I trishtë janari kur s’ka bore.
E trishtë gjithçka kur bie nata.
E trishtë një vajzë në moshë të bukur.
Që nuk e ndjek një djalë nga mbrapa.
E trishtë një vjeshtë që nuk ka dasma.
E trishtë kur mbyllur rri një portë.
E trishtë një zemër djaloshare,
që për dikë s’ka rrahur fort.
I trishtë je ti ore njeri,
që asnjëherë nuk rebelohesh!
I trishtë një trëndafil i bukur,
që çel, por thahet para kohe.
I trishtë një plak që vdes vetmuar,
që nuk u ngop me dashuri!
I trishtë ai që është rrëzuar,
dhe nuk është ngritur përsëri.
I trishtë një lumë që s’shkon në det,
e humbet pak nga pak në zall.
E trishtë një portë ku nuk trokasin,
e trishtë një zemër që s’ka mall.
E trishtë një urë ku s’shkojnë njerëz.
E trishtë një re që vdes mbi dete.
I trishtë njeriu që s’ka në zemër,
një dhomë të fshehtë me ca sekrete.
I trishtë është dhe një qiri,
që nuk bën dritë sa herë ka terr.
Të trishtë jemi ne të gjithë,
kur nuk ndriçojmë dhe për të tjerë.





















