Xhevdet L. Zekaj: Zhoze Altafini, futbollisti “çudibërës” në dy përfaqësuese

667
Sigal

Faqe 19

 

HISTORI/ Djali i “jashtëligjshëm” i Macolës, njëri
prej pesë lojtarëve që kanë  shënuar mbi
200 gola gjatë karrierës

 

Zhoze Altafini, futbollisti “çudibërës”
në dy përfaqësuese

 

Nga Xhevdet L. ZEKAJ

 

Zhoze Altafini është njëri prej shtatë futbollistëve të parë, që ka
luajtur me dy përfaqësuese të ndryshme. I pari ka qenë Luis Monti, por ndryshe
nga Monti, që me përfaqësueset arriti deri në finale, Altafini nuk ka luajtur
ndonjë rol të rëndësishëm as në përbërjen e përfaqësueses braziliane dhe as në
përbërjen e përfaqësueses italiane, ndonëse medaljen e kampionit të botës e ka
marrë. U shqua si lojtar i “Serisë A” të Italisë, mbahet mend si lojtar
rezultativ dhe që luajti shumë gjatë. Në tabelën e golashënuesve më të mirë
italianë të të gjitha kohërave, Altafini zë vend në 5 lojtarët që e kaluar
shifrën e 200 golave të shënuar gjatë karrierës së vet. Pretendentë mbetën
Batistuta, Roberto Baxho dhe Sinjori. Si pjesëmarrës në klubet e njohur të
Milanos, të Napolit dhe të Juventusit, Altafini ka shënuar 270 gola. Në sezonin
futbollistik 1962-1963, në edicionin e Kupës së Kampionëve, Altafini shënoi 14
gola në përbërje të Milanit që e fitoi Kupën. Luajti futboll deri në moshën 38
vjeç, dukuri e jashtëzakonshme për një lojtar sulmi. Pasi vumë në dukje disa
nga të veçantat e karrierës sportive të Altafinit, po përpiqemi të flasim më
hollësisht për të.

Rruga e tij e karrierës u
kryqëzua me atë të Peles

Zhoze Zhoao shumë shpejt ra në sy të menaxherëve sportivë dhe e la
Pirasikabon e dashur, që ndodhet 150 kilometra larg San Paolos, kur sapo mbushi
17 vjeç. “Palmejras” i propozoi një kontratë, dhe në moshën 18 vjeç u bë
goleadori kryesor i klubeve vendase. Shtypi shkroi me entuziazëm për djaloshin
me të dhëna fenomenale, që shënonte gola pa më të voglën vështirësi në dukje.
Gazetarët shkruan se për nga cilësitë e lojtarit, ashtu dhe për nga ngjashmëria
fizike, djaloshi nuk i linte asgjë mangët Valentino Macolës, i cili asokohe po
mbushte tetë vjet që kishte ndërruar jetë në katastrofën ajrore të Torinos, por
që vazhdonte të mbahej si personalitet i shquar në historinë e futbollit
botëror. Djaloshit ia ledhatonte sedrën ky krahasim, ndihej sa më s’bëhej i
gëzuar tek dëgjonte ta thërrisnin pasardhësin e Macolës, ndërkohë që emri i tij
i vërtetë, Altafini, po dukej gjithë më rrallë në faqet e gazetave. Ftesa për
në përfaqësuese nuk vonoi që t’i vinte. Ishte vetëm 19 vjeç, kur trajneri i
kombëtares braziliane Silvio Pirilo e futi në formacionin që ndërtoi për
takimin miqësor me Portugalinë në qershorin e vitit 1957. Takimi u mbyll me
rezultatin 3:0. Reagimi i opinionit sportiv qe i ndryshëm: u fol se nuk i duhej
besuar vendi me aq përgjegjësi i sulmuesit kryesor një fillestari, por pati që
e mirëpritën zgjedhjen. Sidoqoftë, në kohën e grumbullimit të lojtarëve, që do
ta përfaqësonin Brazilin në Kampionatin Botëror në Suedi, u bë e qartë se shumë
titullarë sulmi ishin të dëmtuar dhe Altafini u përfshi në 22-en e
përfaqësueses… me emrin Macola! Zhoze shkoi në Kampionatin Botëror me kontratën
e nënshkruar me Milanin në xhep. Drejtuesit e Milanit ia vunë syrin atë
pranverë, në kohën e turneut të brazilianëve nëpër Evropë në prag të
Kampionatit Botëror, i ofruan shumën jo të pakët prej 130 milionë liretash
(rreth një gjysmë milioni dollarë). Pas një pranimi aq të bujshëm prej
superklubit italian me famë botërore, i riu Macola u nis për në Suedi me
mendimin që të rrafshonte male. Takimin e parë kundër Austrisë, Brazili e
mbylli me fitore (3:0), Altafini luajti qendërsulmues së bashku me Vavanë dhe
shënoi dy gola. Formacioni u ruajt edhe në ndeshjen kundër Anglisë, por
virtuoziteti i sulmuesve brazilianë nuk u kurorëzua me rezultat, takimi u mbyll
me rrjeta të paprekura. Pasoi mbledhja e paharruar, në të cilën lojtarët
titullarë të kombëtares e detyruan trajnerin Feola që ta përtërinte përbërjen e
skuadrës, duke përfshirë në të Pelenë me Garinxhën që ishin mbajtur rezervë.
Pele zuri vendin e Altafinit për të mos e lëshuar kurrë më.

