Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: ” Një ditë pa mamin”

Vangjush Saro

 NJË FAMILJE NË TELASHE…

Sigal

 Rreth ribotimit të novelës “Një ditë pa mamin”

Në këto pak radhë, do të doja të ndaja me lexuesit e kësaj gazete të nderuar lajmin për ribotimin e novelës sime “Një ditë pa mamin” nga ERIK Botime. Në qendër të kësaj proze gjendet një baba që rëndom s’është përballur me punë shtëpie dhe përkujdesjet për fëmijët. Në mungesë të gruas – që shkon për një ekskursion me shoqet e veta – ai përpiqet ta organizojë ditën sa më mirë; për veten dhe për tre fëmijët e tyre. Nga mëngjesi në mbrëmje, burri rropatet për t’i përcjellë ata në kopshte e shkolla, për t’i pritur e për t’u gatuar diçka, për t’i vënë në gjumë… Aventurat e babait “majtosh”, mendoj, e bëjnë lexuesin për të qeshur, por mbase edhe të meditojë pak; (harmonia në familje lyp përkujdesjen dhe vëmendjen e të gjithëve).

Kujtoj se “Një ditë pa mamin” është vlerësuar që herët nga Publiku dhe nga Kritika Letrare. Shkrimtarja dhe kineastja Shpresa Vreto (vite më parë) shkruajti për elementet lirike, por sidomos për frymën aventurore të novelës. Në fakt, sipas shkrimtares së njohur, kjo karakterizon pothuaj gjithë krijimtarinë time. Ajo kishte parasysh edhe ndonjë prozë tjetër, si “Polic këmbëvogli”, apo kinokomedinë “Shkëlqim i përkohshëm”. (Kolegia dhe mikja e nderuar nuk arriti të lexonte romanet “Kurora e Ballkanit” e “Misioni”, ku fryma e aventurës është gjithashtu e dukshme). Një tjetër emër i njohur, poeti dhe përkthyesi Edmond Tupja, është shprehur gjithaq me simpati për karakterin e babait, personazhi kryesor i novelës “Një ditë pa mamin”. Një vend i rëndësishëm i jepet librit edhe në studimet e profesor Astrit Bishqemit; si një nga prozat më të mira në krijimtarinë time, por kontribuese edhe për Letërsinë për Fëmijë e Të rinj. Po ashtu, studjuesi Milaim Nelaj, në librin e tij “Profile Letrare”, duke marrë në shqyrtim novelën “Një ditë pa mamin”, ka veçuar humorin e shëndetshëm dhe stilin e shkathët, cilësi që (gjithnjë sipas studjuesit në fjalë) e bëjnë këtë prozë lehtësisht të lexueshme dhe tërheqëse. Kam bindjen që lexuesit e të gjitha moshave – pra, jo vetëm fëmijët – do ta presin me interes këtë ribotim. Ndërkaq, nderim pa fund për gazetën “Telegraf” dhe suplementin e saj “Pena Shqiptare”, që na jep mundësinë të komunikojmë me publikun.

NJË FËMIJË I PAGJUMË

(Fragment nga novela “Një ditë pa mamin”)

Vëllaçkoja ishte i pamposhtur; s’donte që s’donte të flinte. Kështu, desha s’desha, qëndrova gjithë durim tek krevati i tij. Ndërkaq, fillova të mendoja për mamin. Nuk e kam dashur asnjëherë si atë ditë. Jo pse nuk po na shkonte edhe aq mbarë. Jo. Mendoja për mirësinë e saj. Me ç’përkëdhelje na ka rritur? Si na ka mëkuar e vënë në gjumë? Me ç’fjalë magjike? A thua një puthje e saj vlente sa për njëqind… Oo, u kujtova për përrallat.

-I dashur vëllaçko, – i thashë Altinit, – tani ti mbylli sytë, kurse unë do të të tregoj një përrallë shumë të bukur. Na ishte seç na ishte. Na ishte një vajzë e vogël, e bukur, e urtë. Ajo na kishte një kësulë të kuqe…

Kësulëkuqja ia afroi paksa gjumin vëllait. Po nuk mjaftoi. Atëherë fillova t’i tregoja “Shtatë kecërit dhe ujku”. Pastaj “Borëbardhën”… Tinit po i mbylleshin sytë, por mendjen e kishte top fare. Tjetër, thoshte, tjetër. Dhe unë, ku ishin e ku nuk ishin, gjysma – gjysma apo të sajuara, i tregova atij të paktën çerekun e përrallave më të bukura që ka bota. A fjeti ai? Jo.

-Mbylli sytë se do të të hajë ujku, – e kërcënoi babi, i nxehur sa më s’bëhej.

Por Altini bënte sikur flinte dhe më tundte dorën. Kjo donte të thoshte se duhej të vazhdoja. Po me çfarë? Mua po më mbylleshin sytë për vete. Zura t’i tregoja për së dyti përrallën e mrekullueshme “Katër shokët”. Na ishte një gomar plak dhe i drobitur…

-Ej ej, – më ndërpreu Altini, – këtë ma the njëherë.

S’më mbetej gjë tjetër tani, veçse të sajoja nga mendja përralla të reja. Ndonjë gjë me dhelpër, me ujk… Por ndoshta nuk ishte më e nevojshme, sepse ja tek u hap dera dhe mbërriti ujku vetë. Domethënë babi ynë, i maskuar si ujku. Ai kishte hedhur në kokë diçka si… Obobo! Estradë fare. Ecte ngadalë dhe hungërinte shurdhër, në një mënyrë që të shtinte frikën.

-Seç është këtu një mistrec, një zevzek, një Tini… që unë… ah mos e shtënça në dorë!

Babi e luante shumë bukur pjesën. Por tamam prej kësaj u prish puna fare. Altini i shkretë u llahtaris. Ai u mblodh brenda kuvertës, tamam si ndonjë iriq. Dhe filloi të lëshonte ca klithma, që s’kisha patur rast t’i dëgjoja asnjëherë më parë. Dhe ujku, domethënë babi, u tremb më shumë se ai. E hoqi nga koka atë gjënë lemerisëse dhe filloi ta merrte Altinin me të mirë. Shpirt i babit! Po babi bëri shaka… Si nuk e kuptove ti që babi bëri shaka? Një fëmijë e mbarë duhet ta kuptojë shakanë. Mos u tremb zemër, mos u tremb. Babi të ka yll… A trembet fëmija e mbarë? E pra, xhan i babit, ti s’mund… sepse unë… sepse ne…

Altini i prapë përfitoi nga këto ligjërime të ëmbla dhe luftoi sërish me ne dhe me gjumin; të paktën edhe një gjysmë ore tjetër. Dhe kur më në fund iu mbyllën sytë vërtet, mua nuk do të më dukej çudi sikur të shkrepej ndonjë top.