Suplementi Pena Shqiptare/ Riza Çato: Këtej nga po shëtisja sot

Këtej nga po shëtisja sot,
rruga ishte ngushtuar fare!
Mbi ledh një pemë, por fare kot,
ish kandidate për në varre!

Dikur kjo pemë veç lulëzonte,
një vend i bukur për dashuri.
Mbi fletë bilbili kur ja thonte,
ulesh dhe hëna mbi tepsi.

Sigal

Sa shumë fëmijë atje shikoje,
me plot gëzim edhe hare.
Kur yjet nis e numëroje,
për këtë pemë veç bëhej be.

Tani që kohët kanë ndryshuar,
kjo pemë ka ngelur pa rini.
Dhe dielli përmbi degë kaluar,
mezi ja shkel të mirin sy.

Të dy u plakëm para kohe,
mbi supe mbajmë një jetë të tërë.
Ajo mbi brinjë, ushtar, bën roje,
unë në Tiranë si i përzënë.

Unë e kujtoj edhe ndjej mall,
ajo e tharë gjer në rrënjë.
Sa herë nga këto anë kur dal,
shkoj e shikoj e lë një shënjë.

Me erën ndonjë fjalë ja nis,
kur mungoj gjatë e s’ia shoh shtanë.
Dhe dimrin si një fletë e gris,
të rrojë më gjatë ja kam sevdanë.

Këtej nga po shëtisja sot,
rruga ishte ngushtuar fare.
Një pemë pa fletë diçka më thotë:
më thau shokë vetmi e madhe.