-Tregim –
Çdo mëngjes i radhës është fillimi i ditës së mbetur, njëra si zgjatim i tjetrës. Edhe nëse në një ditë të vetme nuk e vë re cakun, befas sheh veten në anën tjetër. Kështu një ditë të radhës e dallon nga të tjerat se ke kaluar cakun, ke humbur atë që ke dashur e të duket se ke rënë edhe vetë në gropë , ku nuk të nxjerr kush nëse do e bie aty!
Ai dilte çdo ditë kuturu, ku ta çonin këmbët. Donte të lodhej, të raskapitej fizikisht, vetëm të mos mendonte , se sa herë mendonte për çfarë i kishte ndodhur e kuptonte veten më pak.
Në tapetin e gjelbër të Parkut e anash Sheshit Skënderbej, mbjellë me lloj lloj bimësh e pemësh, deri dhe me fiq, kërkoi me ngulm të gjente tërfil, që i kujtonte fëmijërinë, fshatin e fatin. Shpirti i binte si këmborë, nga ato që qajnë e qajnë e ulërijnë, shkojnë për ujë e ujë nuk pijnë .Këputi një tufë tërfil , të gjitha dolën me nga tre gjethe. Nuk kishte as këmborë, as tërfil me katër gjethe.
Epo, nuk mund të kesh fat kur kërkon gjëra që nuk ka!
Disa ditë duhen jetuar vetëm një herë, qofshin ato të mira a të këqia. Nëse te ditët e këqia nuk do të kishte asnjë rreze, asnjë minder ku të uleshe, asnjë sup ku të mbështeteshe, nuk do t’ia kishe dalë. Duhet guxim të bësh jetën si të të vijë, pa dashur të kthehesh pas a të shkosh më shpejt përpara, duke i kapërcyer ditët si shkallët , dy e nga dy. Nuk të pret koha. Të duash do të thotë të presësh dhe të lëndohesh, sepse dashuria e dhimbja e bëjnë shpesh rrugën bashkë. Ajo i kishte thënë një ditë se atë pasqyrëzën e vogël në formë zemre, ku shihej shkarazi, e mbante në çantë sa për t’u hedhur një dorë flokëve e të bënte ritin e buzëkuqit, pa menduar kurrë se një ditë këtë do ta bënte për herë të fundit.
Iu kujtua se kishte humbur zonjën me pasqyrën e vogël në formë zemre, si të kishte humbur yjet e qiellin e iu duk vetja tepër, por nuk mund t’a harronte dot, i dukej sikur e kishte në krah, aty për të, në një kohë kur askush tjetër nuk ishte aty.
Për herë të parë ndjeu dobësi për ata që besojnë, në gjithçka që besojnë. Kur humbasin kanë ku mbahen, nuk bien. Nuk kanë frikë.
Ajo ishte nga ato ku mund të mbaheshe.
Një orë më vonë, i lodhur shumëfish, këmbët e çuan në Rrugën e Kavajës. Prej kohësh e pinin kafen te Dorashka, një lokal i këndshëm në prerjen e Rrugës Bogdani me Rrugën e Kavajës. Ajo kishte harruar njëherë aty dorashkat dhe prej asaj dite as u vinte më në mend se lokali kishte emër tjetër.
Kur u hahej diçka , përballë, në anën tjetër të rrugës ndodhej Proper Pizza: të dilte përpara për mirëseardhje Ajnshtajni, dora vetë ky në foto, me gjuhën përqeshëse jashtë. Sipas bosëve të lokalit, pica e tyre ishte një bombë e vërtetë ushqyese, shpikur me formulë , si nga mendja gjeniale e këtij përqeshësit.
Kjo foto është shkrepur më 14 mars 1951. Ajnshtajni po kthehej nga festa për 72 vjetorin e ditëlindjes së tij. Ishte në sediljen e pasme të veturës së drejtorit të institutit shkencor ku punonte kur paparacët e zbuluan e deshën t’a fotografojnë e intervistojnë, gjë që kurrë nuk i kishte pëlqyer t’a bënte.
E gjeti me vend të nxjerrë gjuhën! Fotografi Arthur Sasse fiksoi në aparatin e tij këtë moment.
