Suplementi Pena Shqiptare/ Brunilda Zllami: “Njerëzit prej karboni duan diamante”

141
Sigal

E çuditshme kjo kohë ku jetojmë! Një kohë ku supa e mëkateve kapitale është më e servirura. Është e frikshme që babëzia, vaniteti, narcizmi, mashtrimi dhe gllabërimi janë bërë si ato hitet verore me të cilat nisim e mbyllim ditët. Njerëzit prej karboni kanë mbushur faqet e çdo gjëje që na del përpara. Njerëz të errët, të vetkënaqur, që duan gjithçka që shkëlqen. Njerëz që duan diamante, jo se ua dinë vlerën, as historinë, as rrugëtimin, por sepse munden. Njerëz që po të hasnin një diamant të papërpunuar nuk do kishin as nuhatjen për ta njohur, as diturinë për ta gdhendur, as durimin për të kthyer një gur në dukje të thjeshtë në atë gurin që për ta ka vlerë vetëm se ashtu kanë dëgjuar. Njerëz prej karboni që e kanë kthyer realitetin ku jetojmë në një realitet ngjyrash virtuale të rreme pas të cilave fshihet vetëm e zeza, vetëm karboni. Jetojmë në një kohë ku njeriu dhe ndershmëria janë kthyer në turp, ndërsa fasada dhe mashtrimi po thithin dhe atë pak shpresë që kishte mbetur. Në një kohë ku emri i një të forti në listë është më i rëndësishëm se ai i një të dituri, ku mbijetesa sigurohet me heshtje e dëshpërim. Në një vend ku gllabërohet puna e meritat dhe vlerësohet përulja dhe bindja e verbër. Në një vend ku liria ka mbetur një derë e drynosur dhe ku ëndrrat janë zhdukur bashkë me gjumin. Se njerëzit nuk ëndërrojnë më, vetëm duan! Dëshira, por jo projekte, sot, por jo nesër, të gatshme, por jo të realizuara. Duan atë që të tjerët kanë, e marrin kur munden. Njerëzit prej karboni duan diamantet! Nuk duan t’ia dinë ku u formuan për herë të parë, as kush i gjeti, as kush iu dha formën, as kush i bëri të shndritshëm për sytë e tyre. Sepse rrugëtimi i gurit që u bë diamant nuk iu ngjall as kërshërinë. Iu duhet thjesht shkëlqimi i tyre për të mbytur të errëtën, që i përshkon. Dhe munden, sepse në këtë botë zinxhiri, që i solli në duart e tyre, nuk do mund të blejë kurrë një të tillë! Zinxhiri që e krijoi, që e dalloi mes gurëve të zakonshëm diamantin, nuk mundet të ketë as emër as vlerë. Njerëzit prej karboni duan diamantet dhe i mendojnë të ngjashëm me veten, pa kuptuar kurrë që ajo që i ndan është shkruar në yje. Por në realitetin ku jetojmë munden ta kenë, sepse jetojmë në një kohë kur e errëta gllabëron dritën si një vrimë e zezë. Ku graviteti sundon universin!