280 biznese nga 25 shtete u mblodhën në Tiranë në Panairin“Klik Ekspo Group”

581
Pas çeljes së madhe në “Klik Ekspo Group” ditën e shtunë, edicioni i 22-të i Panairit Ndërkombëtar të “Klik Ekspo Group” me temën Biznes-Kulturë-Bashkëjetesë ka vazhduar eventin e tij, në ditën e dytë të hapjes së panairit. Një panair, ku mbi 280 ekspozues nga 25 shtete të ndryshme do shkëmbejnë frymën e bashkëpunimit dhe episodin e investimeve në këtë ngjarje të përvitshme të “Klik Ekspo Group” – an UFI Member Company deri më 25 nëntor, në Pallatin e Kongreseve. Në këtë edicion të 22-të, Arti dhe Kultura e huaj do të këmbehen me monedhën e artit shqiptar. Panairi Ndërkombëtar i “Klik Ekspo Group” u çel në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve, duke e shndërruar kryeqytetin shqiptar deri në 25 nëntor, në kryeqendrën e biznesit dhe sipërmarrjes ndërkombëtare. Për të inicuar këtë bashkim mes biznesit e kulturës, në ceremoninë e çeljes së Panairit të “Klikut” ishte Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Presidenti i “Klik Ekspo Group”, Luan Muhametaj, u shpreh se aktiviteti është i përbërë nga shumë investitorë nga shumë shtete. Z. Muhametaj në emër të “Klik Ekspo Group” u dha ministres Kumbaro dhe Kryebashkiakut Veliaj medaljen “Shqiponja e Artë”, një vlerësim që e kanë marrë shumë personalitete brenda dhe jashtë vendit. Ministrja Mirela Kumbaro u shpreh se, kur i erdhi ftesa për një Panair, ku do të kishte bashkëjetesë mes biznesit dhe kulturës, mbeti e habitur, pasi kurrë nuk do ta besonte se në një vend ku ekspozohen makineri do të kishte edhe ekspozita zhanresh të ndryshme arti. Ministrja Kumbaro theksoi se, Panairi i “Klikut” është dëshmi që tregon se, si ka evoluar Shqipëria, se si kultura nuk është një luks, por një nevojë, nuk është privilegj për disa, por është dhe duhet të jetë pjesë e jetës së komunitetit. Se biznesi nuk është i huaj për kulturën dhe se kultura e produktet e saj i shërbejnë atij. Se është koha më shumë se kurrë, që të kuptojmë që arti nuk mund të jetë vetëm profesion i artistëve, por një instrument i fuqishëm edukimi për të gjithë popullsinë, sidomos për të rinjtë. Ndërsa Kryebashkiaku, Erion Veliaj theksoi në fjalën e tij se, ky Panair mbahet pikërisht në atë godinë që u ndërtua për t’iu kushtuar Partisë që nuk besonte tek biznesi, tek prona e lirë tek investimi dhe ky është suksesi më i madh i këtij Panairi. Ai falënderoi organizatorët për çeljen e këtij Panairi që zbukuron akoma më shumë kryeqytetin, duke u dhuruar qytetarëve një mundësi më shumë për të vizituar së bashku risitë e biznesit dhe veprat e artit. Mbi 280 ekspozues ndërkombëtarë nga 25 shtete sjellin investimet e tyre të guximshme në Panairin e përvitshëm të “Klik Ekspo Group”, anëtar i UFI Company. Republika Popullore e Kinës, ajo e Bosnje-Hercegovinës, Republika e Serbisë dhe Polonia premtojnë zgjerimin e marrëveshjeve të vjetshme në fushën e metalurgjisë, materialeve të ndërtimit, industri agroushqimore, ndërkohe qe Italia, Greqia, Hungaria, Turqia, Maqedonia, Kosova, Zvicra, Franca, Sllovenia, Mali i Zi, Gjermania, Kroacia, Spanja përgatiten të ekspozojnë në sektorët e infrastrukturës, transportit dhe telekomunikacionit, mbrojtjen e mjedisit dhe turizëm. Kultura, për herë të parë do të sjellë gjurmën e saj në Panairin më të rëndësishëm ndërkombëtar në vend. Kultura do të jetë pjesëmarrëse në Panairin “Klik Ekspo Group 2015”, duke prezantuar për publikun e gjerë aktivitetet më të rëndësishme të institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë në vend. Konceptuar si një platformë jo vetëm prezantuese, por edhe debati e diskutimi në këtë hapësirë ekspozimi dhe prezantimi. Pjesëmarrës do të jenë të gjithë institucionet e kulturës në vend, si dhe artistë, autorë, përkthyes, kineastë, ekspertë të trashëgimisë, të cilët do të kenë mundësinë të afrojnë komunikimin me publikun përmes veprave të tyre. Kjo platformë kulturore do t’i prezantohet publikut në një formë atraktive, me shfaqje, performanca live, ekspozita, lexime, diskutime, konkurse të ndryshme. Falë bashkëpunimit dhe angazhimit të gjithë punonjësve dhe specialistëve të sistemit të artit, kulturës dhe trashëgimisë, artistëve të pavarur dhe komunitetit artistik, në kohë rekord brenda dy viteve me shumë punë, përkushtim dhe një menaxhim më të mirë po punojmë për gjallërimin e skenës, realizimin e hapësirës pa kufi të kulturës e artit.
“Klik Ekspo Group”, mbrëmje gala dhe ndarje medaljesh për personalitet e biznesit dhe artit në Pallatin e Brigadave
Artistët e Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit, “Klik Ekspo Group”, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Cirku Kombëtar i Tiranës, zhvilluan gjatë mbrëmjes një festë të gërshetuar zhanerash artistikë në Pallatin e Brigadave, ku përveç emocioneve, nuk munguan dhe vlerësimet për figura të shquara nga Klik Ekspo Group.
– Pasi dëgjuan himnin kombëtar nën tingujt e trombave të Orkestrës së TKOB-së, të pranishmit në Pallatin e Brigadave trokitën gotat me njëri tjetrin, dhe veçanërisht me të ftuarit special të mbrëmjes si Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro,biznesmeni dhe politikani kosovar Behgjet Pacolli dhe Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila.
– 5 medalje të tjera u ndanë gjatë mbrëmjes nga “Klik Ekspo Group”, ku “Shqiponja e Artë” ju dha drejtorit të TKOB-së, Ilir Kerni, regjisorit Spartak Pecani, Shpend Krujës (pas vdekjes) dhe artistit që realizoi në akuarel portretin e Dritëro Agollit, Atanur Dogan.
– Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor gjatë mbrëmjes festive, prezantoi me anën e një sfilate artistike gjithë arsenalin e tij popullor dhe klasik, ku pas pasarelës dhe valleve të artistëve të ansamblit, u zhvillua edhe një koncert klasik.
– Cirku Kombëtar më pas, i shtoi ritmin mbrëmjes me anën e performancave të artistëve, të cilët u duartrokitën nga të pranishmit, të cilët gjithashtu shkrepnin fotografi dhe realizonin edhe video me anën e aparateve telefonikë.
Ndërsa, pranë fundit të gjithë të pranishmit, artistët shqiptarë dhe të huaj, ata të ansamblit dhe cirkut u kapën për dore në vallëzimin e muzikës tradicionale shqiptare, ku muzika popullore u shijua mjaft edhe nga të huajt. 
Sigal