Suplementi Pena Shqiptare/ Adriana Dizdari Priftuli: Do e bëj se s’bën

182
Sigal

 

Do e bëj se s’bën

(Nga Vëllimi me Tregime « Thërrime nga e Përditëshmja)

E vendosa, do ndërroj profesion, do merrem me politikë dhe nuk pyes për asnjë këshillë të dashamirësve. ‘Mos u çmënde ?’- më tha im shoq. ‘Moj ti, je në terezi? -më tha shoqja ime e ngushtë. Dhe ja kështu, kush e mori vesh, më hidhte një shikim nga koka në këmbë dhe me buzët e mbledhura, pëshpëriste diçka si pakënaqësi, si këshillë dashamirëse, që nuk kuptohej, ose si tallje. Por edhe unë ama, sa më shumë më kritikojnë, aq më shumë bindem se e kam drejt. Do bëhem politikane se s’bën, aq më shumë që edhe koha kërkon sa më shumë gra. – Po ti e urren politikën? – më tha motra duke zgurdulluar sytë. – Ç’të ka gjetur kështu? Dëgjo, – i them, – jam grua e zgjuar? Jam! Jam me kulturë? Jam ! Jam e bukur? Jam! Çfarë më mungon që të tjerat e kanë? – Ti nuk merr vesh fare nga politika! – E pse duhet të marr vesh?- E mësoj gjatë rrugës. Dhe kështu, në luftë me paragjykimet e njerëzve të mi të afërt, filloi edhe trajnimi im politik. Më vjen çudi se si nuk e kuptojnë……veç në qofsh fare fare pa mend, se…ohuuuuuu sa të mira ka! Po u bëre politikane, fiton të drejtën që të kesh gjithmonë të drejtë, fiton të drejtën që fjala jote, edhe kur nuk e thua (se nuk di se çfare të thuash), të jetë flori. Pastaj, ai televizori ! Ahhhhh- televizori që menjëherë të bën të mënçurën e botës, të drejtën e botës, të bukurën e botës…Je tamam si artistet e Hollivudit. Merr një rol dhe fillon ta luash. Dhe të shikon tërë bota. Mrekullia vetë! Ohhhh sa më pëlqen! Por ka edhe gjëra të tjera që ta bëjnë jetën flakë e zjarr. Psh., në mes të tjerash, shkova një ditë në një argjendari për të porositur ca simbole si dhuratë për konkursin e përvitshëm midis shkollave. Kishte pak njerëz, kryesisht gra, të cilat me këmbë e duar çoç kërkonin të shikonin. Shitësja iu vuri përpara kuti me lloj lloj mrekullirash dhe ato zgjidhnin. Unaza, byzylykë, varëse….i shikonin dhe pastaj i vendosnin përsëri. Pasi e vranë kohën e tyre dhe të shitëses, u larguan. Shitësja i pa me inat, se ç’tha nëpër dhëmbë dhe iu drejtua gruas së fundit që vështronte me shumë kërshëri unazat. I provonte, shikonte dorën (të bukur e kishte), dhe më në fund, mori dy, një për gishtin e katërt dhe një për të dytin. Unë, e mbështetur në fund të banakut sikur më kishin ngjitur me zamkë, prisja. Një ndjenjë e çuditshme turpi, inati, pasigurie, revolte më pushtoi. Po si xhanëm kam ardhur kaq herë dhe nuk kam blerë një gjë? Prandaj nuk ma varin…kam gjysëm ore që rri ngjitur me banakun. Deri në këtë moment, gruaja ishte me kurriz dhe nuk ia kisha parë fytyrën. U kthye nga unë dhe më pyeti. – Si ju duken këto unaza? Më shkojnë? ‘O zot, ku e kam parë?’- pyeta veten. Dhe u kujtova. Pikërisht mbrëmë diskutonte problemet politike të kohës me një zonjë tjetër, të dyja politikane. Nuk mora vesh për çfarë flisnin se filluan të bërtasin, të fyejnë njëra-tjetrën, të pozojnë (të dyja të bukura dukeshin). Drejtuesin e emisionit e shtrënguan me ganxhat e fjalëve pa kuptim. Aq shumë sa, i shkreti, nuk dinte nga t’ia mbante. Unë, për vete, u kënaqa. Spektakël i veçantë, dhe u binda edhe njëherë që drejt e kam. Do merrem me politikë! Të gjithë zihemi, por nuk na dëgjon njeri. Por, të bërtasësh në televizor, të shikosh me egërsi dhe të jesh gati duke kapur shoqen për flokësh, dhe të të shikojë tërë bota, kjo ka lezet. Ja pra, njëra nga ato zonjat politikane kërkoi mendimin tim për unazat. Nga inati i thashë, ‘nuk të shkojnë’. Më pa me përbuzje dhe më ktheu kurrizin. Pagoi për dy unazat dhe një byzylyk (një shumë të frikshëm, për mua) dhe iku, mes nderimesh. E shikoni, pra, që kam të drejtë të ndërroj profesion? Mësuese gjithë jetën! E pastaj? Hiç gjë! Për momentin po vlerësoj situatën… Më duhet të gjej atë që ka kostumin më të ndritshëm dhe t’i vihem pas për të mësuar të fshehtat e politikës. Se ku i dihet, ndoshta edhe kam talent për këtë punë dhe e sekteris këtë kostumin e ndritshëm dhe i zë vendin. Atëherë të më shohin ato të argjendarisë, po nuk i bleva me gjithë dyqan !

