindër, nxënës etj. Në fjalën e tyre të pranishmit theksuan rëndësinë e dijes në progresin e një kombi, andaj vlerësuan arritjet e nxënësve të shkollave të Beratit, si nxënësit më të mirë edhe në shkallë vendi. Me këtë rast ata përcollën urimet më të mira edhe për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Ndërsa Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, theksoi se vlerësonte mjaft arritjet e nxënësve që ishin të pranishëm në sallë dhe inkurajonte ata dhe gjithë të tjerët për suksese edhe më të larta në të ardhmen, duke besuar se vetëm përmes dijes ata mund të përmbushnin ëndrrat dhe dëshirat e tyre. Ndërkaq Presidenti theksoi se Berati ka nxënësit më të mirë në Shqipëri, sepse ka edhe mësuesit më të mirë, të cilët punojnë me përkushtim dhe pasion për të përmbushur misionin e tyre. Në fund të fjalës së tij, Presidenti Ilir Meta, përgëzoi nxënësit dhe mësuesit për rezultatet e arritura dhe i uroi për festat e fundvitit.
Sigal