Aksion blic për mbylljen e furrave të gëlqeres në Fushë Krujë

600
Një operacion blic është ndërmarrë gjatë ditës së sotme për mbylljen e 12 furrave funksionale të gëlqeres në zonën e Fushë Krujës.

Ministria e Mjedisit informon se operacioni i ndihmuar edhe nga Policia e Shtetit do të vazhdojë deri në mbylljen e plotë të të gjitha furrave në zonë.

“Për herë të parë mbyllja e furrave të gëlqeres nga ISHMP u realizua në vitin 2013 kur u identifikuan 220 furra gëlqere funksionale në këtë zonë. Prej aksioneve të vazhdueshme, në vitin 2015 numri i tyre u ul në 110 furra gëlqere, ndërsa sot falë punës së inspektorëve të mjedisit janë aktive vetëm 21 furra gëlqere, të cilat do të mbyllen deri në përfundim të këtij aksioni”, thuhet në deklaratë.

Kryeinspektori i ISHMP-së, Ergys Agasi paralajmëron dhe garanton qytetarët se çdo tentativë e rihapjes së këtyre aktiviteteve të paligjshme do të ndëshkohet maksimalisht.

Agasi: Për këto aktivitete të paligjshme në kundravajtje me ligjin, të cilat rrezikojnë shëndetit e qytetarëve, por edhe ndotjen e mjedisit, do të ketë ndëshkime maksimale dhe nuk do të lejohen të ushtrojnë aktivitet në kundravajtje me ligjet dhe normat mjedisore. 
Sigal