Banorë të Skraparit në protestë/ “Buxheti është i qytetit”

122

Ngërçi i krijuar për shkak të bllokimit të buxhetit të Bashkisë së Skraparit ka nxjerrë në protestë kreun e institucionit dhe  banorë të qytetit. Me pankarta dhe thirrjet “Stop bllokimit të buxhetit”, “Buxheti është i qytetit” banorët dhe punonjësit e Bashkisë qëndruan për rreth një orë përpara institucionit të Degës së Thesarit.

Kryetari i bashkisë së Skraparit bëri përgjegjës për situatën e krijuar deputetin e PS-së në këtë Qark, Arbnor Shameti.

Qytetarët janë ata që më së shumti penalizohen nga mosmiratimi i buxhetit pasi janë mbyllur shumë shërbime jetike si konvikti i nxënësve, çerdhet, kopshtet Qendra e Fëmijëve me Aftësi Ndryshe apo edhe Shërbimi i Pastrimit

Dega e Thesarit në këtë qytet nën varësinë e Ministrisë së Financave ka bllokuar prej ditësh çdo lloj veprimi financiar të bashkisë deri në momentin që bashkia do të njohë vendimet e këshillit bashkiak. Nga ana tjetër vetë Bashkia ka paditur prefektin e qarkut për “shpërdorim detyre”.

Në një reagim më herët Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka sqaruar se buxheti është gati, por më parë kryetari i bashkisë duhet të dorëzojë detajimin e tij sipas vendimit të  Këshillit.