Mungesë fati në mondiale

Djaloshi me nofkën Macola nuk ra në dëshpërim, përpara e priste
karriera e mrekullueshme në kampionatin italian. Me të shkelur në Gadishullin e
Apenineve, djaloshi u detyrua që të hiqte dorë nga nofka “Macola”. U bë me
kërkesën e Milanit, me sa dukej, i shtyrë nga respekti për familjen e futbollistit
aq të madh me fat tragjik (Me që ra fjala, Valentino Macola la dy
trashëgimtarë, djemtë Sandro dhe Ferruço, që luajtën në Serinë A). Mbeti i
famshëm me emrin e vet, Altafini. Serinë e golave në Itali e hapi në ndeshjen
Milan-Bari në sezonin futbollistik 1958-1959. Në fundin e sezonit, golat e
shënuar kapën shifrën 28, por golashënuesi më i mirë u shpall lojtari i Romës,
Anxhelilo me 33 gola. Sidoqoftë, Milani i tij u shpall Kampion i Italisë. Siç i
ka hije lojtarëve të mëdhenj, lojërat më të bukura Altafini i ka bërë kundër
skuadrave më të fuqishme, sidomos në ndeshjet kyçe. Kundër Interit, në sezonin
1959-1960, rezultati qe 5:3 në favor të Milanit dhe kundër Juventusit, në
sezonin 1961-1962, rezultati qe 5:1 në favor të Milanit. Prejardhja italiane, për
çka më së miri flet dhe emri që mban, i dha mundësi që me lehtësi të merrte
shtetësi italiane (në vitin 1961). Menjëherë e ftuan që të luante në përbërje
të përfaqësueses. Dramatike është cilësuar situata e krijuar në ndeshjen
Itali-Izrael, kur për çudi të të gjithëve, pjesa e parë u mbyll me rezultatin
0:2. Përmbysja e situatës nuk vonoi të vinte me fillimin e lojës së dytë,
ndeshja përfundoi me triumfin e italianëve 4:2. Golin e tretë, atë të fitores,
e shënoi Altafini. Dhe goli mbeti i paharruar edhe për natyrën e vet
braziliane: shënoi me një goditje virtuoze nga distanca. Në pranverën e vitit
1962, Zhoze i ndëshkoi me nga një gol si francezët, si belgjianët dhe e fitoi
të drejtën për t’u përfaqësuar në Kupën e Botës që do të luhej në Kili si
goleador me emër. Por nuk i eci, njëlloj si në Kampionatin pararendës: pas
takimit të parë me të zotët e fushës, që u zhvillua me shumë faulla dhe me
parregullsi nga më të ndryshmet, dhe që përfundoi 0:2 në disfavor të
italianëve, Altafini u zhduk nga përbërja e skuadrës.

Rekord i Kupës së Kampionëve

Altafinit iu bë i rëndomtë këmbimi i pasuksesit me përfaqësueset me
suksesin në klubet e futbollit. Sezoni 1962-1963 ka qenë për të më i frytshmi:
shënoi 14 gola, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i Kupës së Kampionëve,
dy më të fundit i shënoi në ndeshjen finale me Benfikën, duke i dhuruar Milanit
Kupën e Parë të këtij edicioni prestigjioz. Benfika, që e mbante Kupën gjatë dy
vjetëve, hyri në lojë e sigurt se do ta kishte për të tretën herë, dhe Eusebio
shënoi golin e parë. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë. Loja e dytë foli e
gjitha për Altafinin, bëri dy gola radhazi brenda tetë minutave. Dubleti i tij
e vendosi fatin e takimit: “Milani” e fitoi Kupën e Kampionëve. Suksesi i
buzëqeshi edhe në ndeshje të tjera ndërmjet klubeve. Zhoseja e pa veten në
krahët e fatit dhe në verën e vitit 1964 kërkoi nga drejtuesit e Milanit
ngritje të pagës. Përgjigjja ishte negative. Altafini reagoi me kokëfortësi,
nuk pranoi që të dilte më në fushën e gjelbër dhe u kthye në Brazil. Vendin e
tij në skuadër e zuri Ferrario, një lojtar krejt i panjohur, por që për habinë
e të gjithëve nuk qëndronte prapa brazilianit të famshëm për nga sasia dhe
bukuria e golave që bënte në portat kundërshtare. Mërgimtarit vullnetar nuk i
arriti durimi, plëngprishësi i rrëmbyer u kthye në Milano në janarin e vitit
1965, duke ia rritur shansin skuadrës që të fitonte titullin e Kampionit të
Italisë. Altafini pranoi të vazhdonte të luante sipas kushteve të vjetra, por
skuadrës së zemrës nuk po i ecte, Milani me shpejtësi po e humbiste rolin e
liderit, e humbi vendin e parë, zuri vetëm vendin e tretë. Fajin për disfatën
tifozët e nxehtë ia hodhën Altafinit, ky nuk mundi që ta duronte këtë qëndrim
të tyre dhe kërkoi të shitej në ndonjë skuadër tjetër.

