Suplementi Pena Shqiptare/ Shpëtimtari i shqipes

558
Sigal

Xhevahir Spahiu

Naimi ka art brenda veprës së tij. Kjo është një vepër që u duhet brezave që vijnë. Për mbi të gjitha, Naimi është farkëtari i gjuhës shqipe. Gjuha jonë ishte buzë greminës, po përmbytej nga fjalët e huaja, nuk e merrte vesh i ziu njeri se ç’gjuhë po flitej, sikur të ishte një gjuhë-gati e përçudnuar dhe e përçarë. Populli i vet, njeriu i thjeshtë, e ruante gjuhën e vet, por ata që shkruanin imitonin poezinë e huaj, sidomos poezinë osmane. Ata e bënë të bezdisshme këtë, e bezdisën shqipen. Por erdhi Naimi dhe e shpëtoi. I bëri një pastrim shembullor gjuhës shqipe, e shpëtoi këtë gjuhë që ne flasim ne sot, që është gjuha e Naimit, megjithëse kanë kaluar afro 150 vjet ajo kohë. Prandaj ne themi se ai është shpëtimtari i gjuhës amtare. Për mua Naimi është, Poet i madh, atdhetar i madh, bektashi i madh. Por mbi të gjitha ai ishte dhe është gjeniu i gjuhës shqipe, dhe kjo është më e madhja meritë e tij. Filozofi gjerman Heideger ka thën: “Gjuha është si të jesh pa shtëpi, si të jesh në pyll. Por atë shtëpi që na duhet ne e kemi nga Naimi. Ai është arkitekti i saj dhe të tjerët e ndihmuan ngapak. Pse ka rëndësi kjo? Kjo ka rëndësi të madhe historike, sepse ne shqiptarët gjuhën e kemi kryeshenjën e identitetit, ajo është për mua e para. Gjuha jonë është nga më të moçmet në Evropë, pra, kjo pasuri që e kanë trashëguar me bekim prej Naimit shqiptarët na ia japim si pasuri e larmi njerëzimit. Naimi, duke shpëtuar shqipen, ka shpëtuar një pasuri të rrallë që është e rëndësishme për kulturën botërore “Gjuhë gjeniale” – Robert d’Angeli. Naimi thoshte se shqipja është “gjuhë Perëndie”. Tani ç’po ndodh me shqipen tonë? Të gjithë janë lëshuar – sidomos politikanët, publicistët, gazetarët – që ta shtrembërojnë e përçudnojnë. Unë e kam studiuar vetë gjithë veprimtarinë e Naim Frashërit dhe e di mirë se ai njihte 12 gjuhë të huaja, midis tyre edhe gjermanisht, por ai, kur shkruante shqip, nuk përdorte asnjë fjalë të huaj. Në një bisede me Hafiz Ali Korçën, që është një bektashi i madh dhe përkthyes i Omar Kajamit, Naimi pati thënë: “E di si janë këta që përziejnë shqipen me fjalë të huaja? Si ai djali që, megjithëse ka babanë gjallë, do që nënën e tij ta martojë me burrë tjetër”. Këtë e ka thënë Naimi, prandaj ne e kemi për detyrë, kështu siç jemi, ta mbrojmë gjuhën shqipe, t’u tregojmë vendin atyre që e ngatërrojnë gjuhën shqipe me fjalë të huaja vend e pa vend, për t’u dukur të ditur. Por më të ditur se Naimi nuk ka. Nuk themi që gjuha jonë është mbyllur, por në thelbin e saj ajo do ruajtur e trashëguar brez pas brezi.

Atije lind dielli’ i qeshur edhe hëna e gëzuar
Fat’ i bardh’ e mirësia në atë vend janë mbuluar;
Nat’ atije, është tjatrë natë edhe dita tjatrë ditë,
Në pyjet e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.
Çfarë duhet të bëjmë?

Duhet të bëjmë atë që bën çdo njeri, njeriu më i afërt, njeriu i zemrës për njerëzit e vet. Unë jam rritur në shtëpinë e gjyshes, te dajallarët, dhe e di mirë se çfarë bëjnë njerëzit e zemrës për njëri-tjetrin. Dajua im, Safeti ngrihej shpejt në mëngjes dhe merrte rrugën për në Frashër. Hidhte në qafë një peshqir dhe kur vinte para tre busteve të vëllezërve Frashëri hiqte peshqirin dhe u fshinte sytë, ballin, buzët nga vesa e mëngjesit. Ja kështu duhet ta mbajmë shqipen tonë të pastër, duke ia fshirë fytyrën nga pluhurat e kohës.

( Kjo pjesë është shkëputur nga libri i sapodalë në treg i autorit të mirënjohur Xhevahir Spahiu, me titullin “Dritare sprovë”. Ky libër flet për gjuhën shqipe, duke e cilësuar si një nga gjuhët më të moçme në Evropë.)