Statuskuo-ja e Komunitetit Rom

607
Nuk besoj se ka qytetarë të kryeqytetit të mos jenë në dijeni për numrin e madh të shoqatave që mbinë si kërpudhat mbas shiut në këtë tranzicion të vendeve post-komuniste, duke përfshirë e edhe Shqipërinë. Është po aq i njohur fakti, që me justifikimin për integrimin social kulturor dhe ekonomik të romëve, miliona dollarë ranë në duart e këtyre kërpudhave parazitare që gjoja do të jepnin kontributin e tyre dhe që u vetëquajtën “shoqëri civile”, por që shpesh kanë degjeneruar në një apendiks partiak, vasalë të qeverisë. 

-Në rast se do të pyesni, sa dollarë janë dhënë vetëm nga fondacioni Soros për projektet në ndihmë të komunitetit Rom, jam i bindur që do ta merrni vesh të vërtetën me saktësinë më të madhe. 

-Në rast se do të pyesni për projektet që janë aplikuar, mund t’ju tregojnë dosje me qindra ku nuk mungojnë, jo vetëm fotot që demonstrojnë, se kanë qenë pranë atij komuniteti, por edhe preventivë me bilance të sakta deri në centin e fundit, për punë të realizuara, ama… në letër. Deri këtu jemi në filozofinë e dokumentimit “in vitro”, të projekteve ku fjalët standarde si; sfida, qasje, aksesim i bëjnë të duken “copy/paste” demode. 

Po dokumentimi real në terren, në jetë?
Me gjuhën popullore do ta shprehnim: “Me të thënë e me të bërë, i ndan një lum i tërë”. Ndoshta jam gabim, por sipas meje, zgjidhja është shumë e thjeshtë, në rast se ekziston dëshira e mirë që buron nga shkalla e humanizmit njerëzor. Për këtë do të mjaftonte vetëm një “URË” për të kaluar nga letrat VITRO: në anën tjetër të lumit VIVO. Sinqerisht me dëshirën e mirë për ta parë atë komunitet ndryshe nga deri më sot, do të dëshiroja dhe do të shpresoja që arkitekti i asaj “ure” të ishte Kryetari im i Bashkisë z. Veliaj! Kjo “urë” do të na mundësonte të kalonim nga letrat në realitet, duke kërkuar nga secila shoqatë përgjigjen për një pyetje – një milion euro. 

Sa dollarë ka përdorur secila shoqatë dhe çfarë ka realizuar konkretisht në terren? 
Do të mjaftonte verifikimi i punëve konkrete të realizuara nga çdo shoqatë duke mundësuar selektimin e elementeve të korruptuar. Një përfitim plus do të ishte edhe përqendrimi i fondeve në duart e njerëzve të aftë për punë të ndershme. Deri tani nuk kam prova që Kryetari im të anojë nga ana tjetër e balancës dhe shpreh besimin se do të jetë dakord me idenë time.

Manush Thanasi
Sigal