Suplementi Pena Shqiptare/ Merita Gruda: Retë dolën qiellit shëtitje

 

BABAI

NOA

 

Është plakur babai,

por nuk ankohet,

se nuk do të na mërzitë ne, vizitorëve të largët.

Kur dalim bashkë,

thotë se biçikleta e ka bërë dembel,

ndaj nuk bën dot rrugë të gjata në këmbë.

Kur pikon çatia, fajin e kanë shirat,

që bien më rrëmbyer se më parë,

sa nuk ka tjegull e ulluk t’i mbajë

Dhe jo se ai nuk mundet të ngjitet në pullaz.

Këtë vit edhe me drutë nuk është i kënaqur:

gjithë neje, mezi çahen.

As stivë nuk i vë dot si i do.

Dhe shpina e kockat i dhembin më fort,

faji i motit që shumë shpesh ndryshon.

Lëvizjet i janë bërë më të ngadalta,

i janë shkurtuar rrugët,

Veç zemra, e madhe, ka mbetur po ajo.

Është plakur babai,

por ta pranojë, druan se na lëndon.

 

Retë dolën qiellit shëtitje

 

Retë dolën qiellit shëtitje;

asnjëra krehur njësoj,

si vajzat në xhiron e darkës

lozonjare, nga bisht i syrit

rrëzojnë një pikë shi

e dheut poshtë i plas zemra.

 

U plak dhe kjo ditë

 

U plak dhe kjo ditë

muzgu e përcolli në të fundit hapa

një grusht Iskra jetë e saj,

heshtur u shua nën peshë kujtimesh

humbur nëpër natë,

dielli lypë një ditë të re!