Suplementi Pena Shqiptare/ Tomor Shasho: Lumturia pa lumturi

831
Era e ftohtë, që vinte nga mali i Tomorit, të këpuste majën e hundës e të merrte frymën. Qyteti dukej i ngrirë ashtu si vet ambienti. Retë e nxira e si të ngrira qëndronin mbi qytet e ishin gati të fillonin rrebeshin. Lumturia ngriti jakën e palltos ,mbuloi fytyrën me shall e u nisë për në rrobaqepësi. Ecte me kokën ulur. Do të largohej përfundimisht nga puna e sa e sa viteve. Rrobaqepësisë i kishte dalë “pronari”. Do të privatizohej. Ecte e kujtonte ditën e parë të punës. Atë ditë qepi këmishë. Sa e gëzuar ishte! Iu gëzua prodhimit të parë. Përgjegjësja e fotografoi , në kohën që ajo e mbante para fytyrës dhe sytë i shkëlqenin nga gëzimi… Babai e nëna i puthën duart,kur i panë fotografinë… Arriti te shkallët. Shoqet kishin ardhur. Të gjitha kokulura,të trishtuara. Fytyra të ngrira si ujë i pellgjeve në lulishten para rrobaqepësisë. Hodhi sytë te shkalla e fundit. Aty e kishte takuar Viktorin për herë të parë. Atëherë dridhej nga emocionet e dashurisë. Sot i dridhet trupi nga trishtimi. Ku do të punonte? Si do ushqente fëmijët? Viktori invalid! U futën në repartin ku kishin punuar vite e vite. Secila rrobaqepëse rrinte pranë makinës,me të cilën kishte qepur sa e sa uniforma ushtarake. Kishte zëra se ai që do ta privatizonte do t’i largonte të gjitha punëtoret e vjetra e do të zëvendësoheshin me të reja. Asnjë nuk fliste. Në atë mort u mungonin vetëm shamitë e zeza mbi kokë. Kishte nga ato që ishin në prag pensioni e u duheshin dy-tre vite pune. Ku do t’i plotësonin? “Me se do t’i ushqej tani fëmijët?!”- belbëzonte rrobaqepësja me dy fëmijë jetim. Të gjitha ngritën kokën, kur dëgjuan privatizuesin. – Po!-foli me krenari blerësi i rrobaqepësisë,- do të largoheni nga puna! Kjo rrobaqepësi s’do të prodhojë më uniforma ushtarake. Të asaj ushtrie, që i ka shërbyer diktatorit! Asnjë nuk fliste. Lumturia ngriti kokën .Shikoi shoqet. Pa lot në sytë e tyre. U mat të fliste. Privatizuesi ndërhyri menjëherë. – Ti, sekretarja e devotshme e PPSH, kërkon të flasësh përsëri?! Ti do të dalësh e para nga kjo rrobaqepësi! Në repart qëndruan shtatë vajza të reja. – Mos u mërzit – i foli Viktori. – Do të kullandrisemi me të ardhurat nga KEMP-i im. Fëmijët po rriten. Nuk jemi vetëm ne. Mbase do të na ndihmojë Bashkia. Nuk i kemi bërë keq njeriu. Tërë jetën kemi punuar e jetuar me ndershmëri! Edhe emri i saj, Lumturi, iu neverit. Lumturia e saj u varros atë ditë që varrosi të shoqin. Ndaj fjala “lumturi” e irritonte. Ngushëllimin e gjente te fëmijët . Dy më të vegjlit ishin në shkollë. I madhi dy muaj kishte që përfundoi shkollën e mesme. Për punë nuk bëhej fjalë. – Jo, jo! – i tha, – mos ki merak! – Janë lekë me djersë. Shkarkova me Fredin një makinë me banane. Merri, merri! – po i thoshte djali e i përmendi emrin e tregtarit. Shoqja e saj, që banonte te pallati përballë, i propozoi se mund të fillonte punë si pastruese në hotelin e ri. Shkoi te hoteli. U takua me përgjegjësen. – Do të punosh edhe natën,- i tha.