Akademia ngre komisionin për reformën e kërkimit shkencor

711
Asambleja e Akademisë së Shkencave vendosi dje krijimin e Komisionit të Akademikëve me mandat të plotë përfaqësimi dhe negocimi për të gjitha çështjet e reformës institucionale të kërkimit shkencor dhe të Akademisë së Shkencave. Mbledhja e djeshme vjen një javë pas zgjedhjes së drejtuesve të Akademisë dhe debatit publik mes këtij institucioni e kryeministrit, lidhur me çështjen e reformimit. Komisioni i zgjedhur përbëhet nga Apollon Baçe, Artan Fuga, Anastas Angjeli, Anesti Kondili, Aurela Anastasi, Floran Vila, Jani Thomai, Neki Frashëri, Luan Starova, Ali Aliu, Mateo Mandala dhe Mira Mezini. Megjithatë duket se as ky komision nuk i ka dhënë fund debateve të brendshme në Akademinë e Shkencave. Ka qenë Artan Fuga, i cili ka deklaruar largimin e tij nga komisioni, duke kërkuar dorëheqjen e të gjithë kryesisë. “Unë nuk do të marr pjesë në asnjë komision reformator pa u plotësuar disa parakushte reformimi. Këto janë dorëheqja e të gjithë kryesisë të Akademisë të Shkencave, e cila e ka penguar reformimin e saj, auditimi shkencor dhe financiar i veprimtarisë të Akademisë, transparenca e figurës të akademikut si edhe konsultimi paraprak i sekretarit të Akademisë me përfaqësuesit e pushtetit publik dhe përpunuesit e politikave publike për shkencën”, tha Fuga. Sipas tij, pa këto kushte, komisioni reformator jo vetëm futet në qorrsokak, por edhe e vendos pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv përpara faktit të kryer dhe nuk prodhon bashkëpunim e sinergjitë e nevojshme. “Vetëm duke u plotësuar kënaqshëm të paktën disa nga këto kërkesa, unë besoj se një komision reformator mund të kishte kuptim”, tha Fuga.

Ndërkohë, ende nuk ka një deklarim nga ana e qeverisë për të ardhmen e Akademisë së Shkencave. Kryeministri Rama deklaroi publikisht se fondet e Akademisë do t’i shkonin universiteteve, nëse ai institucion vazhdonte farsën dhe nuk zgjidhte të reformohej.
Sigal