Vllaznia, vetë  historia e futbollit shqiptar, 96 vitet e shënuara me germa të arta

1493
Sigal

Vllaznia, ky djep i futbollit shqiptar, e në këtë rast fjala djep nuk vendoset në thonjëza pasi në qytetin e Shkodrës lindi futbolli, u rrit, u zhvillua, u përqafua dhe u përhap në të gjithë Shqipërinë. Ishte pikërisht kjo skuadër që u bë klubi i parë shqiptar në futboll, e para skuadër që luajti një ndeshje ndërkombëtare me një klub të huaj, e para skuadër që shënoi gol, e para skuadër që përhapi futbollin. Në ato vite ishte vetë futbolli dhe vazhdon të jetë akoma, ndoshta tani jo në shkëlqimin e dikurshëm, për shkak të disa vështirësive që po has, por mbi të gjitha ka fanellën që i peshon me histori, i peshon me tituj, i peshon me traditë, i peshon me krenari.  Vllaznia është abc-ja e futbollit shqiptar, është rruga e nisur drejt dashurisë për këtë sport, është udhërrëfyesi më i mirë për çfarë ka ndodhur dhe për çfarë do të ndodhë, e për këtë mjafton të shohim akademinë e këtij klubi, atë fidanishte të lavdishme që çdo vit nxjerr futbollistë të kalibrit jo vetëm kombëtar por edhe ndërkombëtar, e për këtë ka merita. Po, e vërtetë, Vllaznia ka probleme aktualisht, por askush, askush nuk ia heq meritat dhe vlerat e arritura vit pas viti, askush nuk ia mohon tifozët që tundën shkallët e “Loro Boriçit” dhe të çdo stadiumi tjetër në Shqipëri, nga të gjithë mbetet klubi i respektuar sepse në njëfarë mënyrë është klubi “mëmë”, që aktualisht ka nevojë vetëm për diçka, ka nevojë për një “dorë që të tundë djepin”. Talenti dhe dashuria për klubin vazhdon të mbetet aty, po ashtu edhe vetë klubi, Vllaznia legjendare, Vllaznia 96 vjeçare!

Pak histori

Indipendenca Shkodër

Më 16 shkurt, para 96 vitesh, u themelua i pari ekip shqiptar i futbollit, e të tjerat janë histori.  Por para kësaj, ishte viti 1908 kur futbolli u prezantua për herë të parë në Shqipëri, kur një prift maltez, Gut Ruter, solli një top futbolli në qytet, e bashkë me topin erdhi edhe loja e futbollit. Klubi i parë i formuar ishte Indipendenca Shkodër, themeluar nga Palokë Nika në vitin 1912, por ndeshja e parë e futbollit do të organizohej vetëm në vitin 1913, ndeshje që u zhvillua mes Indipendencës dhe skuadrës austro-hungareze të formuar nga trupat detare. Kjo ndeshje, përpos të gjithave, ishte edhe e para ndeshje ndërkombëtare që një ekip shqiptar luante, duke shënuar edhe në këtë pikë një rekord, por gjithashtu ishte i pari takim 90 minutësh i zhvilluar me nga dy pjesë 45 minutëshe. Kjo ndeshje u humb 2-1, por gjithsesi vlerë kishte zhvillimi i takimit dhe përhapja që ky sport po merrte në vend.

KF Vllaznia

Që futbolli pëlqehej, kjo u vu re tek masa e popullsisë që ndiqnin çdo takim, e nisur nga kjo u vendos që të krijohej një klub, një ekip, një vëllazëri, me qëllimin e vetëm që të përçohej edhe më tutje pasioni i të gjithë atij grupi në nderim të këtij sporti dhe sportdashësve. E kështu, në 16 shkurt të vitit 1919 u vendos për themelimin e një shoqërie sportive, ku përfshinte shumë sporte e ndër të gjitha edhe futbolli. Pra, më në fund, ishte themeluar i pari ekip shqiptar i futbollit, që u vendos të quhej Vllaznia, në emër të bashkimit dhe të vëllazërimit, në emër të bashkëpunimit dhe të dëshirës për të ecur përpara. E kështu, dita ditës Vllaznia u bë shumë më shumë se një emër, u bë një legjendë e futbollit shqiptar, ku nga gjiri i saj morën jetë emra të mëdhenj të futbollit, morën jetë dëshira dhe dashuria për sportin, pasioni që të sillnim ndryshimin nëpërmjet sportit e kështu pak e nga pak të arrihej ai nivel i lartë në të cilin gjithmonë është gjendur Vllaznia. Një mit i futbollit shqiptar, nismëtare e së bukurës, skuadër “kokëfortë” në arritjen e rezultateve, për tu bërë prijëse në përmirësimin e futbollit vendas. Kohët e fundit, ndoshta asgjë nuk po shkon si duhet për Vllazninë, e vërtetë kjo, por përsëri ajo fanellë kuq e blu është një fanellë që ka peshuar dhe do të peshojë gjithmonë në shpinën e çdo futbollisti që luan për këtë ekip, duke ngjallur respekt të pakufizuar për skuadrën që “priu” para gjithë klubeve të tjera në rrugën e gjatë e të vështirë të futbollit.

