Suplementi Pena Shqiptare/ Tregim nga Sokrat Ndreçka

489
Sigal

Qyteti zbathur

Sokrat Ndreçka

 

Në këtë qytet jetojnë njerëz. Eshtë vend i populluar me banorë të hershëm dhe të rinj. Qyteti ka histori të lashtë. Shumë nga personazhet, që vendasit i quajnë mitikë, vijnë nga shekujt e kaluar. Nuk është vënë dorë në prishjen e identitetit të veprave të artit, siç janë monumentet, basorelievet, bustet, banesat me konstrukt ndërtimi, që datojnë nga kohë që nuk mbahen mend. Këtu njerëzit  njohin  data, ngjarje, histori mbijetese të këtyre anëve. Qyteti ka ruajtur të paprekur në kujtesë përpjekjet e brezave për t`i rezistuar mbijetesës njerëzore, për shkak të dhunës së ushtruar dhe mungesës së lirisë së vërtetë. Gjurmët janë tipike dhe mbahen si një muze i gjallë i kohërave që kanë kaluar. Diku duken gjurmë rrugësh të vjetra, ndërtuar primitivisht, shikon urëkalime si vepra të një kohë të caktuar, ku njerëzit kanë dokumentuar historinë e tyre, mundin  lodhjen. Pak më tej shpalosen ca vepra arti ushtarak me emërtesë të çuditshme, bunker. Këtu dhe më gjerë  banorët janë “mbrojtur” nga armiqtë imagjinarë. Çuditë nuk kanë fund. Nuk janë prishur, mbahen akoma në funksion, jo pse kanë ndonjë shërbim funksional. Nuk janë as muze, as vepra arti, monumente kulture, që mbrohen nga shteti. Askush nuk di të japë ndonjë përgjigje të saktë përse vazhdojnë të mbahen gjallë. Këta bunker, këta përbindësh, që kanë terrorizuar njerëzit, qendrojnë stoik përballë kohës për paqe e liri në cdo cep të botës. Ecim më tej. Vendstrehime pa numër në qendër të qytetit. I gjen  në mes të lagjeve të banimit, përkrah ndërtimeve, që i bëjnë karshillëk qytetërimit modern. Thonë se këto objekte janë dorëzuar dhe nuk kanë më asnjë efekt veprues mbi psikologjinë e njerëzve. Të tjerë komentojnë sepse i duhen shoqërisë për të folklorizuar një sistem shoqëror e politik të dështuar. Të tjerë japin variante nga më qesharakë. Se ku e kanë bukurinë këto vendstrehime,s`ka modelist që i shpjegon. Ato e ruajnë të pandryshuar konstruktin e ndërtimit. Nuk ka ndonjë shenjë, ndonjë tabelë, apo mbishkrim ku të thuhet se këtu janë strehuar banorë për t`u mbrojtur nga sulmet armike. Këtë nuk e gjen askund. Duket sikur kanë kaluar shumë dekada dhe gjerat  janë lënë prapa. Duken si pa shumë rëndësi. Në fakt këta vendstrehime kanë qënë fantazma të një sistemi shoqëror, ku njerëzit nuk dëshirojnë t`a kujtojnë më, nuk duan të kthehet prapa ajo kohë e mallkuar. Kur pyet në qytet se si bëhej vakuimi i njerëzve të “kërcëuar nga armiqtë”, ata nuk duan të gërmojnë kujtesën për të zbuluar histori me  fantazma lufte imagjinare. Megjithatë në këtë qytet edhe sot ka gjurmë të historisë së asaj kohe, e cila ka goditur rëndë njerëzit, që u mbahet fryma kur i kujtojnë. Ndoshta këto gjurmë janë bërë shkak i bastisjes së qytetit, largimi i shumë njerëzve, që e kanë lënë qytetin të shkretë. Veç ndryshimeve që janë bërë, qyteti duket i mekur, i torolisur, i varfër, njëllojë si ndërtimet e sulmuara nga predha tankesh e katjushash në fronte lufte njerëzore. Njerëzit nuk janë ndjerë kurrë rehat, nuk kanë diçka të vetën për të qeshur, për t`u gëzuar. Njerëzit jetojnë në një qytet të ndotur, të harruar, të braktisur nga organet shtetrore. Në këtë qytet ka njerëz, ka popull, por mungon qytetërimi. Mungojnë elementët e shprehur në vepra arti, në kulturë, në demokraci, ashtu si në venbdet e Bashkimit Europian. Banorët këtu nuk e kanë mendjen tek arti, tek kultura, tek trashëgimia intelektuale dhe qytetrimi modern. Ato janë larg. Njerëzit nuk lejohen të gëzojnë lirinë dhe demokracinë e vërtetë. Jetojnë në një qytet ku duket se cdo gjë është lënë rastësisë, ku jetohet për sot, për një copë bukë, ndërsa