Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Qielli kishte re dhe toka vesë…

Ku po shkon, o partisan?

Tek kaloja rrugës për në Pezë

Sigal

tok me kryeplakun ters Hasan,

erdhi fluturimthi si një shpezë

kënga “ Ku po shkon, o partizan”.

E këndova rrugës për në Pezë

duke vërshëllyer pak nga pak.

Kryeplaku ters filloi të qeshë,

kryeplaku ende s’ishte plak.

Unë i fola rrugës për në Pezë

vrenjtur kryeplakut ters Hasan:

“ Asnjë kryeplak s’guxon ta qeshë

këngën “Ku po shkon, o partizan”.

I tregova rrugës për në Pezë:

“ Kur në luftë derdhej zjarr e gjak,

partizani s’ecte asnjëherë

nëpër shtigje me një kryeplak!

Por tani po ecim për në Pezë

bashkë kryeplak e partizan,

veçse goja jote mos përqeshë

këngën partizane, ters Hasan”!

S’dinte se në luftë ish fjalë e zezë;

fjalë e turbullt, fjala kryeplak…

Heshti kryeplaku gjer në Pezë

dhe pastaj tha: “ Të mërzita pak”…

Ndala nën një strehë atje në Pezë,

psherëtiva si një gjysh në prag.

Kënga më vërtitej si një shpezë:

“ Ku po shkon, o partizani plak!…”

Qielli kishte re dhe toka vesë.

 

 

1996