Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Alma Jaku

379
Sigal

ALMA JAKU

Mos vuaj ….

Kur ia puth gojën të dashurit tim
Sytë e smeraldtë i bëjnë dritë
Ndaj unë e dua për atë vegim
Të blertë i ka, si hala në pishë!

Kush si Ai të puthë s’ka ditur
As fjalë të ëmbël s’pati si mjaltë
Në mijëra yje lindur e fikur
Askush si ai s’pat shpirt të bardhë

Oh, gëzimplotë është i imi djalë
Si burimet e maleve ku është rritur
Më mbështjell krahëve si qelibar
Fryma i vjen si pjalmi i pishës

Dhe ndjej një fllad që ndizet zjarr
Si ujë burimi kur merr hov mali
Flaka s’më tremb dhe vrapin e marr
Në pikla vese buzëqeshet fati!

Si mund të ndalem pa e dashur
Kur ai më thotë veç veten duaj
Nëse një ditë ty të lëndoj
Më hidh në lum veç ti mos vuaj