Nëse një ditë, zërin s‘ma dëgjon më,
dhe ti ke shumë mall për mua:
Lexoji vargjet e dedikuara një nga një!
Aty do kuptosh se të kam dashur dhe të dua.
Kur të jesh e trishtuar e gjendesh në vështirësi,
të gjitha premtimet e mia, ti, mbaji në mend.
Gjithmonë, me shpirt e zemër do të jem te ti.
Në çdo kohë do jem dielli i agimit tënd.
Nëse ndihesh vetëm e në shpirt ke ftohtë
e rrotull teje nuk shikon më dritë.
Mendo dashurinë tonë të ngrohtë!
Me ‘te s‘do ndihesh vetëm, për asnjë ditë.
Vendi im
Atë ditë retë shtrydhnin shi
e vetëtimat si gjilpërë shponin ajrin jasht.
Vendi im i vjetër dhe i ri
çdo urrejtje kthente mbrapsht.
I tillë është vendi im
i butë, por dhe i sertë.
Sa herë që për të bëja hartim
do merrja notën dhjetë.
Koha shtrydhte retë si peshqirë, diku
e vetëtimat digjeshin si zjarre brenda.
Vendi im përsëriste:”Jam këtu”,
si fjalë dashurie, të pathëna.
Babai
Babain shumë herë e kisha parë,
të rriste misrin, thekrën, grurin,
çdo ditë i shtohej një rrudhë në ballë,
dhe rrudhat thoshte janë për burrin.
Çdo pikë uji e çonte te bima,
herë vetëm e herë bashkë me shiun,
dhe të lidhej dhe t’i mbahej fryma,
dhe lodhja-thoshte-është për njeriun.
Ndodhte shpesh, në shtëpi kur kthehej,
të qeshte shtëpia e tëra,
nga fryt i punës niste të dehej,
dhe thoshte “Aq sa munda, bëra”.






















