Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: “Një vajzë në kabinën time”

115
Sigal

Me të vërtetë ishte diçka e papritur. Ku ta dija unë se mund të ndodhte kështu? Unë frenova makinën e ngarkuar me trarë. E hapa derën e kabinës dhe i bëra asaj me kokë të hynte. Flokët i ishin lagur, edhe fustani i ishte lagur dhe i ishte ngjitur për trup, se binte shi. Ishte qershor dhe bënte ngrohtë. Në fillim, asaj nuk i fola, bile vetëm dy herë i ktheva sytë mbi flokët dhe kraharorin e saj. Vetëm dy herë; po e vura re se nga këto vështrime ajo u tremb dhe vuri dorën në gjoks si për t’u mbrojtur. Unë thitha cigaren dhe shtrëngova timonin me duart e mia si panxha ariu. Makina ime mori një tatëpjetë. Shikoja shiun që ndriste nga dritat e makinës si fije teli dhe më dukej sikur unë, bashkë me vajzën që kisha në krah, futeshim diku thellë mes këtyre fijeve të shkëlqyera. Pa kthyer kokën e pyeta:– Ku?– Në qytet.– Mësuese?– Jo, infermiere, – tha ajo. Sytë e mi përsëri ranë në gjoksin e saj dhe nën dritën e llambës së vogël që ndriste nga tavani i kabinës. Unë pashë një kraharor të bukur. Ajo prapë e vuri dorën mbi të.“Ka turp! mendova unë me sarkazëm. E dimë ne, e dimë sa turp kini ju infermieret!” M’u duk sikur diçka u trondit lart në karroceri të makinës dhe frenova. Hapa derën dhe dola për të parë, po për fat të mirë, nuk kishte ndodhur asgjë, vetëm një tra kishte lëvizur pak nga vendi. Ç’ndodhi? – pyeti ajo, kur u ktheva në kabinë.– Fatkeqësi! – gënjeva unë. – Ka rrezik të flemë këtu. Ajo u mundua të dukej e qetë, po sytë e mi, që kanë grumbulluar një përvojë të pasur, e vunë re se u drodh, bile u tremb, duke e vënë dorën në gjoks.– Moj, po ç’ke që gjithnjë e vë dorën atje? – i thashë, duke treguar me kokë gjoksin. Nuk u përgjigj, veçse uli sytë.– S’ka gjë! Nisemi! – dhe ia shkela gazin. Makina mori udhën. Vajza rrinte në sediljen prej lëkure dhe mundohej të mbulonte gjunjët, po fustani nga shiu dukej se ishte shkurtuar akoma më shumë dhe përpjekjet e saj ishin të kota. Kështu që unë kisha fat të shikoja ca gjunjë të bukur me një ngjyrë lëkure të këndshme, ngacmuese. Që mua kjo ngjyrë më pëlqeu, ajo e vuri re, prandaj u përpoq të bëjë çmos për të zgjatur fustanin, po këto përpjekje nuk nxorën gjë. Shpesh ne shoferët jemi të paturpshëm. Unë vendosa të loz me të. Meqë rruga ishte e drejtë, e lashë timonin në pushtetin e njërës dorë, kurse me tjetrën, fillova të bëj një marrëzi. Dora ime e lirë ra mbi gjurin e vajzës. Vajza u ngrit dhe ma shtyu me forcë. Qesha dhe përsëri e kapa, po këtë herë në kraharor. Infermierja u largua dhe u mblodh kruspull pranë derës. Makina vazhdonte të futej gjithnjë e më thellë mes telave të ndritur të shiut. E zgjata edhe një herë dorën. Dhe papritur, me një shpejtësi të paparë, diçka krisi. Dera e kabinës u hap dhe unë ndjeva se një gjë e rëndë ra në rrugën me asfalt mes telave të argjendtë të shiut. U zverdha. Vajza nuk ishte në kabinë. Frenova. Ishte errët. Nxora elektrikun e dorës, kërceva nga dera e kabinës. Tufa e rrezeve të elektrikut të dorës ra mbi një sup të shtrirë buzë rrugës, mbi një trup pa ndjenja. Po tufa e rrezeve ra edhe mbi një pellg gjaku. Dora ime u drodh dhe për pak elektriku do të më kishte rënë mbi atë pellg të kuq, sikur të mos e kisha mbledhur veten. E rrëmbeva në krahë. Vrapova në kabinë. Grisa peshqirin tim dhe ia lidha kokën e përgjakur. Ajo nuk fliste. Vetëm buzët kishin ngjyrën e një qenieje të gjallë, kurse fytyra ishte e zbehtë. – Mos vallë?