për kohën e nesërme nuk ka kush mendon. Pallatet të zhveshur nga jashtë. Nuk ka suvatime. Ngado tuba të zinjë plastikë kacavirren nëpër hyrje, dhe lënë shije të keqe në dukje. Janë tubacione ujë, fije elektrike si rrjetë merimangash, që s`i gjen në asnjë vend të botës si këtu. Eshtë bërë kohë e gjatë dhe askush nuk jep projekt se si mund të ndryshojë kjo situatë. Mureve të   godinave u ka rënë suvaja. As dallëndyshet nuk ndërtojnë më fole për të çelur zogjë. Mundohu sa të duash për të gjetur arsyen pse ka ndodhur kështu në këtë qytet bregdetar në  historinë e tij të re dhe të vjetër. Në këto godina, në këto banesa kanë ardhur në jetë mijëra njerëz dhe mijëra kanë ikur nga kjo botë. Historia e jetës së tyre  ka qënë e trishtë, e mbushur plot me ankth. Nuk e kanë besuar  veten kurrë se e ardhmja do çlirojë nga makthi i krizës për pak dritë lirie. Përkundrazi I ka shoqëruar mallkimi në çdo hap, deri në finishin, aty ku prehen sovranë, mbrtër, njerzit që kanë shkruar histori pa fund. Sesi më duken sot ndërtesat ku njerëzit hyjnë e dalin si në gërmadha, në vendstrehime, në ndëretesa që  ngjajnë më shumë  me strofka ku qendrohet sa për të mos mbetur rrugëve. Mure të nxirë, dritare të mykosura nga lagështia, hyrjet janë katandisur si kapërxyelle gardhesh dhe asgjë më shumë. Nuk të zë veshi qeshje, apo qarje fëmijësh. Janë rralluar edhe cicërimat e zogjëve. Ndoshta jo kudo kështu. Ama, ajo që mbetet në mend është se diku-diku shikon shënime ku thuhet:  pallatet janë jashtë sigurisë teknike, ruhuni nga shëmbja e tyre. Nuk është aspak metaforë, por realitet që preket dhe shikohet me sy të lirë. Nuk ka nevojë për shpejgim akademik pse ka ndodhur të trashëgohet kaq gjatë ky realitet, i ngjashëm me shkatërrimet masive që vijnë nga fatkeqësitë natyrore. Janë të padurueshme terene të tilla, por nuk ke ç`i bën. Njerëzit, ata që nuk kanë patur mundësi të largohen, janë të detyruar ti binden kushteve ekzistuese, ndryshe ata rrezikojnë të jetojnë në natyrë të lirë. Objekte të lënë  në harresë gjen kudo. Operatorët televizivë, kamerat, fotografët e zellshëm që duan të ruajnë në kujtesë histori muzeale bëjnë  punë të lavdërueshme duke fiksuar histori për të mos I lënë të vdesin. Vrapojnë në sheshe e rrugë ku ka pak jetë për të marrë aq sa është e mundur. Këta do jenë nesër dëshmitarët e këtyre historive që nuk kanë të sosur në një vend ku përpëlitet e kaluara, si dëshmi okulare. Njerëzit nuk kanë dëshirë të shpjegojnë këtë rrënim të truallit të të parëve të tyre, por edhe të tyre. Nuk ua do zemra të tregojnë se përse u janë dashur kaq shumë bunker në mes të qendrave të banuara, në anë të rrugëve, bri pyjeve, pranë bregdetit, aty ku natyra ka harmonizuar aq bukur detin, pyllin dhe ajrin e mbushur me jod. E kanë lënë në rënkim të thellë tokën e quajtur dikur arbërore. Tokën e shqiponjave. Qyteti nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm. As toka nuk e ka më fuqinë për të prodhura, duket e ftohtë. E ftohtë, e akullt si në moshën e fëmijërisë së largët, kur qyteti ishte zbathur dhe njerëzit ndiheshin komod. Kur qyteti kishte emrin qytet, ndërsa qytetrimi dukej tepër larg. Kështu ndodh edhe sot kur flasin e flasin për qytetërim modern. Ku është demokracia që kërkojmë? Ndoshta nuk na pranon. Në qoftë kështu, faji nuk është i askujt. Faji është i yni. E sigurtë është se qyteti është zbathur. Njerëzit e resorteve, shteti dhe bota modern e njohin dhe  e pranojnë këtë realitet. Ata nuk janë kundër, por nuk janë as të motivuar për një qytet bashkëkohorë, ku njerëzit të mos ecin zbathur në shekullin e të gjithëve. Eshtë domethënëse shprehja: Njeriu ka lindur për t`u lutur për liri, në një botë që nuk e toleron atë. Mjafton kaq.