Është fotoja e tij më e famshme, madje më e famshmja në të gjitha kohërat. Paparacit që pati fat e bëri shkrepjen emri i ka hyrë në histori. Vetë Ajnshtajnit i pëlqeu aq shumë sa e ka “prerë”, duke lënë vetëm portretin e tij. Fotoja është printuar në miliona kopje e stampuar në bluza, postera, kartolina, filxhanë.
Thonë se në Shqipëri kjo foto gjendet gjithandej, po unë dëshmoj se e kam parë te Proper Pizza, ku protagonistët e këtij rrëfimi, sindozot dhe vetë, kemi rrëkëllyer krikëlla me birrë e kemi shijuar pica që i qajnë, më të mira se çdo reklamë.
Për forcë zakoni ai hodhi një sy te Dorashka, u kujtua se kurrë nuk ishte ulur të pinte kafen vetëm, doli e u drejtua te Proper Pizza. Ndoshta ky malukati gjeni ia kishte gjetur formulën humbjeve njerëzore.
Ajnshtajni i kishte shkruar vajzës së tij se dashuria është një forcë ekstremisht e fuqishme, universale, që shkenca ende nuk ia kishte gjetur spjegimin. Do të duhej kohë, vite e dekada, derisa shoqëria të kishte përparuar mjaftueshëm për të pranuar këtë, prandaj ai porosiste vajzën t’i ruante gjatë këto që po i shkruante, sepse do të haste në keqkuptime e paragjykime, ashtu si ishte keqkuptuar e paragjykuar kur propozoi së pari teorinë e relativtetit.
Dashuria është dritë, që ndriçon ata që e japin e ata që e marrin atë, i shkruan ai vajzës; dashuria është gravitet, sepse ajo bën që disa njerëz të tërhiqen nga disa të tjerë; dashuria është fuqi , sepse shumëfishon gjërat më të mira te secili dhe lejon njerëzimin të mos shuhet në egoizmin e tij të verbër.
Dashuria shpaloset dhe përshfaqet, sepse për dashurinë jetojmë e për dashurinë vdesim.
Kjo forcë që i jep kuptim jetës është variabli i injoruar për një kohë kaq të gjatë, ndoshta se kemi frikë nga dashuria, sepse ajo është e vetmja energji në univers që njeriu s’ka mësuar t’a drejtojë me vullnet të lirë.
Dhe për t’a bërë mrekullinë të plotë , ai në vijim i pohon vajzës: Për ta bërë të dukshme dashurinë, kam bërë një zevëndësim në ekuacionin tim më të njohur. Nëse në vend të E = mc2, ne pranojmë që energjia për të shëruar botën mund të arrihet nëpërmjet dashurisë së shumëfishuar nga shpejtësia e dritës në katror arrijmë në konkluzionin se dashuria është forca më e fuqishme që ekziston, sepse ajo është e pakufishme.
Nëse duam që specia jonë të mbijetojë, nëse duam që të zbulojmë kuptimin e jetës, nëse duam që ta shpëtojmë botën dhe çdo qënie me ndjenjë që ekziston, Dashuria është e para dhe e vetmja përgjigje.
Çdo individ mban brenda vetes një gjenerator të vogël të fuqishëm të dashurisë, energjia e së cilës pret që të çlirohet.
Dukej sikur Ajnshtajni po i hakërrehej. Mos është fikur gjeneratori yt i dashurisë e pret kot çlirimin e energjisë? E pa veten me atë zonjën në krah, si dikur.
Ja, i tha ai, m’u shfaq vetja këtu ku jam tani e si jam tani , me të në krah, ku e kam tani e si është tani, e unë e mora hopa për të ta ruajtur nga një pellg uji, më kujtohet. Më kujtohet kur vinim këtu drejt e nga kafe Dorashka.
Si të merrte vesh se ishte vërtet ajo që donte të ishte , apo ishte thjesht një vegim?
Pa rrotull e ajo nuk ishte aty.
Zgjidh çdo të jesh, i tha vetes, helm apo kurë!
