Ishte viti 2008 kur kishte disa kohë që më kishin liruar nga ushtria, motivuar nga reforma si i padenjë për të milituar më tej në radhët e saj as si komandues e as si pedagog në shkollat ushtarake. Falë diplomës që kisha fituar nga shkolla gjysmë e lartë për mësues matematike në Shkodër, munda të gjej një punë si mësues në një shkollë të mesme fshati periferik të kryeqytetit. I edukuar për të qenë i rregullt, në uniformë, në orar, në mësimdhënie e në vlerësim të punës së çdo nxënësi, më doli nami si ’i rreptë’. Në klasën time në kujdestari kisha më shumë djem se sa vajza. Midis tyre ishte edhe një nxënës ‘yrnek’ rreth dy vjet më madh se të tjerët nga që kishte pasë qenë mbetës në matematikë e thyerjes të dispilinës. E sillte klasën vërdallë dhe prishte gjithnjë mësimin. Ai ishte kthyer në problem të shkollës, sepse bënte prapësira të shumta, e ç’nuk bënte!? Ishte lidhur edhe me të rinj jashtë shkollës që merreshin me drogë, por kjo ishte tepër e fshehtë. Kishte edhe shpatullat e ngrohta ngase thuhej se drejtoreshën e shkollës e kishte teze. Në orën time të matematikës mua më drejtohej vetëm me fjalën “komandant”. Kurrë nuk më tha “mësues”. Kujtoj që një ditë të martë i thashë: “O Lenci, hajde pimë një kafe në klub!” Kisha orë pushimi. Iu luta edhe mësueses së asaj ore, për ta lejuar Lencin që të vinte me mua. Ai u befasua: “Unë të pi kafe me komandantin?!” Dhe hyjmë në klub. Fola unë i pari:”Je djalë shumë i fortë dhe të kam qejf se je guximtar. Nuk është e thënë që ti të jesh shumë i mirë me mësime, por ty të ka hije që të japësh shembullin për respektimin e orës mësimore. Kur jemi në klasë duhet të rrimë urtë. “Ai po më dëgjonte me kujdes; të paktën kështu m‘u duk mua. Vura re se më kish ngulur sytë te kollaroja ime e kuqe në këmishën e bardhë dhe herë pas here ngrinte sytë lart te thinjat e mia. Fytyra e tij merrte forma e mimikë të ndryshme. I fola goxha, sikur të ishim shokë të vjetër me të. Por nuk i shpreha asgjë nga këto mbresa që po krijoja për sjelljet e tij të mbrapshta. Kur, pas disa minutash, në klub hyri mësuesi i fiskulturës. Ai na pa e na përshëndeti me kokë. Ky, Lenci bashkëbiseduesi im i tavolinës, i thirri me ton urdhërues e brutal:”Hajde këtu ti!” Ai u afrua. Nxënësi im, befas, futi dorën në xhep. Për një çast mendova më të keqen se mos nxirrte ndonjë pistoletë dhe bënte hatanë, ndaj u mpreha për veprime të shpejta prej sambisti. Por, jo! Ai nxorri një shuk të madh me pará me kartmonedha njëmijë lekshe dhe ia dha mësuesit duke e urdhëruar: “Ulu aty në tavolinë dhe numëroji, shpejt!” Mësuesi, deshi, s’deshi, u ul dhe nisi numërimin. Nuk pata kohë që unë të thosha ndonjë gjë për këtë veprim të Lencit, sepse mësuesi i fiskulturës u ngrit, i tregoi shumën që ishin aty dhe bëri të largohej. Por nxënësi e qortoi: “Ku shkon ti?” Sakaq hoqi nga shuka e parave dy kartmonedha njëmijëlekshe dhe ia dha duke i thënë” Si shpërblim për punën që bëre!” I ndoqa me shumë vëmendje tërë këto fjalë e veprime dhe nuk fola. Mësuesi u largua. Nisa përsëri bisedën me Lencin:” Po sikur të ishte babai yt ashtu do t’i flisje? “ Ai ma ktheu me një ton tjetër, as të butë, as të sertë, por disi vajtueshëm:” O komandant, unë babain nuk e kam njohur kurrë!” Unë pyeta vetëm “Pse?”Por ai devijoi përgjigjen. “Sa do ma kish qejfi që babai im të rrinte i veshur kështu si ti, si deputet!” Bisedën me Lencin e vazhduam rreth një orë. Të gjithë e morën vesh se mësuesi i matematikës, ai ish-oficeri, kish pirë kafe me Lencin. U hap fjala menjëherë se Lenci i kishte thënë mësuesit “ti vishesh si deputet”. Dhe, si i thonë llafit, më mirë të dalë syri se nami! Mësuesit, që e kishin problem sjelljen e tij në orën e mësimit, pyesnin-hë mo si e ka humorin sot ai deputeti”duke aluduar për Lencin. Pra Lenci, dalëngadalë mori qytetarinë edhe për t’u quajtur ’deputeti’ i asaj shkolle. Dhe deri diku kjo përligjej se ai ishte i papërgjegjshëm për sjelljet e tij. Kaluan javë dhe Lenci dukej se kish bërë ndryshime në jetën e vet si nxënës. Por krejt papritmas një ditë të premte, nuk shkon në mësim, solloiset sa andej- këndej dhe kur kishin kaluar rreth njëzet minuta nga fillimi i mësimit, hyn vrullshëm në korridorin e katit të parë dhe shkelmon me radhë të gjitha dyert e klasave ku zhvillohej mësim. Priste sa hapej dera me vërtik dhe largohej në derën e klasës tjetër. Pastaj ngjitet në katin e dytë. Edhe aty me shkelma të fuqishëm godet tri dyert e para, të cilat hapen dhe nis zhurma e poterja. Ai nuk flet aspak vetëm shkelmon dyert. Në dhomën e katërt të katit të dytë unë po zhvilloja mësimin e radhës. Befasisht shkelmohet dera, e cila hapet sikur të kish nisur një tufan. Nxënësit dhe unë, si fillim u trembëm se nuk e prisnim aspak që të hapej dera në atë farë mënyre. Lenci, me sa dukej nuk e dinte se në këtë klasë jepja unë mësim atë orë dhe kur u ndodh përballë meje, ngriu në vend. U zverdh. Për pak çaste nuk bëri asnjë veprim, por shpejt e mori veten: -Më fal, komandant! Dhe unë si pa të keq, krejt gjakftohtë, i thashë:-Nuk ka gjë Lenci! Unë dua që ti të jesh mirë! Ai uli kokën, m’u afrua me çapa të drojtura, më hodhi duart në qafë dhe më mbështeti kokën në supin tim. Qëndroi ashtu disa sekonda. Klasa që ishte ngritur në këmbë e lebetitur, tashmë ishte pushtuar e mposhtur nga një heshtje prekëse. U ndjeva tejet i përmalluar dhe pa folur, i hodha dorën mbi shpatulla duke e fërkuar me përkëdheli si prind i tij. Mua më erdhi pas disa muajsh koha për të dalë në pension. Në ditën e përcjelljes sime ishte edhe Lenci ‘deputeti’. Mbas një viti, dëgjova në një emision lajmesh se Lenc ‘deputeti’ ishte dënuar me burgim të përjetshëm mbasi kishte vrarë dy persona në qytetin e afërt bregdetar…