SKEDA E VLLAZNISË
Themelimi-16 shkurt 1919
Nofka-Kuq e blutë
Stadiumi- “Loro Boriçi”
Arritjet- 10 kampionate të fituara,
(11 herë nënkampione)
6 herë kampione e Kupës së Shqipërisë,
7 herë nënkampione.
2 herë fituese e Superkupës së Shqipërisë,
2 herë nënkampione

Intervista me Armir Grimën, legjenda e portës shkodrane

Armir Grima: Vlera e Vllaznisë është e patjetërsueshme, është simbol i futbollit shqiptar

Armir Grima, portieri legjendar i portës së Vllaznisë, ku nën mbrojtjen e tij finale skuadra kuq e blu arriti që të fitonte çdo trofe të mundshëm kombëtar, rrëfen për “Telegraf” mbi klubin që i ka kushtuar jetën, një herë si futbollist e tani si drejtues, duke dhënë një panoramë mbi ndryshimet që duhet të bëjë Vllaznia për të arritur edhe një herë në majat më të larta të futbollit vendas.

Çfarë vlere ka Vllaznia për futbollin shqiptar në përgjithësi?
Vlerat e Vllaznisë në futbollin shqiptar janë të patjetërsueshme pasi kjo skuadër është një simbol, një ekip që i ka dhënë tonin futbollit shqiptar.
Çfarë i mungon Vllaznisë së sotme që të rikthehet edhe një herë në “kohët e arta”?
Që të kthehet Vllaznia në kohët e arta mendoj se kryesorja është që të ketë financa të forta dhe një menaxhim më të mirë, gjithmonë nga privati, është e pamundur që me menaxhimin e Bashkisë, Vllaznia të luftojë për trofe, d.m.th., ekipi ka nevojë, që të ecë përpara duhet të kalojë në menaxhimin privat.
Cili është kujtimi juaj më i bukur në ndeshjet me Vllazninë?
Kujtimet e mia më të bukura si futbollist, normalisht janë gjithmonë fitimi i trofeve, kalimi i tureve në Kupat e Europës dhe një tjetër kënaqësi e veçantë është edhe kur i gjithë stadiumi i mbushur plot, brohoret emrin tënd. Këto janë kujtime të paharrueshme për mua, që besoj lënë shenjë tek çdo futbollist.
Sa rëndësi do të ketë në grup ardhja e Sinanit si zv/trajner, nëse vjen?

Sa i përket Sinanit, aktualisht duket pak larg atij posti, por nëse ai do të jetë pjesë besoj se do të ishte një motivim i madh për skuadrën dhe për ambientin, pasi ka nevojë në këto momente për një emblemë të Vllaznisë që të jetë pjesë e skuadrës. Pa dyshim që do të sillte një humor më të mirë për skuadrën.
Zbehja e publikut në stadium është një fakt, çfarë mendoni se mund ta rikthejë atë publik si dikur?
Normalisht që rezultatet e arritura ndikojnë edhe te ftohja e publikut me skuadrën. Që të rikthehet edhe një herë ky publik në stadium, duhet që Vllaznia të jetë një ekip që pretendon për titull, e kjo mund të arrihet vetëm nëse Vllaznia privatizohet si shoqëri.
Një përshtypje tuajën mbi ndryshimet e skuadrës kur ju ishit futbollist aktiv dhe me skuadrën që ju tani keni një pozicion drejtuesi, (në lidhje me mënyrën e organizimit dhe dëshirës për ta arritur fitoren).
Ndryshimet janë të mëdha me kohen time si lojtar dhe drejtues, me privatin gjithmonë kemi luftuar për trofe dhe për Kupat e Europës, ndërsa tani luftojmë çdo sezon për të mos rënë nga kategoria, sepse kaq është në gjendje që të financojë Bashkia, ndërsa, sa i përket organizimit dhe çdo gjë tjetër është më profesioniste dhe e mirëorganizuar.

Besara Ibraj