Kishte kohë që shumë gjëra i dukeshin kot, madje dhe krevati ishte tepër i madh për një njeri të vetëm. Ti rrëzohesh kollaj, dukej sikur i thoshte gjysma që mungonte në pjesën tjetër të shtratit. Mua nuk më rrëzon kush. Nëse jeta më godet unë e godas më fort e qëndroj.
Mos ai kishte hequr dorë nga lufta, kishte dezertuar?
E di ç ke? – i tha pjesa tjetër e shtratit ,- mund gogolin brenda teje, mund frikën tënde! Edhe kur do dikë duhet të mundësh frikën. Ta mundësh frikën edhe kur fiton, edhe kur humbet. Si të jesh në luftë. Atë që ndjen e sheh vetëm ti, të tjerët shohin atë që bën. E çfarë ke bërë për dashurinë, si e ke treguar atë?
Ja, duke dëgjuar e duruar njëri tjetrin, i mbushi mendjen ai vetes,- duke mundur secili pasigurinë e vet. Nuk e kishim bërë kurrë më parë!
Askush nuk e di shkon ti te fati a fati vjen te ty?
Çifti më i mirë në botë, në fakt, është ai që lëshon pe, që bën kur duhet një hap pas. Është e sigurt që është hap përpara.
Kishte pasur kohë të mendohej mirë çfarë kish bërë e po bënte. Kishte pasur kohë të merrte vesh mirë se bukuria te njeriu, te ajo grua, nuk ishte ajo që shihej nga jashtë, bukuria e njeriut është brenda tij e zbulohet pak nga pak e përherë dhëmb.
E kishte parë frikën në sytë e të tjerëve, po deri atë çast nuk ia kishte marrë mendja se mund ta zinte paniku nga dashuria.
E di, i kishte thënë njëherë ajo, je i vetmi njeri që edhe nëse më çon në mes të asgjësë nuk mendohem dy herë të të ndjek!
E, dhe ti je e vetmja për të cilën do të lija kokën, – i kishte thënë ai.
Zot, sa gabime kam bërë e vazhdoj të bëj, ca nga padia e më shumë nga dashuria, bie përherë brenda e përherë jam mbetës, tha ai
Në një ditë rrokullimë si kjo edhe Zoti do të kthente një gotë, po ai flokëshpupurisuri vazhdonte të nxirrte gjuhën.
Hë, ti që na thuaj “merrni ju burra një qen e merrni ju gra një mace , syrgjynosuni e mbytuni në pizhamat e vetmisë tuaj”, ti që i ke ditët pa radhë e pa emra, mbete zemër vërdallë?
Nuk e dinte që dhimbjet e zemrës ndihen trefish, edhe në stomak e në mushkëri. Malli është si pandemi, të merr frymën.
– O zoti Ajnshtajn, – u lut nën zë ai,- ti që i di të gjitha, që shpike formulën e bombës e të dashurisë, të lutem, më ndihmo si të gjej veten time! Më ndihmo të gjej atë që më ri ngriti në këmbë e më la sërish si më gjeti. Ku është, si e kalon mëngjesin, ditën, natën, ditëlindjen, a e ka gjetur atë që ka një jetë që ka kërkuar : të ndihet ajo që ndihet se është?
Zoti Ajnshtajn, të lutem, gjeja formulën shpirtit njerëzor, hiqua zemberekun sëmundjeve, frikërave, qejf mbetjeve të vogla e të mëdha, çliroje njerëzinë nga makthi e lëri të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë : të duan!
Të lutem, mos më nxirr gjuhën, ndihmomë që të bëj paqe me veten, më trego si të gjej atë që kam humbur në këtë kohë të shpifur kur ndjen nevojën për diçka që të ngroh!
Bëje dhe këtë shpikje, nëse mund ta bësh, e do të jesh Zoti im!
Flokëshpupurisuri për karshi nga 14 marsi 1951 vazhdonte ta sfidonte gjithë botën dhe atë duke nxjerrë gjuhën: nuk kam asgjë tjetër për të thënë!
Mirë të më bëhet! – tha protagonisti im. Dhe bëri të njëjtën gjë si flokëshpupurisuri përballë, ky në foto, – nxori gjuhën. Por jo për botën,- i nxori gjuhën vetes!