Sheh një dorë që do lëmosh
sy që qajnë të dëshpëruar.
E kur xhepat s’i ke bosh
nxirr diçka për ta ndihmuar!
Të pastrehë po të zunë sytë;
mos kthe kokën në anë tjetër!
Jetë nuk ka për herë të dytë
ndaj në mundsh bëj pak më tepër!
Pash fëmijë, përsëri të djegur;
sigurisht që i pe dhe ti.
Lotët presin fytit mbledhur
bëhen lëmsh, inat, mërzi!
Mblidhen duart grusht i egër.
Çirret shpirti pa nxjerr zë.
Mij’ra grushte dhe më tepër
por që kurrë nuk bëhen një!
Dimë të vëmë lloze në dyer,
e të rrimë në qoshen tonë!
Kokë e këmbë në frikë mbërthyer
hedh rrënjë “dhuna” e lulëzon!
Ndaj bëj mirë tek gjithë njerëzia
pa dallim feje dhe ngjyre.
Sepse vetëm MIRËSIA
është arma kundër “tyre”…
Kur nuk bëhemi dot një,
të ndihmojmë çdokush më vete.
MIRËSIA s’ kushton gjë,
po ka fuqi sa njëmijë det-e!
Ajo është simbol i paqes;
është burimi i lumturisë…
Vërini flakën gjithë gjakpirësve;
gjeografisë dhe historisë…
Dhe në mundshi pak më tepër
testament mos t’ ketë mëdyshje.
Brezave le t’u lëmë një vepër:
Historinë të shkruar ndryshe!






