- Besoj se s’ke kundërshtim… Lumturia e falënderoi për këtë ndihmën që i dha. U gëzua! Përgjegjësja e hotelit ishte person i njohur për të. Ditën tjetër u paraqit në hotel. Përgjegjësja e ftoi në zyrë. I dha porositë dhe së bashku shkuan në katin ku do të pastronte. – Kjo do të jetë dhoma jote. Këtu mund të pushosh. Lumturia hapi derën. Ishte dhomë e rregullt: krevat, pasqyra, komodina, si dhe banja me dush. La çantën e dorës. Veshi përparësen. Iu kujtua dita kur veshi përparësen e rrobaqepësisë. Filloi të pastrojë korridorin. Hyri në dhomat e gjumit për të ndërruar çarçafët e të pastronte. Gjeti e ç’nuk gjeti hedhur në tapete, mbi komodina e në banja. Dhoma 325 ishte e mbyllur. Vazhdoi punën në dhomat e tjera. Dera e dhomës së mbyllur u hap. Para saj kaloi klienti. Nuk shfaqi interes të shikonte se cili ishte. – Po ti?! Pyetja i doli pa vetëdije. Nga dera e dhomës 325 po dilte ish shoqja e punës në rrobaqepësi . – Ish shoqja nga hutimi filloi të belbëzojë disa fjalë dhe hapi çantën. Lumturia e preku me bishtin e shtupës. – Largohu nga dera! Filloi të pastrojë dhomën. “S’ka ç’më duhet, se cili hyn e cili del! Unë shikoj punën” vazhdoi të fliste me vete. Në javën e dytë të punës i ndodhi ajo, që nuk i kishte shkuar kurrë në mendje. Te dera e dhomës pa një person . – Ju jeni Lumturia? – iu drejtua personi. -Po! Ç’problem kini? – Hape derën e dhomës! Jam pronari i hotelit. Lumturia hapi derën. – S’më paska mashtruar përgjegjësja! Filloi t’i flasë me një buzëqeshje të lehtë, duke ia vështruar fytyrën e trupin nëpërmjet pasqyrës përballë krevatit. – Qenkërkeni me të vërtetë e bukur dhe tërheqëse! Edhe pse në moshë pak e madhe, e ruajkërke për mrekulli freskinë e femrës! U kthye nga ajo. Filloi të zhvishej. – Zotëri! Je gabuar! S’jam nga ato që mendon! Unë jam pastruese. Ndaj, të lutem!… – E ke rastin e parë që do të ushtrosh këtë profesion?.. Do të mësohesh, do të mësohesh, ashtu si shumë shoqet tuaja! Edhe ti do të mësohesh! E di…! Hera e parë është e vështirë! – Ju lutem, largohuni! Mos m’u afroni! -Je pastruese, po rroga e pastrueses nuk të mjafton!… Mëkat të punoni ju pastruese! Lumturisë iu rrëqeth trupi. Pa se mishi iu mbush me kokrriza. Iu kujtua fjala e Viktorit: “Tërë jetën kemi punuar e jetuar me ndershmëri”. – Jo,jo! Vdekjen e pranoj, të lyp e pranoj, por të shes trupin; kurrën e kurrës! Rrëmbeu çantën e u largua. U afrua pranë sportelit. Pështyma fluturoi e u përplas mbi fytyrën e llangosur me kremra të përgjegjëses. Në shtëpi nuk u tregoi fëmijëve për ngjarjen, por e pa më të udhës të thoshte: hoteli do të mbyllet. Në faqen e murit, pranë dyqanit të fruta – perimeve, lexoi tabelën: Në të dalë të qytetit është ngritur një linjë rrobaqepësie. U paraqit në zyrën e përgjegjësit. Ishte një burrë tridhjetë e pesë – dyzetë vjeç. – Urdhëro! Për punë ke ardhur? Nga qyteti je? – Kam punuar shumë vite si rrobaqepëse. Në lajmërim lexova se kini nevojë… Përgjegjësi po e vështronte pa lëvizur as sy e as kokë. I buzëqeshi e filloi t’i thotë duke u rrotulluar në karrigen prej meshini në ngjyrë të zezë: – Kështu si qenkërke Ti, jam gati largoj nga puna katër – pesë gra, qofshin dhe të reja! Edhe po s’pata nevojë, për ty do të bëj përjashtim! Mund të fillosh në moment! Lumturia nuk foli. Hapi derën e u largua. Ecte e mendohej. I erdhi ndërmend tregimi që kishte lexuar dikur në shkollë. Ai titullohej:”Kudo si Lutua”. Kur kalova te tregu, në rrugën e stadiumit, midis tregtarëve ambulant pash edhe Lumturinë. Para saj qëndronin dy arka banane, të cilat shërbenin si tavolinë. Mbi to kishte vendosur paketa e kinkalerira të ndryshme. Rrinte mbi një stol dhe shikonte kalimtarët, që i kalonin pranë me shpresën se do të mund të blinin. Në darkë hapi televizorin e po dëgjonte lajmet. – Hë, e poshtër! Mirë të gjeti! – tha kur dëgjoi në lajme, se e njohura e saj hotelin e kishte kthyer në shtëpi publike. Pas pak, e pa me pranga në duar… – Njerëz të poshtër! Të qelbur!… Televizori vazhdoi të jepte lajmin mbi vjedhjen e Bankës së nivelit të dytë në Tiranë, si dhe grabitjen e një kambisti .
Sigal