Ambasada: Mos punoni në SHBA me vizë turistike

260
Ambasada amerikane në Tiranë iu bëri thirrje shtetasve shqiptarë, të cilët kanë udhëtuar drejt SHBA-së me një vizë turistike, të respektojnë afatet dhe qëllimin e vizitës. “Sigurohuni që t’u përmbaheni kushteve të vizës tuaj turistike! Largohuni nga SHBA-të në kohë, mos punoni dhe mos studioni me vizë turistike!”, bëri të ditur zyra konsullore. Ajo theksoi se vizitorët nuk duhet të harrojnë t’u përmbahen kushteve të vizës turistike, të largohen duke respektuar afatet, të mos punojnë dhe të mos studiojnë në Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë, duke iu përgjigjur interesimit lidhur me dokumentet për bashkimin familjar dhe përgjigjen e dhënë nga autoritetet në SHBA, zyra konsullore theksoi se afati i njoftimit për intervistë zgjat në varësi të disa kërkesave. “Kjo varet shumë, se sa shpejt dhe saktë i përgjigjeni kërkesave nga USCIS dhe më pas nga NVC. Nëse peticioni është miratuar nga USCIS dhe i ka kaluar NVC-së, aplikanti duhet të jetë kontaktuar nga NVC mbi vazhdimin e procedurës së dorëzimit të dokumentacionit të kërkuar. Sa më shpejt e sa më të saktë që në herën e parë, aq më shpejt caktohet data e intervistës nga NVC-ja”, theksoi zyra konsullore, duke nënvizuar se data e intervistës caktohet nga NVC-ja, ndaj duhet pritur njoftimi i tyre. Qendra Kombëtare e Vizave (NVC) mbulon procesin e bashkimit familjar. Pasi Shërbimi i Imigracionit dhe Shtetësisë Amerikane (USCIS) miraton kërkesën e një aplikanti, dosja i dërgohet NVC në Portsmouth për realizimin në kohë të procesit paraprak të vizës së imigrimit. Kategoritë e të afërmve që përfitojnë nga bashkimi familjar nuk kanë një numër limit çdo vit, por preference familjare dhe kategoritë e imigrantëve kanë një numër të kufizuar pranimesh çdo vit.