Dil nga dhimbja ku je strukur,
fshiji lotët përmbi faqe!
Dil siç del prilli prej dimrit,
mbushur plot me manushaqe!
Dil nga dhimbja, qetësoje,
shpirtin që aq shumë të dhemb!
Jeta ka ende shumë rrugë,
zemra ka akoma vend!
Dil nga dhimbja, vajzë e brishtë,
e venitur me të qara,
mund të dashurosh sërish,
mund t’ia nisësh nga e para!
Mos e kthe më kokën pas,
për një ëndërr që t’u prish…
Thyhet një degëz në pemë,
çel syth prapë në mars sërish!
Dil prej dhimbjes që po vuan:
Harroje atë ngadalë.
Dil siç del një pikëz loti,
që është fshehur nën qepallë!
Dil nga dhimbja që të vret!
Harroje plagën e vjetër,
dhe kërkoje sërish fatin,
trokit në një zemër tjetër!
Dil nga dhimbja ku je strukur!
Fshiji lotët përmbi faqe.
Dil siç del prilli prej dimrit,
mbushur plot me manushaqe!






