… – pyeta i tronditur. Ndeza makinën. Duhet të shpejtoja. Mund të më vdiste rrugës. I rashë me grusht kokës sime të trashë. Vajza ishte e shtrirë. Kokën ia kisha vënë në gjurin tim. Nuk mendoja për asgjë, veçse që ajo të shpëtonte. – Kafshë! – shava veten. Timonin e shtrëngoja me të dy duart. Isha i pikëlluar. Më zgjoi një rënkim i mbytur, i largët: – Oooo! Koka e saj lëvizi pak në gjurin tim, po pastaj ra pa fuqi. Kurrë nuk kisha menduar për vdekjen, kurse tani ajo vërtitej në kabinën e makinës sime. Dhe unë isha një nga ata që e kisha ftuar atë të vinte e të rrëmbente vajzën me flokë të lagura, që mundohej të ruante kraharorin e saj me dorën e vockël. Unë duhet të isha një njeri i keq. – Vetëm të shpëtojë, vetëm të shpëtojë! – mendoja i përkulur mbi timon. Nuk ishte çështja se trembesha për veten time, se mund të dilja para gjyqit dhe të dënohesha për krimin. Kjo as që më shkonte në mend. Doja vetëm që ajo të shpëtonte. Po gjaku që i rridhte nga koka, e kishte skuqur copën e peshqirit. Këtë e shihja nën dritën e llambës së vogël të kabinës. Gjaku i saj filloi të më futej edhe mua nëpër pantallona e të më lagte gjurin, ku kishte mbështetur kryet. Drita e fortë e farit të makinës sime u përpoq në një portë të hekurt. Ishte spitali. Stop. Hapa derën e kabinës, e mora në krahë vajzën dhe i rashë me këmbë portës së hekurt. Me vrap ngjita shkallët e gurta dhe u futa brenda me një frymë. – Emri i të plagosurës? – pyeti ai që mbushte kartelat e të sëmurëve në dhomën e pritjes. Po unë nuk e kisha mendjen tek ai, se shikoja vajzën që solla në krahë, që dy infermiere të veshura me të bardha e vunë në një krevat dhe humbën në një korridor të gjatë. – Emrin? – pyeti nëpunësi i kartelave. – Nuk e di, – i thashë, dhe më erdhi turp nga toni i zërit tim, se ishte i egër dhe mjaft i papërshtatshëm. – I dashur, – tha ai, – ç’të shkruaj këtu? – dhe ngriti lart kartelën. – Unë jam shofer. Vajza ra nga makina ime. E mora dhe e solla këtu. Kaq! – i thashë. Nëpunësit, siç duket, i interesoi ky rast dhe u bë gati të më pyeste, po unë dola nga dera, duke ia lënë fjalën përgjysmë atij kuriozi, që ndofta mund të më mërziste me pyetjet e tij. E shtyva derën, po u ktheva prapë se harrova diçka të rëndësishme: – Në ç’pavijon do ta shtroni? – pyeta. – Në të katërtin, – tha ai, duke gërvishtur me penë në kartelë, po sapo hyra unë, u mundua të pyeste se si ra vajza nga makina… Dola i hutuar dhe i lodhur. Qëndrova pak në fund të shkallëve të gurta; ndeza një cigare dhe nisa përsëri të eci. Një dritë e fortë m’u përplas në sy. E kuptova. Kisha harruar t’ia shuaja dritat makinës… Pas kësaj ngjarjeje, shumë udhëtime bëra nëpër veri të Shqipërisë. Vajza filloi të përmirësohet dhe të ngrihej ngadalë nga shtrati. Mua më hipi një dëshirë e madhe të vija ta shihja, po sa kujtoja një gjë të tillë, më dridheshin këmbët dhe diçka më therte në zemër. U mendova, bëra lloj-lloj supozimesh, dhe një ditë, përpara se të nisesha në një udhëtim të gjatë për të ngarkuar trarë borige, bleva nja dy-tri kile qershi dhe u drejtova për në spital. Isha i shqetësuar dhe i vrarë në fytyrë. – Ku? – më pyeti portieri, kur më pa që po hyja nëpër portën e hekurt me qershitë në dorë. – Në pavijonin e katërt, – i thashë. Ngjita ato shkallët e gurta, thitha dy herë thellë cigaren dhe hyra në korridorin e gjatë. Më vinte ligsht. Dy letrat me qershi që kisha në dorë i kisha shtrënguar pa vënë re, dhe një lëng i kuqërremtë më lagu gishtërinjtë e më rrodhi në rrobën e bardhë, që kisha veshur. Në mes të korridorit, ndala. Qëndrova një copë herë me sy në një pikë të papërcaktuar. Lëngu i kuqërremtë i qershive, vazhdonte të rridhte mes gishtërinjve të mi. – Nuk shkoj, – thashë. Një infermier, që kalonte pranë meje, kujtoi se i fola atij dhe ktheu kokën. – Mua më folët? – tha ai. – Të lutem, – thashë, – mund t’ia jepni këto qershi asaj vajzës së plagosur në pavijonin numër katër? – Margaritës? – pyeti ai. – Margaritës, – i thashë. – Kush jeni ju, i fejuari? – tha infermieri. – I fejuari? – përsërita unë dhe u tremba nga kjo fjalë. – S’ka rëndësi. I thoni se ai shoferi… Më shumë nuk fola. Ktheva krahët dhe dola nga korridori. Në rrobën time të bardhë dukej një rrëke me një ngjyrë të kuqe të çelur – ishte lëngu i qershive.