Suplementi Pena Shqiptare/ Kiço Blushi për Dritëroin …Viti 1997

163
Sigal

“ Nuk e di se si mund të ketë ndodhur që në një fshat të Devollit ( Menkulas) është shënjuar me emrin Dritëro një foshnje që destini historik nuk do ta lejonte të ndiqte trashëgiminë e të bëhej bujk, por shkrimtarin më të madh e më shqiptar të këtij shekulli. Nuk e kam për zakon të flas në mënyrë kategorike për askënd e për asgjë, pasi e di fort mirë që kjo veti , në mos është shenjë budallallëku , së paku është shenjë servilizmi. Nga kjo e dyta nuk kam frikë. Kur Dritëroi ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve disa herë jam ndeshur me të e prapë ne mbetëm këta që jemi: kuvendarë të respektuar e për këtë ka meritë fisnikëria e Dritëroit.

Nuk ka qenë një rast që Dritëroi është sulmuar në mënyrë të turpshme nga letrarë e shkarrashkrues gazetash, të cilëve ai u ka bërë ndere të mëdha, jo vetëm duke i përkrahur për botimin e librave, por edhe duke i sjellë nga periferitë në qendër të Tiranës, pasi atëherë, siç dihet , nuk ekzistonte “qarkullimi i lirë “ i njerëzve si sot. Por asnjëherë dhe në asnjë rast, në shtyp jo se jo , por as me gojë ai nuk ka dëshirë të shprehet “ për ata “. Shkrimtari nuk e shan shkrimtarin- thotë ai shkurt, duke i rënë një ngjyrë e kuqe në fytyrë, për të treguar se ai nuk e ka për zemër të flasë për mëkatin e mosmirënjohësve, por edhe se ata ai i ka falur, pasi, si zhbirues i lindur i shpirtit njerëzor e di fort mirë se shumë njerëz të rëndomtë bien kollaj pre e tundimit për shkak të varfërisë shpirtërore e materiale, gjë që, me shkak apo pa shkak, prish karakterin dhe moralin njerëzor. Nuk njoh asnjë personalitet tjetër të letrave e të kulturës sonë që të mos ketë frikë nga e kaluara, nga e sotmja ( nevojat materiale marrëdhëniet shoqërore me partitë, me publikun etj), por edhe nga e nesërmja (ç’do të thonë lexuesit nesër). Sidomos në këto vitet e fundit kemi pasur fatin të shohim lakuriq shumë personalitete që hermetizmi i çdolloj diktature i vesh me një vel fals. Të trembur nga e kaluara e tyre, duke dhënë prova mashtruese për gjoja disidencë, ata nuk e kuptuan se kësisoj përfitimi nga e sotmja do të sjellë pashmangshmërisht rrënim të së nesërmes ( të emrit të tyre). Kthimi i vlerave në antivlera dhe anasjelltas, dukuri kjo mjaft e prekëshme në këto vite ka sjellë prishje të ekuilibrit moral në shoqërinë shqiptare dhe është kjo prishje ekuilibri që solli rrënimet e shkatërrimet e fundit. Emri Dritëro është pa dyshim ndër ato emra që jo vetëm sot, por edhe nesër do të shërbejë për të kuptuar se historia e Shqipërisë ka patur edhe burra të vërtetë që vlerës intelektuale i japin karakter universal e të pavarur nga konjukturat kohore. Nuk gjen në Shqipëri në asnjë kadastër a zyrë civile ndonjë person me emrin Dritëro. Kjo veçanësi e emrit Dritëro nuk vjen nga “ shënjimi profetik” i bërë 66 vite më parë, por nga jeta publike që ka bërë ky burrë tashmë i thinjur, kryeneç, kokëfortë, krenar, zemërmadh e, mbi të gjitha, i urtë, prej veprës së të cilit bota shqiptare është drithëruar për gati 50 vjet e do të vazhdojë të drithërohet në shekuj… “