Rinia e dytë

Në verën e vitit 1965, Altafinin e bleu Napoli, që atë vit mundi të
kalonte në Serinë A. Klubi bëri edhe disa blerje të tjera të suksesshme, ndër
to duhet përmendur sulmuesi i Juventusit, Omar Sivori. Çifti Altafini-Sivori u
tregua në lartësinë e detyrës, falë tij Napoli, që sapo qe kthyer në Serinë A,
arriti të siguronte vendin e tretë në Kampionatin e Italisë. Pas një viti zuri
vendin e katërt, kurse në vitin tjetër zuri vendin e dytë. Me Napolin Altafini
luajti deri në vitin 1972 dhe i solli lavdi klubit. Emri iu bë sensacional, në
markatën e verës së atij viti u ble nga Juventusi, kuptohet, me pagesë më të
lartë. Përsëri u gjend në një skuadër elitare dhe me emër botëror. Në kryesinë
e Juventusit nuk qenë njëzëri pro blerjes, sepse lojtari me famë ishte i kaluar
në moshë, por sidoqoftë, u pranua. Sezoni nisi, kurse Altafinin nuk po e
shihnin që të dallohej në fushën e lojës, lëvizte pak. Nuk kaloi shumë dhe
lojtari me përvojë e gjeti veten edhe në 
skuadrën e Juventusit. Përsëri iu shfaq ndjesia e të nuhaturit të golit,
që ishte kurdoherë një nga vetitë më simpatike të tij. E tregoi veten në
takimin e paharruar me Fiorentinën: e ndihmoi fati që ta hapte ai serinë e
golave, dhe kur kundërshtari barazoi, zgjodhi momentin dhe e shpalosi
mrekullisht bukur mjeshtërinë e tij prej goleadori të rrallë, shënoi golin e
dytë në portën e Fiorentinës duke i dhënë Juventusit fitoren, 2:1. Pas një jave
goli që shënoi kundër Palermos po ashtu i dha fitoren Juventusit. Golat
vazhdonin të ishin vendimtarët për skuadrën. Ai sezon sportiv u cilësua nga
shtypi si “i artë” për Klubin e Juventusit. 35-vjeçari Zhoze Altafini dha një
kontribut zor të çmuar, vetë ai u shpall për të tretën herë kampion i Italisë.
Dhe nuk qe fjala e tij e fundit: dy vite më pas Altafini festoi me miqtë një
tjetër skudeto, ndonëse nuk qe në rolin e gjeneralit, sepse luajti si
zëvendësues i Anastazit, por kontributi qe i ndjeshëm, shënoi 8 gola. Ishte një
kohë që mjeshtëria e tij i hynte shumë në punë “zonjës së vjetër”: Roberto
Betegës mjekët i gjetën tuberkuloz, për rrjedhojë ylli u detyrua të qëndronte
në stol. Atë e zëvendësoi me sukses Altafini 37-vjeçar. Në vitin 1976, Juventus
e përcolli që të prehej “dinozaurin” e vet, ndonëse vetë ai nuk kishte ndër
mend që t’i varte këpucët në gozhdë, luajti edhe disa kohë në Zvicër. Kur afroi
çasti i pakëndshëm i dorëheqjes nga futbolli, Altafini nuk gjeti për veten
ndonjë variant, që të mund të mbetej i integruar në veprimtaritë futbollistike.
Punoi si agjent i thjeshtë në një kompani sigurimesh shoqërore. Vetëm disa vjet
më pas, kur u shfaq mundësia e hapjes së kanaleve televizive me pagesë, u
pajtua si ekspert futbolli në njërin prej tyre, u mor me transmetimin e
ndeshjeve. Në mesin e viteve 90-të, një klub i rëndomtë i Serisë B,
Salernitana, e ftoi si konsulent. Një gjë është e vërtetë: rezultatet e
skuadrës qenë mbresëlënëse, Salernitana u kualifikua për në Serinë A. Zhoze
Altafinin e kujtojnë edhe sot në Itali, dashamirët e futbollit flasin për të me
adhurim, miqtë e ftojnë në gostitë dhe festimet që bëjnë.