“Trëndafili i Vupës” nuk është thjesht një lule. Ai është kujtesë, mall, rrënjë dhe dashuri për vendin prej nga vjen njeriu. Në pamje të parë duket si historia e një trëndafili të kuq me aromë të veçantë, por në të vërtetë është historia e vetë njerëzve që, edhe pse largohen nga trojet e tyre, nuk arrijnë kurrë të shkëputen shpirtërisht prej tyre. Dikur, larg fshatit, në mes të pyllit, në vendin e quajtur Vupë, jetonin dy familje të thjeshta Musabelliu, por të lidhura fort me natyrën dhe jetën që kishin ndërtuar aty. Mes gjelbërimit dhe heshtjes së pyllit, lulëzonte një trëndafil i rrallë, me petale të kuqe dhe aromë që binte në sy e në shpirt. Ishte më shumë se një bimë zbukuruese; ishte pjesë e jetës së tyre, pjesë e kujtimeve dhe përditshmërisë. Kur erdhi koha të largoheshin nga Vupa dhe të vendoseshin aty pranë, në Nishicë të Skraparit, familjet morën me vete gjithçka që kishin ndërtuar ndër vite. Por mes sendeve të shumta, nuk harruan të merrnin edhe një rrënjë të atij trëndafili. Kjo tregon se njeriu nuk jeton vetëm me bukë e strehë; ai jeton edhe me kujtime, me ndjenja dhe me gjërat që i japin shpirt jetës së tij. Vitet kaluan dhe jeta, njërin nga ajo familje, Bujarin, i çoi në Poliçan. Aty, pranë Kombinatit, familja ndërtoi një tjetër etapë të jetës së saj. Edhe aty trëndafili lulëzoi. Miqtë dhe shokët që hynin në mjediset e familjes Musabelliu ndalonin të mahnitur jo vetëm nga bukuria e tij, por sidomos nga aroma e veçantë që dukej sikur sillte me vete frymën e vendlindjes. Ishte një aromë që nuk ngjante me asnjë tjetër, sepse mbante brenda kujtimet e pyjeve, të fshatit dhe të jetës së kaluar. Por Shqipëria e viteve ’90 solli dhimbje e pasiguri për shumë familje. Kombinati u mbyll, puna humbi dhe bashkë me të u venit edhe shpresa për të ardhmen. Si mijëra shqiptarë të tjerë, edhe familja e Bujar Musabelliut mori rrugën e emigrimit drejt Banjacavallo, pranë Bologna. Ishte një largim i vështirë, i mbushur me mall për qytetin, njerëzit dhe vitet e jetës së lënë pas. Por edhe kësaj here, ata nuk harruan trëndafilin. E morën me vete si të merrnin një copëz atdheu. E mbollën në tokën italiane dhe vazhduan ta rrisnin me të njëjtin përkushtim. Sikur të donin t’i thoshin vetes se rrënjët nuk duhen harruar kurrë. Madje një degë të tij e mbollën në një mjedis publik të qytezës, ku aroma e trëndafilit filloi të tërhiqte banorët vendas. Ata ndaleshin pranë tij, e sodisnin dhe e thërrisnin me emër: “Trëndafili i ardhur nga Shqipëria.” Sa domethënëse është kjo! Një trëndafil që udhëtoi nga pyjet e Vupës, në Nishicë, në Poliçan dhe deri në Itali, u bë simbol i kujtesës dhe identitetit shqiptar. Ai dëshmon se emigranti mund të largohet fizikisht nga vendi i tij, por shpirtin dhe aromën e vendlindjes i merr gjithmonë me vete. “Trëndafili i Vupës” është metafora më e bukur e shqiptarit emigrant: i shkëputur nga toka e vet, por kurrë nga rrënjët. Dhe ashtu si aroma e trëndafilit që pushton ajrin përreth, edhe dashuria për vendlindjen mbetet e gjallë, duke u përhapur brez pas brezi, nga një oborr në tjetrin, nga një vend në një tjetër.






