 

 Gënjeshtra i ka këmbët plot të mira…….

 Nga vëllimi: “ Thërrime nga e përditëshmja”

Tani e tutje për asgjë mos më besoni. Jam një gënjeshtare e mrekullueshme, bindëse, bukuroshe dhe e pafajshme. Për atë që më sheh për herë të parë jam hipnotizuese. U gjënda fare rastësisht në ujrat e gënjeshtrës, dhe tani po më pëlqen shumë. Po si mund të ndodhë kjo? Mund të më pyesë ndonjë që më njeh mirë. Epo ç’të kërkosh, do gjesh. Ka kohë që i kam zili njerëzit gënjeshtarë. Të gënjesh duke tundur flamurin e së vërtetës. çfarë mrekullije. Budallallëku i sq vërtetës më ka ndjekur tërë jetën thuaj të vërtetën mos gënje….sinqeritet…..sinqeritet…e pastaj çfarë? Jo jo gënje, po do të fitosh. Nuk e shohim përdite këtë? Dhe kështu duke u lutur përditë, ja më në fund diçka më doli. Dhe doni ta dini se si? Fare natyrshëm. Jam në plazh. Marr një stol të vogël dhe ulem diku ku e shoh të udhës: aty tek ato pesë metrat ku shkruhet “Plazh Publik”. Sapo kisha futur këmbën në ujë dhe po ecja ngadalë- ngadalë ( i ftohtë uji). Dëgjoj një zë gruaje nga pas: – i ftohtë uji? – Jo, jo, i ngrohtë – i përgjigjem ( gënjej). I hedh këmbët ngadal, ngadal, …..kam ftohtë. Përsëri zëri – Po nga jeni? – Nga Tirana – them me bezdi – Ju kuptova nga gjuha. Unë jam nga Fushë Kruja – A..aa – i përgjigjem unë. – Në hotel jeni? – Jo…kam një shtëpi timen këtu ( gënjej). – Ouuu sa mirë. Po me kë jetoni? – Me të dashurin. ( edhe e vërtetë edhe e pavërtetë). Zgurdulloj sytë zonja që më ndiqte nga pas. – Çfare ka që u çudite? – Jo jo asgjë…Si lum ti….duhet të kesh parë boll – Po, po, kam falë të parëve të mi pronat. Kam një shtëpi edhe në Sarandë, një në Gjirokastër… Në Tiranë sigurisht jetoj ku të më dojë qejfi. ( gënjeja me kënaqësi të madhe) – Po fëmijët? – Kanë vilat e tyre….këtu janë … ( gënjeja). Pasi e mbusha me gënjeshtra zonjën nga Fushë-Kruja fillova të notoj me buzë në gaz. Dal nga uji dhe drejtohem nga stoli im. Zonja në fjalë ishte ulur në mes të një grumbulli njerëzish, që ngjanin shumë me njeri tjetrin dhe m‘i kishin ngulur sytë. Ju buzeqesha si për t‘i përshëndetur. Asnjeë lëvizje nga ana e tyre, vetëm më ndiqin me sy. – “Mikesha ime” ju drejtohet: -asht zoja që ju kam fol, – dhe afron shezlongun e saj pranë meje. – Po në dimër në Tiranë banoni? – Jo, jetoj në Paris ( gënjeja) – Me gjithë të dashurin, do të thuash? Po po bashkë. ( gënjeshtër e rradhës) – Si e lumja ti……po pse nuk merr shezlong? – më duket se më kapi mendova, por jo, kisha hyrë