Dëborë në fund të marsit
Dëbora erdhi papritur,
e bukur, e brishtë, e butë.
Sa të shkundë dëborën marsi,
prilli ndaloi pak çaste në rrugë.
Dëbora që zbriti si ëndërr
I zbardhi çatitë, pemët, rrugët.
Që t’i thotë pranverës: “Prit edhe pak,
pastaj mund t’i heqësh këpucët.”
Dëbora e veshi me te bardha pranverën,
dhe mjegulla mbi lumenj grishet.
Ndoshta i thotë prillit: “Prit edhe pak,
prit sa të vijnë të gjitha dallëndyshet.”!
Ra dëborë këtë fund marsi,
në fshatra, në qytete, kodrina,
që manushaqet të zgjohen nga gjumi,
që dimri plak të ikë me thinja.
Dëbora erdhi papritur,
e bukur, e brishtë, e butë.
Sa të shkundë dëborën marsi,
prilli ndaloi pak çaste në rrugë.
Më dehu sot ky qiell blu;
kjo vajzë që një djalosh po pret,
dhe këto yje që më duket,
sikur do ulen mbi qytet.
Me dehën këto re të bardha,
që nuk e di se për ku ikin.
Me dehu dhe ky plak i bukur
që doli fitimtar mbi gripin.
Më dehu kjo shqiponjë krenare,
që kurrë s‘lëvizi nga flamuri!
Më dehu sonte dhe kjo lule,
e mbirë mbi një të çarë guri.
Më deh një trendafil i egër,
kur çel petalet një nga një…
Më dehin rrugët në vendlindje,
më deh kujtimi për dikë.
Më deh një zog kur vjen pranvera,
se krahët hap e ikën larg,
mė deh kjo grua heroinë,
kjo grua që lindi trinjakë.
Më deh kjo borë që nis papritur,
e lehtë, magjike dhe e pastër…
Vet mali Gjerë e hedh me dorë,
e hedh me dorë mbi Gjirokastër.
Më dehu dhe ky rrap i moçëm,
që s‘dihet se nga ç‘dorë u mboll,
prandaj nuk dua të më thoni,
se dehesh vetëm me alkol!




















