(Varianti tjetër për këngën e ”Qabesë”)
Mbeçë more shokë mbeçë,
në një rrugë në Valare!
Një hap para dhe dy mbrapa,
nuk më qasin në BE.
Mbeçë more shokë mbeçë,
mbeçë ditë e mbeçë netë!
Nuk më qasin në Evropë,
shkuan 25 vjet.

Mbeçë more shokë mbeçë,
jam njeri ëndërrimtar.
Që kur kemi hyrë në NATO,
nuk po shoh asnjë ushtar.
Mbeçë more shokë mbeçë,
mbeçë rrugëve me nallane.
Se gjithë ushtarakët tanë,
i bënë shitës për banane.
Mbeçë more shokë mbeçë,
Shqipëri ç’halle që pate?
Të gjithë ushtarakët tanë,
punojnë si roje nate.

Mbeçë more shokë mbeçë,
s’di sa herë që u gënjeva!
Gjithë ata që ishin në burgje,
po e shkojnë jetën në greva.
Mbeçë more shokë mbeçë!
Ah, ky shtet që ka shumë vrima!
Gjithë kanalet për vaditje,
janë bërë xhade për makina.
Mbeçë more shokë mbeçë,
tek një urë përmbi Bistricë.
Tek ne është krejt normale,
të shesin gomarin për viç.
Mbeçë more shokë mbeçë,
M’u tek ura e Subashit.
Tani në të hyrë të dimrit,
iku dhe era e hashashit.
Mbeçë more shok mbeçë,
dhe kështu ka qenë gjithmonë!
Kam shumë frikë nga policia,
kur nuk jap ndonjë kupon.
Mbeçë more shokë mbeçë,
në një fshat, në një majë mali.
Dola shkencëtar me emër,
se mbarova tek Kristali.
Mbeçë more shokë mbeçë,
sepse unë jam një qafir!
Gjithë Shqipëria me ujë,
po ujë s’kemi për të pirë.
Mbeçë more shokë mbeçë,
mbeçë duke fjetur në bythë.
Dolën ujqërit nëpër xhade,
se i prenë pyjet të gjithë.
Mbeçë more shokë mbeçë,
duke folur për partizanë,
Kurrë s’kam zbrazur një dyfek,
po jam veteran me famë.
Mbeçë more shokë mbeçë,
përtej urës së Qabesë.
Unë në luftën partizane,
isha 3 a 4 vjeç.
Mbeçë more shokë mbeçë.
Paskam qenë goxha debil,
dhe pse i kam gjithë të mirat,
prapë se prapë kërkoj azil.
Mbeçë more shokë mbeçë,
më humbi varka në det!
Ah, që s’rron Haxhi Qamili,
që ta bënim deputet.
Mbeçë more shokë mbeçë,
dhe nuk na gjendet melhemi.
Me shumicë do bënte vrasje,
po të ishte Avni Rustemi.
Mbeçë more shokë mbeçë,
se kështu më paska hije.
Sa herë ndërrohet pushteti,
aq herë marr tesera partie.
Mbeçë more shokë mbeçë,
në një rrugë në Valare.
Prit e prit… m’u sos durimi,
nuk më qasin në BE.





