në hullinë e gënjeshtrave, nuk më kapte dot – Epo, si të them… I kam si merak…kush nuk ulet e shtrihet atje, sëmundjet sheshit janë… – Ç‘ka po thu moj….. – dhe lëvizi pak, i hodhi një sy shezlongut a thua se do të vërtetonte fjalët e mija, dhe u ul prap. – Keke meraklije e madhe moj grue – Epo, si të them, edhe jam pak…..po dhe nuk rri gjatë në plazh…..ja sa të thahem pak, dhe do të iki. Dhe ashtu bëra. U nisa për në hotel ku më priste im shoq. Për çudinë time, ndjehesha e lehtë si pupël. Gënjeshtra pa zarar i kisha thënë zonjës nga Fushë Kruja, por kisha entusiazmin e diçkaje të re, që mendoja se do të më hynte në punë dhe kjo “gjë e re ” ishte prova se mund të gënjeja. Gënjeshtra, plot me genjeshtra na mbushet jeta dhe jemi të lumtur, si ne që gënjehemi, edhe akoma më shumë ata që gënjejnë! E mora në sy të vazhdoj në hullinë e gënjeshtrave, fundja pa zarar i kam, të vogla fare, dhe kështu të nesërmen. – Si fjete? Ishe më mirë sonte? – me pyet im shoq i shqetësuar përherë për pagjumësinë time – Oh, kam fjetur shumë mirë, top fare…( gënjeva, nuk kisha fjetur fare, si çdo natë) – Eh, më në fund. Ke fjetur -më qetësove.- Më erdhi mirë që im shoq hoqi nga vetja shqetësimin e pagjumësisë time. Fëmijët të shqetësuar për shëndetin tim më pyesin përdite. Deri më sot ju kam thënë të vërtetën, që më shqetëson tensioni, por jo tani e tutje, që kuptova se genjeshtra i bën të lumtur njerëzit e t’u të dashur . – Mami si je me shëndetin? Të ka shqetësuar tensioni? Aman bëj kujdes…- Dhe unë ju përgjigjem – jam shumë mirë, gjithshka shkon për së mbari – dhe ato qetësohen, i rrallojnë telefonatat, dmth janë si s’ka më mirë. E çfarë do një nënë më shumë? Dhe kështu fillova të gënjej për gjithshka, që mund të bënte të lumtur tjetrin, po edhe mua më bënte interesante dhe tërhiqja vemendjen. Kur shkoja në plazh, i ndjeja sytë e njerëzve që më ndiqnin. Vendin e stolit tim nuk e zinte njeri, e ndjeja që dëshironin të më përshëndesnin dhe unë lëshoja buzëqeshje sa majtas-djathtas. Zonja nga Fushë Kruja kishte bërë punën e saj. Unë isha një grua për të pasur zili….. Me pare boll, shtëpira gjithandej, jetoja dimrit në Paris me gjithë të dashurin, fëmijët në punë të tyre. I trembesha vetëm një gjëje, ….sikur larg qoftë, të më dilte nonjë i njohur …atëhere…atëhere….. Duhet ndruar plazhi! Dhe kështu bëra, dhe gënjeshtrat pillnin gënjeshtra që më bënin të lehtë si gjethet që i merr era: i vërtit e i vërtit pa vendosur se ku t’i lëshojë!