Zot i “San Siro”-s dhe kapiten i ardhshëm, Lautaro Martinez specialisti i Kupës së Italisë

106
Sigal

Lautaro Martinez po tregon se është jo vetëm njeriu i momentit tek Interi, por po shtron rrugën e tij edhe drejt të qenit njeriu i sezonit. Pak ditë pas arriti golin e tij të 11- të në kampionat, që i siguroi një sërë rekordesh, nga lojtari i tretë jo italian i Interit, që shënon prej katër sezonesh radhazi më shumë se 10 gola te tetë dopietat dhe dy tripletat e realizuara me fanellën zikaltër, Lautaro po synon të jetë edhe njëherë tjetër faktor në Kupën e Italisë.

Ishte falë golit të tij në minutën e 88-të që Interi ia doli të barazonte Parmën në fazën e 1/8-ave për ta dërguar ndeshjen në shtesë, e për të siguruar më pas vendin në çerekfinalen e sotme, ku do të ndeshë Atalantën sërish me qëllimin për të siguruar një tjetër kualifikim.

Këtë herë në favor “Demi” do të ketë jo vetëm një nga kompeticionet e tij të preferuara, por edhe stadiumin. Gjashtë golat që ka realizuar në Kupën e Italisë argjentinasi, kanë ardhur të gjithë në shtëpi, në “San Siro”, që gjithmonë e më shumë po e shikon si idhullin e ri të tij.

ECURIA – Në fakt që prej 2019-ës, numri 10 i zikaltërve është lojtari që ka realizuar më shumë gola në një stadium të vetëm në Kupë, një e dhënë që shkon paralelisht me të gjithë ecurinë pozitive të Interit në këtë kompeticion. Tri gjysmëfinale radhazi në Kupë, duke kulmuar me trofeun e një viti më parë mbajnë të gjitha firmën e 25- vjeçarit, që ka ditur t’i rezistojë gjithë periudhës së tranzicionit që ka kaluar reparti, e po ashtu asaj të trajnerëve.

Me Konten apo me Inzagin në stol, me Lukakun apo me Xhekon si partner reparti, Lautaro ka ditur të jetë gjithmonë vendimtar dhe të mbajë mbi shpatullat e tij peshën e skuadrës kur ajo ka pasur më shumë nevojë për të.

Humbja e Interit me Empolin, në të vetmen ndeshje në gjashtë të  fundit që kampioni i botës nuk e ka gjetur golin, nuk është rastësi, ashtu si nuk është rastësi as dashuria e tifozëve për të. Me Shkriniarin që ka bërë valixhet, tifozët zikaltër kanë qenë unanimë kur kanë kërkuar që kapiten të jetë Lautaro, që duhet thënë se me shiritin në krahë është i pandalshëm.