KATEGORIA E PARË/ 90 minutat e fundit në fokusin e specialistit të futbollit shqiptar, Xhevdet Nerjaku
Agron KAJA
Kategoria e Parë do të luajë më 20 prill 90 minutat e fundit të saj për këtë kampionat, 2024-2025. Me renditjen në 32 javë, sikur janë përcaktuar disa nga verdiktet, por lufta mbetet mes Flamurtarit e Besës, se cila prej tyre do jetë skuadra e dytë që do ngjitet direkt në Abissnet Superiore për sezonin e ardhshëm. Analiza e specialistit të futbollit Xhevdet Nerjaku, sikur e zbardh këtë 90 minutësh të fundit, teksa ai mendon se vetëm në luftën për ngjitjen direkte në Superiore do të ketë luftë mes Flamurtarit dhe Besës. “Unë mendoj se java e kaluar, e 32-ta e Kategorisë së Parë, nuk i zgjidhi përfundimisht verdiktet e renditjes, duke ja lënë ndeshjeve të fundit. Sepse ndeshja e fundit Vora-Flamurtari, e mban të hapur plotësisht luftën për skuadrën e dytë që do ngjitet direkt në Superiore. Në ndeshjet e javës së kaluar, vetëm njëra prej tyre doli nga pritshmëritë, fitorja e Korabit në Lushnje. Të gjitha të tjerat priteshin se cilët ishin skuadrat favorite”, kështu e nisi dje bisedën specialisti i fitbollit shqiptar, Xhevdet Nerjaku, i cili më pas i referohet edhe javës së 33-të që mbyll kampionatin. “Në këto 90 minuta e përmbylljes së tre fazave të kampionatit, vetëm sfida Vora-Flamurtari mbetet për t’u vlerësuar, një sfidë e vështirë për vlonjatët. Ndërsa pesë ndeshjet e tjera besoj se do jenë në rrjedhshmërinë e tyre, pasi aty luajnë skuadra, që nuk janë me pretendime në renditje. Cilat skuadra zbresin tashmë janë pozicionuar, e po kështu edhe skuadrat që do luajnë Play-out me Kategorinë e Dytë”. Por Xhevdet Nerjaku preferon që të tregojë opinionin e tij teknik, si dhe arsyet pse ai i mendon kështu të gjitha dritëhijet e javës së fundit të Kategorisë së Parë. “Në ndeshjet e kësaj jave do shohim një kryendeshje në Vorë, por mund të shohim edhe të papritura të tjera në rezultate. Pse e them këtë? Sepse në një logjikë teknike të shpejtë, Besa e ka kthyer tek vehtja ngjitjen në Superiore, pas fitores ndaj Flamurtarit javën e kaluar. Jo vetëm nga përforcimet që kavajasit kanë bërë në fazën e dytë, por edhe në ndryshimin e konceptit të lojës, Besën e shoh të ngjitur në Abissnet Superiore. Ndërsa ndeshjet në zonën Play-off më duket se nuk do e prishin këtë renditje, ku Burreli, Pogradeci dhe Apolonia do jenë ato tre skuadra që do luajnë në këtë zonë”, kështu e mbylli analizën e tij Xhevdet Nerjaku, specialisti i futbollit shqiptar. Java e 33-të e Kategorisë së Parë, dhe e fundit e kampionatit, do të luhet të dielën më 20 prill 2025, ora 15:00.
KOMBËTARJA
FIFA gjobit FSHF-në, sjellja e tifozëve me Andorrën kushton 20 mijë franga
Komisioni Disiplinor i FIFA-s e ka quajtur të papranueshme sjelljen e tifozëve shqiptarë në ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2026 ndaj Andorrës, e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare” më 24 mars 2025. Ajo ka vendosur një gjobë prej 20 mijë frangash zvicerane ndaj FSHF-së, njëherësh edhe mbylljen e 20% të stadiumit në ndeshjen e radhës së Shqipërisë në kompeticionet e FIFA-s, me prioritet në tribunat pas portave. Dhe sipas vendimit të dhënë nga FIFA, ky 20% mund të mbushet me grupe të komunitetit ose organizata kundër diskriminimit, me miratim paraprak nga qeveria botërore e futbollit. Gjithashtu, brenda 6 muajve, FSHF duhet të hartojë dhe të paraqesë një plan të përmirësuar kundër diskriminimit që duhet të miratohet nga FIFA. Nga ana e saj FSHF-ja u bën thirrje tifozëve që të vazhdojnë të mbështesin Kombëtaren, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe pozitive. Ajo i fton të tregojnë qytetari dhe respekt përmes sjelljes korrekte ndaj ekipit kundërshtar, për të shmangur çdo situatë, që mund të dëmtojë ekipin kuqezi. FSHF mbetet në pritje të udhëzimeve të FIFA-s për mënyrën e zbatimit të vendimit. Kjo duket se do vlejë për ndeshjen e radhës me Serbinë më 7 qershor, ndeshje që do të luhet në “Arena Kombëtare”, por që me këtë vendim, tifozerisë do t’u hiqen 4,400 vënde, që do të thotë se nuk do jenë 22 mijë tifozë, por 17,600.
Iliria e Luftëtari në të Parën, fushëkruajsit kampionë
Iliria i ka bërë një mbyllje të bukur sezonit 2024-2025 në Kategorinë e Dytë. Pasi dolën të parët në renditjen e Grupit A, fushëkruajsit arritën që të rikthehen pas pesë vitesh në Kategorinë e Parë, kësaj here si kampionë të së Dytës, ku në finale mposhtën Luftëtarin me rezultat 1-0 dhe u shpallën kampionë. Të dyja këto skuadra do të ngjiten direkt në Kategorinë e Parë, duke zëvendësuar Erzenin e Valbonën që zyrtarisht janë të rënë në Kategorinë e Dytë për sezonin e ardhshëm.
KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java 33
Të dielën, 20 prill 2025
Apolonia-Lushnja 15:00
Erzeni-Kastrioti 15:00
Kukësi-Burreli 15:00
Vora-Flamurtari 15:00
Korabi-Pogradeci 15:00
Valbona-Besa 15:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Vora 32 76
2.Flamurtari 32 72
3.Besa 32 71
4.Burreli 32 55
5.Pogradeci 32 49
6.Apolonia 32 44
7.Lushnja 32 43
8.Korabi 32 38
9.Kastrioti 32 35
10.Kukësi 32 28
11.Valbona 32 16
12.Erzeni 32 11